Trajneri i Skënderbeut, Ilir Daja, flet për takimin e radhës kundër ish-skuadrës së tij, Tiranës, e cila është kryesuese në kampionat dhe shkon drejt titullit kampion të 25-të. Daja deklaron se Skënderbeu do të futet në fushë për të fituar, por veç takimit të radhës nuk le pa përmendur dhe ndeshjen e Kupës së Shqipërisë kundër Bylisit si dhe merkaton.

Tirana
“Është një ndeshje si të gjithë ndeshjet e tjera, pra është ndeshja e javës. Luajmë me kryesuesit e kampionatit që kanë bërë një kampionat të mirë dhe kanë një kontingjent që thuajse çdo pozicion e ka të dubluar. Ka një favor më shumë se ne, sepse në mesjavë në ndeshjen e kthimit me Besëlidhjen ka përdorur formacionin e dytë. Vijnë nga një anë psikologjike goxha e mirë, por do të kenë përballë një Skënderbe që ka bërë mirë në kampionat, përveç humbjes në Ballsh që e dimë se si erdhi. Duhet të rikthehemi në atë pozicion që ishim më përpara sepse në fund fare, në përballjet me Tiranën gjatë këtij kampionati i kemi pikët e barabarta, një fitore një humbje dhe një barazim”.

Shanset për fitore
“Po aq sa ka dhe Tirana me ne. Do të futemi në fushë duke kompesuar edhe mungesat që kemi. Kemi disa mungesa tepër të rëndësishme brenda formacionit bazë. Disa titullarë tonët nuk do të jenë nesër ndaj Tiranës. Pjesa tjetër e ka treguar që ka sakrifikuar me dëshirën dhe motivimin për të shkuar te fitorja”.

Mungesat
“Të sigurtë janë mungesat e komplet linjës së krahut të djathtë që tani nuk mund ta përsërisim çdo ndeshje. Deri në fund të kampionatit nuk do të jenë Meksi dhe Ndeki. Mungon Jashanica për arsye dëmtimi. U rikthye dje në stërvitje Pollozhani që do të jetë në pankinë. Jo vetëm si pozicion, por edhe si eksperiencë, mungesat janë të ndjeshme. Do të luftojmë me kontingjentin që kemi, për të bërë më të mirën dhe për të shkuar te fitorja”.

Kupat e Europes
“Janë dhe shumë ndeshje të tjera. Po të shikosh edhe kalendarin ka përballje direkte edhe këtë javë. Nëse bëjmë një hap pozitiv do të ndihemi më mirë për të parë rezultatet. Duhet të futemi me mentalitetin fitues”.

Merkatoja
“Unë jam trajner i Skënderbeut nuk e di çfarë do të ndodhë me futbollistët. Tani i kam të gjithë në dispozicion dhe luftojnë për Skënderbeun. Dita në këtë ndeshje është kampion i skuadrës dhe do të japë maksimumin deri sa të mbarojë kampionati. Kur kam qenë trajner i Tiranës kam dashur të fitojë me çdo ekip, të njëjtën gjë dua edhe tani”.

Kupa
“Eliminimi nuk ka lenë shenjë psikologjike. Analistët e panë që edhe goli që na çoi drejt s’kualifikimit, vinte nga një faull. Ishte karton i verdhë për lojtarin. Ne kishim në dispozicion 4 zëvendësime. Ana psikologjike nuk ka rënë, jemi eliminuar duke pasur shumë raste me një kundërshtar të fortë si Bylis.

Gjykimi
“Nëse do të merremi me vendime teknike të arbitrave do bënim një dëm. Nuk duhet të krijojmë alibi për lojtarët. Arbitrat duhet të kenë kujdes në lojën e dhunshme. U pa që në ndeshjen e kthimit ekipi jonë mori 3 kartonë të verdhë. Nëse do të zbatohej rregullorja Bylisi do të ishte me më pakë se 7 lojtarë në fushë”.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb