I ftuar në emisionin “EUROMANIA” në News 24 me moderatoren Daljana Sejdia ishte trajneri i mirënjohur, Mirel Josa i cili ka analizuar deri tani sfidat e EURO 2020 duke deklaruar se dëshira e tij është të ketë një finale Angli-Itali:

“Besoj se skuadra e Francës është eliminuar nga mendjemadhësia, sepse ka qenë një skandal i madh të ishte në avantazh nga 3-1 duke u barazuar në 3-3 për 15 minuta.

Nëqoftëse Zvicra nuk do të bënte ndeshjen e jetës nuk do të flisnim për syzet e Zomerit. E gjithë surpriza ka qenë eliminimi i Suedisë nga Ukraina, duke parë se çfarë ndeshjesh ka bërë Suedia në grupin e tyre dhe Ukraina në të sajën.

Anglia është skuadër e ekuilibruar, kanë një ansambël të uritur. I kemi parë momentet kur një shok i skuadrës bën diçka të bukur në lojë dhe sesi ata reagojnë. Unë bazohem shumë tek ndeshja Belgjikë-Itali dhe pas kësaj do të shohim koeficientet. Po shkoi Anglia deri në finale personalisht për mua ata e fitojnë.

Në ndeshjen me Gjermaninë e prisja si nga rezultati dhe nga mënyra e lojës. Anglia në Romë nuk ka pasur asnjë precendentë të mirë, por unë dua një finale Angli-Itali.

De Bryjne me injeksione për të luajtur ndeshjen me Italinë, a mund të ulet rendimenti i tij? Jo, aspak edhe unë kur kam qenë trajner kam pasur lojtarë që janë injektuar me gjilpëra dhe kanë dhënë më të mirën e tyre në fushën e blertë”, përfundoi Mirel Josa.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb