TIRANË

Debate në mbledhjen e sotme të Komisionit Parlamentar për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik ku po raportonte ministrja e Arsimit Evis Kushi. Ajo foli për masat e marra për fillimin e vitit të ri akademik 2021-2022, teksa pati dhe shumë pyetje nga deputetët e opozitës.

Por më pas pati debate, pasi deputetët e opozitës Ina Zhupa dhe Luçiano Boçi i kërkuan ministres të përgjigjej sipas radhës dhe të mos shmangte pyetjet.

Ministrja Kushi u përgjigj se renditjen e pyetjeve e shikonte ajo dhe se do të përgjigjej kur donte ajo.

Në debat u përfshi dhe nënkryetari i komisionit Petro Koçi, i cili debatoi me deputetin e opozitës Luçiano Boçi duke i sugjeruar të mos transferojnë kriza nga jashtë.

DEBATI
Ministrja Kushi: Procesi i vaksinimit të studentëve nuk ka filluar atëherë kur shpallëm javën e vaksinimit masiv. Procesi ka filluar që në verë. Në të gjithë mënyrën se si e shtruat pyetjen, zonja Zhupa mua mu duk sikur ishit kundër procesit të vaksinimit të studentëve dhe ju më thoni pse nuk ia keni kërkuar më herët Komitetit Teknik vaksinimin e studentëve, po ju a ia keni kërkuar si opozitë.

Cili është qëndrimi juaj? Nuk ju dëgjova kurrë që të ndërgjegjësoni studentët që të vaksinohen. Tani, por jo atëherë. Tani ju kur të merrni fjalën flisni. Unë nuk kam dëgjuar asnjëherë nga opozita që të kërkojë vaksinimin masiv të studentëve. Mësimi online në ligj. Renditjen e pyetjeve e shikoj unë, në varësit të…Përqindjen e vaksinimit ua jap unë me tabelë, pse kur të doni ju? Ju gjatë pyetjeve thatë pse nuk na e keni sjellë më parë përqindjen e vaksinimit. Ju kishit rektorët e universiteteve, a i ftuat dhe këtu mund tua kishit kërkuar dhe rektorëve.
(Ndërhyn deputetja Ina Zhupa nga vendi)

Kushi: Tani unë do t’i jap dhe do t’i them. Ju kur të merrni fjalën
Petro Koçi: Vijoni qetësisht dhe mos u ndikoni nga ndërhyrjet.

Luçiano Boçi: Nuk ka pyetje të gabuara. Ju do të jepni përgjigjet thjesht dhe do ta jepni kur ja kërkojnë anëtarët në komision. Ti nuk po e respekton komisionin. Fjalët që përdor dhe intonacionin që përdor nuk janë të denja për një ministër. Unë jam parlamentar, këta janë parlamentarë. Opozita kështu opozita ashtu, vazhdo jep përgjigjen aty sipas radhës.

Kushi: Unë do t’i them siç duhet përgjigjet dhe jo siç doni ju. Radhën nuk e përcaktoni ju. E kuptoj shumë mirë që nuk jeni të informuar për çështje siç ishte akreditimi. E kuptoj që reagoni kështu sepse është e rëndë. Kushdo që të ishte kështu do të reagonte. S’i ka ardhur radha sepse ishte pyetja e tetë.

Petro Koçi: Zonja ministre një sekondë. Zoti Boçi të lutem shumë mos ndërhyni, mos e prisni rregullin e mbledhjes. Zonja Zhupa! Këtu nuk është komision ku transferohen krizat nga jashtë. Ky është komision që ka një rend dite dhe ju duhet ta respektoni atë.

Luçiano Boçi: Ç’punë ke me krizat?
Petro Koçi: S’të marr leje ty unë. A ka mundësi ta qepësh gojën, mos fol pa rregull këtu. Se ju po na provokoni shumë. Ke tre orë që po provokon që kur erdhe po provokon.
Luçiano Boçi: Ti po na provokon!

Petro Koçi: Nuk ka pasur pyetjet konkrete për përqindjet e vaksinimit, ka pasur një kërkesë të përgjithshme lidhur me masat e marra për arsimin e lartë. Kështu nuk përfitoni asgjë. Ju kur arrini të më provokoni dhe mua imagjinoni çfarë niveli e keni arritur provokimin. Mbledhja ka një rend dite dhe nuk i përcaktojmë dot njeri-tjetrit përgjigjet dhe pyetjet.

Kushi: Ju nuk thatë që nuk dini të menaxhoni, ne duhet ta pranojmë këtë, kurse ju nuk duhet të pranoni një të vërtetë që nuk e dinit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb