Antonio Conte rikthen emocionet në kampin bardhezi, duke lënë të hapur mundësinë e një rikthimi të ardhshëm në pankinën e Juventusit. Ish-kapiteni dhe trajneri i torinezëve ka shprehur hapur dëshirën për të mbyllur një histori që u ndërpre në verën e vitit 2014.

“Herët a vonë, atë rreth duhet ta mbyllim. Nuk e di nëse pas një, dhjetë apo pesëmbëdhjetë vitesh, por e di që kam lënë diçka te Juventusi”, ishte deklarata e Contes, e cila ka rikthyer menjëherë diskutimet për një ribashkim të mundshëm.

Për momentin, drejtuesit e Juventusit vazhdojnë të konfirmojnë besimin te Luciano Spalletti, duke synuar stabilitet dhe vazhdimësi në pankinë. Megjithatë, nëse rezultatet nuk do të jenë bindëse, në fund të sezonit mund të rihapet diskutimi për të ardhmen e skuadrës, ku krahas Contes përmendet edhe emri i Simone Inzaghit.

Pavarësisht se një rikthim nuk është aktualisht në fazën e negociatave, fjalët e teknikut italian kanë ndezur fantazinë e tifozëve bardhezi. Duket se lidhja mes Antonio Contes dhe Juventusit mbetet ende e fortë dhe historia e tyre mund të mos ketë përfunduar në vitin 2014.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb