Debate ka pasur në mbledhjen e Komisionit Rregullator në KQZ për fletën e votimit të 25 prillit. Kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi ka dërguar 3 variante se si mund të votohet, ku pikëpyetjet më të mëdha janë tek kandidatët, nëse do të jenë me numra apo emra.

Celibashi ka deklaruar në mbledhje se i takon Komisionit Rregullator të vendosë, por përfaqësuesi i PS, Eridjan Salianji i ka kërkuar anëtarëve të këtij Komisioni të çohen nga tavolina dhe të ulet Celibashi pasi është kompetencë e tij.

Pritet të shihet nëse mbledhja do të shtyhet, apo nëse shqiptarët sot do të mësojnë se cilin prej varianteve do të kenë përpara më 25 prill për të zgjedhur për partinë dhe kandidatët.

DEBATET TEK MBLEDHJA E KOMISIONIT RREGULLATOR

Ilirjan Celibashi: Ju jam sjellë tre variante. Dy me emra kandidatësh dhe një ku kandidatët përfaqësohen me numra. Ju takon juve të vendosni.

Eridjan Salianji: Për këtë gjë të mos vendosë Rregullatori, duhet të vendosë vetë kryekomisioneri Celibashi. Nuk është kompetencë e juaja. Të pushojë mbledhja.

Helga Vukaj: Është kompetencë e Rregullatorit. Komisioneri duhet të na sillte një propozim të vetëm, jo tre variante. T’i lëmë kohë për të na sjellë një version përfundimtar.

Shqiptarët kanë votuar në sondazhin e KQZ se kush është fleta më e përshtatshme prej tyre. Njëra ka marrë 79% të votave. Mund të ishte një orientim i mirë.

Iv Kaso: Kthejani komisionerit për saktësim aktin. Të jetë i saktë dhe i qartë akti.

Muharrem Çakaj: PS është njohur me materialin, dhe nuk ka pasur asnjë pretendim deri tani. Komisioni Rregullator i ka këto të drejta. (Të miratojë fletën e votimit). Celibashi të na sjellë një model konkret flete votimi, në mënyrë që ne ta miratojmë ose ta rrëzojmë. I japim kohë më shumë nëse atij i duhet për të na sjellë një variant konkret.

Eridjan Salianji, PS: Nuk dua të shtyhet mbledhja. Çohuni ju nga tavolina, të ulet Celibashi aty dhe të miratojmë po sot fletën e votimit.

Helga Vukaj: Celibashi është kosheint dhe i vetëdijshëm se ne jemi kompetentë për të miratuar fletën e votimit. Ai ndaj na e ka sjellë neve në tryezë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb