TIRANË – Dekania e Fakultetit të Mjekësisë, Mira Rakacolli, ka hedhur poshtë sot, akuzat e drejtuara në media se në konkursin për specializimet në mjekësi janë lejuar edhe kandidatë pa diplomë. Rakacolli nuk e specifikoi se kujt i drejtohej, reagimi i saj, por akuza të tilla u bënë nga ish-ministri i Shëndetësisë dhe deputeti i LSI-së, Petrit Vasili, në studion e “News 24”.

Në emër të Fakultetit, Dekania deklaroi se “në asnjë rast nuk ka patur mjekë aplikues, kandidatë për fitues për shkollat e specializimit afatgjatë në fushat e mjekësisë që të mos ketë patur: diplomën e përfundimit të studimeve në Mjekësinë e Përgjithshme ose Stomatologji, për shkollat ku kërkohej kjo diplomë dhe liçencën e ushtrimit te profesionit në përputhje me aktet rregullatore të këtij procesi.”

Akuzat e Vasilit u bënë dje në rubrikën “Opinion” të “News 24”. Ai tha: “M’u duk absurde të mendoja që njerëz, që nuk kishin dhënë provimin e shtetit, mund të merrnin pjesë në konkurs, sepse ishte një kusht përjashtues shumë i egër. Por u trondita shumë kur në intervistën e dhënë nga Dekania e Fakultetit të Mjekësisë, mësova që ky është një fakt i vërtetë dhe ishte bërë me urdhër të Ministres së Arsimit, e cila nuk ka asnë tagër mbi procesin.”

(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb