Gjatë debatit në studion e emisionit “Open” në News24, gazetari Fatos Çoçoli është përplasur me inxhinierin Romeo Nazarko në lidhje me projektin e aksit Qukës-Qafë Plloçë, teksa ky i fundit u shpreh se rruga ka kushtuar shumë herë më shumë se sa duhet.

Sipas Çoçolit jo rrugë financohet deri në kilometrin e 33.8 nga Banka Islamike, dhe deri në kilometrin e 45-të nga fondi saudit, duke theksuar se qeveria paguan vetëm një pjesë rruge më pak se 3 kilometra.

Nga ana tjetër Nazarko është përgjigjur duke thënë se ministria kërkon çdo 6 muaj nga 50 milionë euro për ndërtimin e rrugës duke rritur shpenzimet për të me parat e buxhetit të shtetit.

Nazarko:

Këtu përcaktohet njëherë sa para duhen për një projekt rruge dhe pastaj bëhet projekti, ndërsa gjatë projektit kërkohen sërish para dhe në fund dalin rrugë që nuk justifikojnë paratë që janë shpenzuar. Skema e ndërtimit të rrugëve është korruptive, 5 kompanitë kryesore kanë hapur kompani bija që merren me mbikëqyrjen e punimeve. Dëmi më i madh është se edhe kur harxhohen këto para, për rrugë si Qukës-Qafë Plloçë që janë panoramike, kur mund të shpenzohet edhe për rrugë të tjera që nevojiten. MInsitria kërkon çdo 6 muaj nga 50 milionë euro shtesë për të. Nuk janë rritur kostot aq shumë.

Kemi Milot- Thumanë 48 milionë euro, rrugë me 4 korsi, tani do i bëhet vetëm pjesa e makijazhit dhe llogaritet në 12 milionë për kilometër, ndërsa Lekaj-Fier kemi 320 milionë euro për segmentin, me 80 milionë për kilometër, nuk mund të ketë materiale që ta rrisin vlerën kaq shumë për dy rrugë të njëjta.

Çoçoli:

Projekti Qukës-Qafë Plloçë është financuar nga Banka Islamike deri në 33.8 kilometra, ndoshta kjo bankë i do shumë ato kompanitë bija, qeveria jonë ka vetëm një pjesë më pak se 3 kilometra. Është dhe pjesë e korridorit të tetë, degëzim i saj. Janë rritur kostot që nga viti 2005. Kostot për një rrugë janë punimet e dherave, gërmimet, bazat, shtrimet asfaltike, etj. Këto janë para që duhen hedhur për një rrugë.

(BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb