TIRANE- Është një nga politikanët më të njohur në 25 vitet e fundit në Itali, njëri prej atyre që i mbijetoi “rrëzimit të politikës së vjetër” nga “politika e re” pas të famshmit “Tangentopoli” në Itali. Massimo D’Alema, Kryeministër i Italisë në një periudhë shumë të rëndësishme për shqiptarët; në kohën e bombardimeve të NATO-s mbi atë që kish mbetur nga ish- Jugosllavia për shkak të luftës në Kosovë.

I përket së majtës europiane dhe në atë kohë si kryeministër doli kundër qëndrimit të partisë së tij duke mbështetur bombardimet mbi Beograd dhe në zonat ku ishte ushtria jugosllave. E majta shqiptare thuhet se ka një shumicë tradicionale, megjithatë ajo është e përçarë, ose e ndarë zyrtarisht që prej vitit 2003, dhe kjo solli 8 vite në pushtet të së djathtës, si një nga arsyet kryesore. Ka pasur edhe arsye të tjera, si keqqeverisja e mëparshme e socialistëve, dhe ishte edhe arsyeja se si kjo e majtë e ribashkuar në 2013, le të themi e risolli të majtën në pushtet. Tashmë rivali i Edi Ramës brenda partisë, Ben Blushi, që e akuzon atë për shkelje të statutit dhe demokracisë së brendshme, pas sfidës në Kongres ndoshta mund ta çojë të majtën shqiptare drejt një çarjeje të tretë; do të kishit një këshillë për këtë? Megjithëse nuk besoj se do kishe një këshillë të mirë, duke qenë se shpesh jeni akuzuar edhe ju si një nga përçarësit e së majtës në Itali…

Në fakt ne e kemi bashkuar. Kemi krijuar një parti të madhe që ka ribashkuar gjithë të majtën në Itali. Jemi nisur nga parti të ndryshme dhe kemi krijuar një të vetme. Margaritën… Partinë Demokratike italiane. Quhet si ajo e Berishës dhe e Bashës në Shqipëri, por te ne përfaqëson të majtën. Ne kemi bashkuar të majtën dhe nuk kemi ndarë. Ky është qoftë fakt, qoftë lajm. Mendoj… e pashë Metën në Kongres. Ka një bashkëpunim të mirë në këto çaste, klima është shumë pozitive dhe sinqerisht këshilla ime është që të shmangen ndarjet e kota. Në fund, kush e ka shtruar problemin e demokracisë, do të ketë një referendum. Ç’kuptim do të kishte që të ikësh pasi bëhet një referendum tek anëtarët pasi ke kërkuar demokraci?! Nuk do të kishte kuptim! Nuk jam aq pesimist si ju në lidhje me ndarjet dhe çarjet e mundshme.
(ma.ar/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: