Deputeti i PD, Flamur Noka ka theksuar se bashkimi i demokratëve po pengohet nga Enkelejd Alibeaj. Teksa pyetej nga gazetarët për këtë tematikë ai tha se demokratët duhet të bëhen bashkë për të mundur regjimin e Edi Ramës.

“Për fat të keq, edhe mbrëmë e konstatuat, Enkelejd Alibeaj nuk ka lidhje me bashkimin. Ai po vazhdon lojën e Edi Ramës dhe Lulzim Bashës për të përçarë PD. Ai nuk ka mision atë që kanë demokratët, për t’u bashkuar dhe të bëhemi më të fortë për të mposhtur regjimin. Të gjithë deputetët duhet të jenë pjesë e procesit përbashkues, asgjë nuk e ndal. Pengjet bëjnë punën e tyre, demokratët janë në rrugën e tyre”, tha Noka.

Ndërkohë Noka foli edhe për raportin e DASH për korrupsionin dhe qeverisjen në Shqipëri.

Fjala e plotë:

Qeveria e Edi Ramës përbën një rrezik real për të drejtat e qytetarëve shqiptarë përmes  korrupsionit masiv, presionit politik mbi drejtësinë dhe presionit ekonomik mbi median dhe blerjes së votës.

Ky është rezultati pas skanerit që Departamenti Amerikan i Shtetit i ka bërë situatës së të drejtave të njeriut në vend gjatë vitit elektoral 2021.

Raporti i DASH vërteton më së miri të gjitha shqetësimet, denoncimet dhe akuzat e Partisë Demokratike dhe të opozitës.

A ishin shqiptarët të lirë te zgjidhnin qeverinë që donin?

Departamenti i Shtetit thote Jo!

Vullneti i shqiptarëve është deformuar nga një qeveri që bleu votat, që përdori buxhetin e shtetit dhe sistemin kriminal të patronazhimit, duke ekspozuar mbi 900 mijë qytetarë përballë presionit politik të partise në pushtet.

A është sistemi i drejtësisë i pavarur?

Raporti Departamentit Amerikan te shtetit  thotë Jo!

“Megjithëse kushtetuta parashikon një gjyqësor të pavarur, presioni politik, frikësimi, korrupsioni dhe burimet e kufizuara e penguan gjyqësorin të funksiononte plotësisht, në mënyrë të pavarur dhe efikase”, thekson raporti.

Shqiptarët e dinë se kush e ka fuqinë për t’i bërë presion drejtësisë. Ka një emër, që duhet të jetë në krye të listës si pengmarrës i drejtësisë së pavarur! Ky është Edi Rama.

Një nga shfaqjet më brutale të këtij presioni, Edi Rama e dha gjatë kongresit të Partisë Socialiste, kur i tregoi SPAK-ut kë duhet të hetojë dhe kush është i paprekshëm.

Partia Demokratike ka votuar për një drejtësi që t’i japë fund pandëshkueshmërisë në nivelet më të larta të qeverisë, por me Edi Ramën që kontrollon çdo pushtet, ky mision është i minuar.

A eshte kjo  qeveri e korruptuar?

Raporti i Departamentit Amerikan te Shtetit thote po.

Një qeveri e korruptuar në të gjitha degët e saj, siç pohon Departamenti i Shtetit, një kryeministër i korruptuar dhe presioni politik ndaj drejtësisë është një këmbanë alarmi për shqiptarët!

Ka ardhur koha që të bëhemi bashkë, pavarësisht bindjeve politike, për t’ia shkurtuar jetën kësaj qeverie që të drejtat e shqiptarëve i shet dhe i blen për karrigen personale të Edi Ramës.

Pyetje: Në përfundim të fjalës suaj thatë që ka ardhur koha që demokratët të bashkohen për t’i shkurtuar jetëgjatësinë kësaj qeverie. Edhe pse zhvilluat një mbledhje gati 8 orë, grupi parlamentar nuk arriti të gjente formulën e bashkimit. U kërkua që të pezulloheshin zgjedhjet që Komisioni i Rithemelimit ka nisur në bazë dhe Kuvendi i datës 30 prill. A do t’i merrni parasysh këto propozime të deputetëve?

Flamur Noka: Siç jeni në dijeni, pas datës 6 mars, e gjithë mazhoranca brenda Partisë Demokratike, duke filluar që nga Sali Berisha e të tjerët, kanë patur vetëm një divizë. Është thënë gjithkund dhe në çdo moment: Bashkimi! Ky ka qenë qëllimi dhe misioni jonë e vazhdon të jetë. Por për fat të keq ju edhe mbrëmë e konstatuat, Enkelejd Alibeaj nuk ka lidhje me këtë agjendë të bashkimit. Enkelejd Alibeaj po vazhdon lojën e Edi Ramës dhe Lulzim Bashës për të përçarë PD-në. Enkelejd Alibeaj nuk e ka mision atë që kërkojnë demokratët, të bëhemi më të bashkuar, më të hapur dhe më të fortë për t’u përballur me regjimin.

Pyetje: Dashnor Sula dhe deputetë të tjerë kanë kërkuar që procesi të ndërpritet dhe të përfshihen të gjitha palët e të rinisë procesi. A po rrezikoni kështu qoftë bashkimin e grupit parlamentar, qoftë bashkimin në bazë, duke mospranuar këto kërkesa të demokratëve?

Flamur Noka: Çfarë është diskutuar në mbledhjen e grupit parlamentar të PD është kjo: Të gjithë janë kundër qëndrimit përçarës të Enkelejd Alibeajt. Ai dje kërkoi të mbyllte mbledhjen dhe u çua e doli jashtë, siç e patë ju, askush nuk e ndoqi. Pse? Sepse çdo deputet është i qartë dhe nuk mund të merret peng. Nëse Alibeaj është peng siç ishte edhe Basha, ju them se deputetët e PD janë të gjithë të lirë në vullnetin e tyre dhe në zbatim të vullnetit të demokratëve për ta bashkuar këtë forcë politike dhe për ta bërë fituese. Ne jemi të vendosur për të bërë gjithçka në këtë drejtim. Të gjithë deputetët pa përjashtim janë ftuar dhe do të jenë pjesë e këtij procesi. Është një proces përbashkues, asgjë nuk e ndal. Pengjet bëjnë punën e tyre, demokratët janë nër rrugën e tyre.

Pyetje: Thatë që keni kërkuar vazhdimisht që zoti Alibeaj dhe disa deputetë që mbështesin atë, të tërhiqen nga padia, apo apelimi që kanë dërguar në Gjykatë. Nëse Alibeaj tërhiqet nga Apelimi, ju do të pranoni të shtyni procesin e zgjedhjeve ne disa degë?

Flamur Noka: Tani, mendoni ju që është përbashkues ideja e hedhjes në gjyq të partisë tënde? Ndërkohë që je ulur në karrigen e kryetarit të grupit parlamentar një deputet, kushdo qoftë ai, që hedh në gjyq partinë e tij me qëllimin e vetëm për t’i fryrë përçarjes dhe për të mbajtur gjallë frymën e përçarjes. Kjo është arsyeja që deputetët në mënyrë unanime mbrëmë i kërkuan deputetit Alibeaj që të tërhiqte padinë sepse ajo është e padrejtë dhe sepse Alibeaj nuk e gëzon të drejtën që të flasë në emër të Partisë Demokratike. A keni dijeni ju që të jetë mbledhur ndonjë institucion i PD dhe ta ketë zgjedhur apo t’i ketë dhënë mandat kryetari Enkelejd Alibeajt? Jo! Mbrëmë vetëm Gaz Bardhi tha që është mbledhur Këshilli dhe e ka zgjedhur kryetar, askush tjetër nuk guxoi. Pse? Sepse janë gënjeshtra të rënda. A mendoni se mund të jesh kryetar partie pse ty të cakton Gaz Bardhi? Nuk ka demokrat që e beson këtë, por nuk ka asnjë njeri që njeh ligjet dhe shtetin që mund të pranojë një fyerje, sidomos demokratët nuk e pranojnë kurrë këtë gjë. Kuvendi Kombëtar ka mandatuar Komisionin e Rithemelimit si të vetmin institucion që drejton PD-në deri në datën 30 prill. Është Komisioni që ka marrë dhe merr çdo vendim dhe vendimi që është marrë është të përfshihen të gjithë, të bëhet gjithçka në mënyrë që edhe demokrati i fundit të jetë pjesë e këtij procesi, pjesë e këtij kontributi. PD duhet të jetë më e bashkuar, më e hapur dhe për këtë po bëjmë gjithçka.

Pyetje: Lidhur me presionin politik ndaj drejtësisë, dje zoti Berisha lëshoi akuza të forta kur tha se Edi Rama dhe diplomatët e huaj po kërcënojnë dhe po i bëjnë presion gjykatës. Por a apo i bëni edhe ju në një farë mënyre presion gjykatës kur sulmoni diplomatë të huaj pa prova, në një kohë kur Gjykata e Apelit pritet të marrë në shqyrtim padinë e Enkelejd Alibeajt? Dhe e dyta, pse i druheni vendimit të Apelit kur ju e keni fituar tashmë betejën në shkallën e parë?

Flamur Noka: Se kush bën presion mbi drejtësinë, e tha dje, jo vetëm Sali Berisha, por raporti i DASH. Ai që i bën presion drejtësisë dhe që ka ndikuar dhe po ndikon mbi drejtësinë quhet Edi Rama. Dhe, kjo tregon qartësisht se mbrapa këtij presioni është Edi Rama. Kurrë Sali Berisha dhe PD nuk ka ushtruar presion mbi drejtësinë, as kur ka qenë në pushtet, as në opozitë. Zgjedhjet kanë qenë të planifikuara për t’u zhvilluar në 22 mars. Janë shtyrë për në datën 30 prill, ky ka qenë vendimi dhe ky është një vendim i marrë. Por që të vazhdojë çështja e Kuvendit në kalendat greke, kjo është një çështje dhe një agjendë e tjetër kujt dhe jo një agjendë e PD.

Faleminderit!
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: