7 pikë në 4 javë, vendi i 8-të në Serie A, janë shifra që nuk “ngrohin” as tifozët e Juves, e aq më pak drejtuesit e “Zonjës së Vjetër”. Ky fillim sezoni, aspak pozitiv, është në vazhdën e rezultateve të viteve të fundit, ku drejtuesit e klubit janë përpjekur në çdo formë të kthejnë Juven aty ku i takon, por diçka të tillë nuk e arritën as Thiago Motta, as Tudor, e as Spalletti. Humbja e fundit, ajo kundër Sassuolo-s, ka bërë që në shtëpinë e “Zonjës së Vjetër” të ndizet “alarmi i kuq”, dhe në raste të tilla, i pari që përfundon nën akuzë është trajneri. Këto ditë, menjëherë pas humbjes në “Mapei”, në Torino dhe jo vetëm, mediat kanë filluar të aludojnë se stoli i Spallettit ka pësuar një lëkundje të fortë: “Spalletti nën shënjestër”, shkruan Corriere dello Sport në faqen e parë.

Sigurisht, ndryshimi i trajnerit në këtë pikë të sezonit nuk është aspak e lehtë, në çdo aspekt. Spalletti është nën kontratë edhe për dy vite të tjera nga ku përfiton 5 milionë euro në sezon. Shkarkimi i tij do të hapte një tjetër gropë, pasi do të ishin të detyruar jo vetëm të paguanin Spallettin, por edhe trajnerin e ri. Conte, në këtë rast, që është emri i parë dhe i vetëm që del në skenë, tek Napoli përfitonte 8 milionë euro në sezon. Drejtuesit e Juves shpresojnë shumë që Spalletti të rikthejnë ekipin në “shina”, ku dy provat e radhës janë ato kundër holandezëve të Nijmegen dhe Atalantës në Serie A.
Spalletti është i detyruar t’i fitojë këto dy takime, në të kundërt shkarkimi i tij nuk do të ishte me një utopi. Në rast të një përfundimi të tillë, Juve do të hidhet menjëherë “all-in” për të rikthyer Conte-n në Torino. Në fakt, Conte mund të ishte trajneri i Juve edhe 1 vit e gjysmë më parë, kur Elkan bëri gjithçka për ta bindur, por Conte zgjodhi Napolin, ekip me të cilin fitoi edhe titullin në Serie A.
