Zbardhet dinamika e plotë e aksidentit tragjik që i mori jetën dy fëmijëve të mitur dhe plagosi një tjetër në Durrës.
Në një video të siguruar nga BalkanWeb, shihet momenti kur shoferi Nikoll Radaçi lëviz me shpejtësi të lartë me automjetin “Benz” në një zonë të banuar, në kundërshtim me deklarimet e tij.
Ai kishte pretenduar se kishte konsumuar vetëm një birrë dhe se po qarkullonte me rreth 30 km/h.
Pamjet filmike tregojnë një realitet tjetër: fuoristrada e drejtuar prej tij dyshohet se lëvizte me një shpejtësi mbi 70-80 km/h në rrugën ku ndodhi ngjarja e rëndë.
Disa sekonda para përplasjes fatale, në vijat e bardha kalon një këmbësor. Për ta shmangur, 57-vjeçari i bie borisë, por dyshohet se për shkak të gjendjes së dehur humb kontrollin e mjetit, del nga rruga dhe hipën mbi trotuar, duke përplasur për vdekje dy të miturit dhe duke plagosur një tjetër.
Edhe në këtë rast 57-vjeçari bie ndesh në deklarime pasi pretendonte se një mjet tjetër i kishte dalë nga një kthesë aty pranë dhe devijoi për ta shmangur atë.
Pas aksidentit, drejtuesi i mjetit u largua nga vendngjarja, por u arrestua vetëm pak minuta më vonë nga policia. Ndërkohë, këtë të martë, Gjykata e Durrësit caktoi ndaj tij masën e sigurisë “arrest në burg”.
