Gianni de Biasi beson se Shqipëria do ta eliminojë Italinë në ‘Euro 2016’, nëse shorti i vendos në një grup. Trajneri i Kombëtares ishte protagonist në ceremoninë e zhvilluar në Viçenca. De Biasi i ftuar nderi në “Galanë e Futbollit të Trivenetos”, vlerësoi lojtarët më të mirë të krahinës veri-lindore të Italisë, nga Seria A deri në Ligën Pro, por edhe trajnerin dhe gjyqtarin më të mirë.
Ai konfirmoi se u largua nga futbolli italian prej zhgënjimit se si trajtohen teknikët, ku asnjëherë nuk kanë garancinë e vazhdimësisë së punës.

Sipas De Biasit në Itali trajnerët shkarkohen në pengesën më të vogël dhe për këtë arsye ai beson se kishte kurajën dhe oportunizmin për të punuar në Shqipëri. Një mundësi për të vazhduar karrierën në një vend me futboll jo të zhvilluar shpjegoi drejtuesi i stolit kuqezi, por ku iu dha mundësia të niste dhe të përfundonte një punë falë së cilës përfaqësuesja u kualifikua në Kampionatin Evropian.

De Biasi u tregoi personalisht të pranishmëve për arritjen historike të të gjithë vendit, duke theksuar se së bashku dhe me besim, Kombëtarja mund të shkojë larg, shkruan Super Sport.

Në këtë kuadër, De Biasi foli edhe për shortin e 12 dhjetorit, ku do të përcaktohen kundërshtarët e grupeve të finaleve të Euro 2016. Trajneri shpjegoi se nuk ka ndryshim cilët rivalët do t’i rezervojnë goglat, pasi Shqipëria do të jetë në vazon e katërt dhe sido që të jetë do të luajë me ekipe më të forta.

Duke kujtuar mrekullinë në kualifikuese në një grup ferri me Portugalinë, Danimarkën dhe Serbinë, De Biasi ironizoi edhe rreth një përballje të mundshme me Italinë.
“Në kualifikuese nuk na jepnin shanse, por ia dolëm. Nëse tani do të jemi në të njëjtin grup me Italinë, do të thotë që do t’i eliminojmë edhe të kaltërit”, ishte batuta e trajnerit, që gjithsesi theksoi se do të dëshironte ta evitonte përballje me skuadrën e Contes, edhe pse kjo mund të jetë një dëshirë e tifozëve shqiptarë.

De Biasi u vlerësua edhe me çmim në “Galanë e Futbollit të Trivenetos” për arritjen me Kombëtaren shqiptare. Në praninë e Presidentit të Shoqatës së Futbollistëve italianë, Damiano Tommasit, tekniku kuqezi i dorëzoi çmimin trajnerit të Vicenza-s, Pasquale Marino dhe portierit Andrea Pierobon që mbylli karrierën me Cittadella-n në moshën 46-vjeçare. Mes të vlerësuarve edhe gjyqtari i mirënjohur Daniele Orsato.

(d.b/Express/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: