Sekretarja për Marrëdhëniet Ndërkombëtare në Partinë e Lirisë, Floida Kërpaçi ka bërë një rezyme të gjendjes së vështirë ekonomike që ka kapluar familjet shqiptare, duke akuzuar qeverinë si fajtore të përkeqësimit të kushteve të jetesës.

Sipas ish-deputetes, Shqipëria aktualisht ka nevojë për një politikë ekonomike të përgjegjshme për t’i dhënë zgjidhje problemeve me çmimet e larta.

Postimi i Kërpaçit:

Çmimet janë shumë të shtrenjta dhe jetesa është e papërballueshme për studentët dhe familjet Shqiptare!

Rritja galopante e korrupsionit nga Kryeministri i cili qeveris prej 10 vitesh ka sjellë pasoja te rënda ekonomike e sociale për të rinjtë dhe familjet Shqiptare.

Rritja është ndjerë më shumë tek ushqimet e përditshme, karburantet, kostot korrente si uji, dritat, qiraja, por dhe tek transporti publik.

Familjet që janë me qira, janë shumë të shqetësuar nëse do arrijnë të paguajnë dot qiranë muajin tjetër. Shumë studentë që presin të fillojnë vitin shkollor, po hezitojnë dhe po konsiderojnë braktisjen e shkollimit prej pamundësive ekonomike.

Dimri është tek dera dhe gjëja më e rëndësishme për të gjithë vitin që vjen është ekonomia shqiptare, e si do të përballojmë pasojat e inflacionit në rritje.

Një qeverisje për njerëzit, nuk duhet të fokusohet për koncesionet, firmat oligarkike që përfitojnë paratë publike, por për ato grupe shoqërore të cilët kanë më pak. Si për shembull; pensionistët, të papunët, të rinjtë, familjet e mëdha me shumë persona por me pak të punësuar, etj.

Një politikë ekonomike e përgjegjshme, njerëzore dhe sociale, është jetike për momentin dhe Partia e Lirisë e ka alternativën. Është jetike për të mos u përballur me falimentin e Shqipërisë dhe të shoqërisë, çfarë do të sillte kriza edhe më të mëdha sociale.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: