Një tjetër rast mashtrimi përmes platformave online është goditur nga Policia e Tiranës, në kuadër të operacionit të koduar “INVESTING”. Katër persona janë arrestuar, një tjetër është shpallur në kërkim dhe një 23-vjeçare është proceduar në gjendje të lirë.

Të arrestuarit janë Emirjon Xhafa, 40 vjeç, Genci Ndoni, 42 vjeç, Ekzon Dervishi, 32 vjeç dhe Eroll Hyslihaka, 31 vjeç, ndërsa në kërkim është shpallur Taulant Beleraj, 45 vjeç. Sipas hetimeve, personat kishin përshtatur një ambient në rrugën e Kavajës me poste pune, ku dyshohet se mashtronin shtetas të vendeve të ndryshme të Bashkimit Europian përmes platformave online dhe bursave fiktive.

Por skema nuk përfundonte me mashtrimin e parë. Sipas të dhënave të hetimit, personat e arrestuar kontaktonin sërish viktimat, duke u prezantuar këtë herë si avokatë. Në këtë mënyrë, dyshohet se i mashtronin për herë të dytë, duke u kërkuar shuma që varionin nga 5 mijë deri në 10 mijë euro. Gjatë ndërhyrjes në ambient, specialistët e Krimit Ekonomik, në bashkëpunim me sektorët e Krimeve Kibernetike dhe Forcës së Posaçme Operacionale, sekuestruan 13 njësi kompjuterike, 19 telefona celularë, 7 laptopë dhe materiale të tjera që dyshohet se lidhen me veprimtarinë e paligjshme.

Në ambient janë gjetur edhe blloqe me të dhëna dhe emra të personave që dyshohet se ishin mashtruar. Sipas Policisë, ambienti ishte në pronësi të Taulant Belerajt, i cili dyshohet se e administronte atë në bashkëpunim me personat e arrestuar për zhvillimin e kësaj veprimtarie. Hetimet vijojnë në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës për dokumentimin e plotë të skemës së mashtrimit dhe rolit të secilit prej personave të përfshirë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: