Analisti Ervis Iljazaj dhe drejtori i zyrës së komunikimit të ish-kryeministrit Sali Berisha, Alfred Lela janë përfshirë në një debat lidhur me çështjen e vulës së PD-së në studion e emisionit “Open”.

Iljazaj ka deklaruar se Lulzim Basha është vetëm një çështje teknike në këtë pikë dhe nuk do marrë pjesë në fushatë, gjë të cilës Lela iu përgjigj duke thënë se firma e tij do veprojë për të fuqizuar persona të tjerë ndërkohë që ai është në Holandë.

Më tej analisti ka thënë se thelbi i gjithë diskutimit është se Berisha nuk e drejton më Partinë Demokratike, teksa Lela tha se me këtë po e “çonte në ekstrem” dhe se po ia bënte të “pamundur të logjikojë”.

Sipas Iljazajt nëse Berisha ka mbështetjen e njerëzve duhet të krijojë një forcë të re politike dhe të hyjë në zgjedhje.

Pjesë nga debati:

Iljazaj: Ju debatin e mbani te Basha dhe Berisha dhe thoni që nëse nuk e ka Berisha nuk e ka njeri tjetër. Unë nuk e mendoj këtë, nuk më intereson kush është kryetar. Më intereson thelbi. Nëse mendoni se historia e PD lidhet me Berishën është mendimi yt. Basha është çështje teknike, nuk do jetë ai në fushatë.

Lela: E dëgjon veten çfarë po thua. Ai nuk do marrë pjesë në fushatë po firma e tij do veprojë për fuqizimin e njerëzve të caktuar ndërsa ai vetë do jetë në Holandë. Firma e tij do ja japë dikujt tjetër të drejtën të bëjë veprime.

Iljazaj: PD-në e drejton Alibeaj.

Lela: Dokumentacioni në KQZ tregon se Basha autorizonte për të bërë veprime të tjerët. Veprimi i Apelit nuk e zhbën vendimin e Zhukrit, e ngrin atë.

Iljazaj: Çështja është rikthyer me themel, ka efekt nul Rithemelimi tani, këtë e di edhe një student i vitit të parë në drejtësi. Berisha nga 6 marsi e këtej, dështoi të bashkojë PD-në, nuk e bashkoi dot grupin parlamentar. Gjykatësi zbaton ligjin, nuk del në dritare të numërojë njerëzit. Ccdo vullnet politik, sado i madh të jetë jashtë ligjit është nul.

Lela: Këta marrin vulën dhe u duket vetja më të rëndësishmit.

Iljazaj: Thelbi është se Berisha nuk e përfaqëson dot PD-në.

Lela: Po kush e përfaqëson?! Po e çon në ekstrem dhe unë e çoj në ekstrem. Ma bën të pamundur të logjikoj.

Iljazaj: A e duan njerëzit? Të krijojë një forcë të tijën politike, çfarë problemi ka logoja. Le të marrë votat nëse ka mbështetjen.

Lela: Njerëzit kanë lidhje me partinë, janë vrarë për partinë.

Iljazaj: Ti krahason një sipërmarrje me PD-në, pra PD është sipërmarrje? E krahasove me një sipërmarrje private partinë.

Lela: Unë thashë që ajo parti ka histori dhe emblemë. Nuk mund të vijë Enkelejdi dhe tu thotë atyre lëreni partinë.

Iljazaj: Jeni dhe i lexuar e kulturuar. Edhe nëse e duan një njeri nuk duhet të rrijë aq shumë vite në krye. Ti thua nëse mundet le ta bëjë.

Lela: Ti e nxjerr nga korniza e ngjarjeve se do ta diskreditosh.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb