Me rastin e 102-vjetorin e lindjes së poetit, studiuesit dhe përkthyesit “Vexhi Buharaja”, emrin e të cilit mban edhe biblioteka e qytetit të Beratit është organizuar në ambientet e kësaj biblioteke konkursi: Çmimi Letrar “Vexhi Buharaja”.

Në këtë konkurs morën pjesë të rinj nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Kanadaja, Amerika etj.

Konkursi u zhvillua në kategoritë: Poezi, ese, përkthime dhe pjesë e tij u bënë 54 krijues që performuan denjësisht në fushat e përzgjedhura.

Në përbërje të jurisë së këtij konkursi kanë qenë: Prof.Ymer Ciraku, Prof.Alda Bardhuli, shkrimtari nga kosova Ndue Ukaj dhe në cilësinë e kryetarit të jurisë Aleksandër Çipa, kryetari i UGSH-së.

Kjo juri dinjitoze me emra të njohur në fushën e letërsisë, akademisë, gazetarisë dhe publicistikës i dha rëndësinë e veçantë këtij çmimi, duke përcaktuar edhe fituesit e 4 kupave.

Të pranishmit në këtë event, ku vlen të përmendet rritja e cilësisë në krijime nga viti në vit janë ndalur edhe në figurën e Vexhi Buharasë, si një vlerë e shtuar në gjerdanin e artë të vlerave njerëzore e kulturore të qytetit të Beratit që dha një kontribut të çmuar në fushën e letërsisë kombëtare si dhe në atë të përkthimit, sidomos në gjuhët origjinale.

Çmimi Letrar “Vexhi Buharaja” startoi 3-vjet më parë, në 100-vjetorin e lindjes së studiuesit e orientalistit të famshëm shqiptar Vexhi Buharaja dhe bashkia e qytetit vendosi ta zhvilloi këtë konkurs mbarëkombëtar çdo vit, si një risi dhe traditë për qytetin kulturor të Beratit.

Në përfundim të konkursit u shpallën edhe 4 fituesit e kupave: në poezi u shpallën fitues Belfiore Zilfe Qose dhe Riza Braholli dhe në përkthime u shpallën fitues Zimo Krutaj dhe Rigel Rizaj.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb