TIRANE- Pjesëmarrja në “Euro 2016” është një kujtim i bukur i cili do të rrëfehet ndër breza por ai përfaqësim në Francë duhet lënë pas në një kohë kur Kombëtarja po bëhet gati për një tjetër aventurë, në një arenë edhe më të madhe siç është Botërori “Rusi 2018”.
Gianni De Biasi në konferencën e parë premierë për ketë sezon të ri futbollistik i nisi me një zyrtarizim lamtumirë, atë të kapitenit Cana

“Cana nuk është grumbulluar për ndeshjet e ardhshme pasi është tërhequr. Europiani ishte ëndrra e tij, luajti me Zvicrën dhe një pjesë të ndeshjes me Rumaninë. E mbylli me festë dhe mendoj se meriton një duartrokitje të madhe nga të gjithë ne”-tha trajneri.

Duke u rikthyer tek kualifikueset “Rusi 2018”, De Biasi natyrshëm nuk preferoi të vendosë objektiva, motoja mbetet e njëjtë, maksimumin në çdo sfidë
“Objektiv kemi të bëjmë maksimumin e mundshëm, kjo është kërkesa e Federatës ndaj meje. Grupi jonë është shumë i vështirë pasi kemi Italinë, Spanjën, Izraelin që janë skuadra shumë të forta, por edhe me Maqedoninë duhet të japim 101% pasi rrezikojmë të bëjmë figurë të keqe”,- deklaroi ai.

Pranimi i Kosovës në FIFA, solli dhe largimin e disa futbollistëve, por tekniku italian nuk preferon ta quajë këtë një eksod

“Nuk kam parë eksod në kombëtare. Janë larguar ata që nuk kishin hapësira dhe kanë shkuar te Kosova për më shumë shanse. Meha dhe Rama për shembull nuk ishin pjesë e kombëtares prej kohësh.”- u shpreh De Biasi.
Në fund De Biasi ka bërë dhe një koment të shkurtër në lidhje me gafën e bërë gjatë ndeshjes miqësore kundër Luksemburgut.
“Do të biem pak në renditjen e FIFA-s por do të përgatitemi për t’u ngjitur sërish.”
Disa lojtarët ikin por të tjerë rikthehen tek Kombëtarja pas një periudhe pauze, e tillë është edhe rasti i mesfushorit Jahmir Hyka që ka marrë një ftesë nga De Biasi për dy takimet e ardhshme. Listës me 25 futbollistëve i janë shtuar edhe dy emra të rinj, sulmuesi i Peskarës, Rey Manaj dhe portieri Thomas Strakosha, pjesa tjetër mbetet e pandryshuar.

LISTA E PLOTË

Portierë

Etrit Berisha, Orges Shehi, Alban Hoxha, Thoma Strakosha

Mbrojtës

Mërgim Mavraj, Elseid Hysaj, Berat Gjimshiti, Ansi Agolli, Frederik Veseli, Naser Aliji

Mesfushorë

Amir Abrashi, Burim Kukeli, Migjen Basha, Ledian Memushaj, Taulant Xhaka, Odise Roshi, Ergys Kaçe, Ermir Lenjani, Andi Lila, Jahmir Hyka

Sulmues

Armando Sadiku, Sokol Cikalleshi, Bekim Balaj, Shkwlzen Gashi, Rei Manaj

(er.shk/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb