Nga: Klodiana LALA

Mario Meshini do të qëndrojë prapa hekurave nën masën e arrestit me burg për akuzën e bashkëpunimit në vrasjen e Devi Kasmit.

Vendimi u mor nga gjykatësja Ardiana Bera, sipas kërkesës së bërë nga prokuroria, e cila e akuzon Meshinin për akuzat e “vrasjes me paramendim”, kryer në bashkëpunim në rolin e ndihmësit dhe “armëmbajtjes pa leje”.

Por, ndërsa gjykatësja ishte tërhequr për të shpallur vendimin, prokurori Artan Lulo u largua me urgjencë drejt drejtorisë së policisë në kryeqytet, pasi u informua se ishin arrestuar të dyshuarit për krimin, mes të cilëve dhe një shtetas grek në rolin e dyshuar si ekzekutor i Devi Kasmit.

Dyshimet se një shtetas i huaj ishte i përfshirë në ekzekutimin mafioz që tronditi Tiranën, u ngritën menjëherë sapo të afërmit e Kasmit informuan policinë se njeriu i tyre tri ditë përpara se të vritej kishte patur një debat në palestër, me një person që nuk ishte shqiptar, pra shtetas të huaj.
Sipas tyre, personi në fjalë ishte i gjatë rreth 1.80 dhe mbante mjekër. Me këto karakteristika e përshkroi edhe Mario Meshini, personin që i qëlloi para syve ish-mikun e tij, të cilin dyshohet se e nxori në pritë.

Në dritën e këtyre fakteve, grupi i hetimit të kërkim të një vrasësi me pagesë i ardhur nga vendet fqinje.

Në fakt, 72 orë më vonë, në pranga përfundoi ish-efektivi i forcave special Greke, Efthimiu Efthimias, i cili dyshohet se qëlloi Kasmin kundrejt një shume të majme eurosh.

Edhe gjatë seancës për caktimin e masës së sigurisë ndaj Meshinit, avokati i tij Ferdinand Doja, kërkoi nga prokuroria të marrë pamjet filmike dhe të vërtetojë këto fakte, duke këmbëngulur se i mbrojturi prej tij nuk kishte lidhje me krimin.

Po ndërsa i riu mohon akuzat në dosjen e prokurorisë thuhet se nga rrëfimet e dëshmitarëve rezulton e provuar që i dyshuari Meshini ishte nën shoqërinë e Kasmit kur këtë të fundit e qëlluan për vdekje me pesë plumba.

Madje – thotë prokurori – Meshini shfaqet me dorën drejtuar viktimës, duke ngritur dyshime se edhe ai mund të ketë qëlluar në drejtim të mikut të tij.

Për këtë arsye, ndaj 25-vjeçarit është ngritur dhe akuza e armëmbajtjes pa leje.

Por nëse ai ka qëlluar ose jo në drejtim të 42-vjeçarit, prokuroria është në pritje të rezultateve të laboratorit kriminalistik, ku janë dërguar për ekzaminim armët e gjetura.

Pozitën e Meshinit në krim e kompromentuan, jo vetëm thëniet kontradiktore dhënë para hetuesve, por edhe fakti se pas krimit 25-vjeçari nuk shkoi në polici të kallëzonte ngjarjen, por doli të darkonte me të njohur. Ndaj për të gjitha këto ai është kyçur të paktën për momentin prapa hekurave.
(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb