Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, sqaroi sot në Kuvend mungesën e një anëtari të Komisionit Shqiptar të Helsinkit në përbërje të Komisionit Kombëtar për Azilin dhe Refugjatët. Ai tha se ligji i ri për Azilin ka përcaktuar që Komisioni Kombëtar për Azilin të përbëhet nga pesë anëtarë dhe jo nga shtatë anëtarë dhe se është një komision ankimi administrativ. Komitetit Shqiptar i Helsinkit nuk ka kthyer përgjigje për një kohë të gjatë tha ministri Çuçi pavarësisht se i është dërguar kërkesa për pjesëmarrje.

“Tani të vijmë te fakti që pse nuk është më Komiteti Shqiptar i Helsinikit. Megjithëse ligji nuk na detyron dhe megjithëse shumë qartë në bazë të Kodit të Precedurës Administrative dhe ligjit “Për Azilin”, Komisioni i Shqyrtimit Administrativ, pra Apeli Administrativ, përbëhet dhe ngrihet brenda organit administrativ, që ka dhënë vendimin, sepse është procedurë brenda organit administrativ, ne prapë, për hir të një tradite që kishim krijuar, duke e pasur në komision, i kemi dërguar Komitetit Shqiptar të Helsnikit. Ligji është miratuar në shkurt të 2021, në 5 korrik të 2021 i kemi dërguar KShH, një variant të VKM-së ku e kishim përfshirë edhe KShH, dhe nuk kemi marrë përgjigje deri në 29 tetor të vitit 2021. Pra, më shumë se tre muaj pa përgjigje”tha ministri Çuçi.

Në vijim ai theksoi se në këto kushte duke mos marrë përgjigje nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit Ministria e Brendshme vazhdoi me ngritjen e Komisionit, por duke gjykuar që jo vetëm KShH, por edhe çdo organizatë tjetër që mbron të drejtat e azilkërkuesve apo refugjatëve, të jenë pjesë në çdo mbledhje të Komitetit Administrativ si vëzhgues, edhe për të dhënë opinione drejtpërdrejtë brenda Komisionit Administrativ.

“Por gjithsesi thashë, ju garantoj që në çdo mbledhje, dhe ndërkohë në tre vite janë bërë vetëm 5 mbledhje të tilla, në çdo mbledhje do të jenë përfaqësues jo vetëm të KShH, por të çdo shoqate, të çdo organizate jofitimprurëse, përfshirë IOM, përfshirë UNHCR, kur të merret në shqyrtim ankimi për çdo vendim të marrë nga organi administrativ”, tha ministri Çuçi.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb