Presidenti i Filipineve, Rodrigo Duterte, po mendon të flakë smartfonin e tij, pasi publikisht ka pranuar se ka frikë pasi CIA amerikane po përgjon vazhdimisht bisedat e tij dhe mund të përdorë informacionin e tij privat për ta vrarë atë.

“E di, SHBA po më përgjon. Jam i sigurt se është CIA, dhe ata duan të më vrasin”, tha Duterte në Cebu City të martën, duke ripërsëritur frikën se Uashingtoni mund të kërkojë rrëzimin e tij, pas deklaratave ku ai kërkoi politikë të jashtme të pavarur dhe shprehu gatishmërinë për të marrë armë nga furnizues të tjerë globalë si Rusia.

Për të shmangur ndërhyrjet e mundshme në smartfonë nga fuqitë e jashtme, të cilat Duterte tha se mund të përfshijnë “Rusinë, Kinën, Izraelin dhe ndoshta Indonezinë”, udhëheqësi 73-vjeçar po konsideron të përdor sërish një celular të vjetër, përgjimi i të cilit mund te jetë shumë më i vështirë.

Duterte ka kohë që ka frikë se CIA mund të hakmerret me vrasjen e tij për shkak të përkeqësimit të lidhjeve të ndërsjellta me Uashingtonin. Vetëm të premten e kaluar, Duterte edhe njëherë vuri në dukje se CIA synonte eliminimin e tij duke thënë: “Më donte të vdekur”.

Refuzimi i Uashingtonit për të shitur armë zjarri në Manila, lidhur me shqetësimet rreth të dhënave të të drejtave të njeriut të vendit gjatë luftës së saj të vazhdueshme ndaj drogës, e ka detyruar Duterte të kërkojë furnizues të rinj. Manila, e cila prej kohësh varej nga SHBA për armët, u kthye në Kinë dhe Rusi për të mbushur boshllëkun.

Moska dhe Manila nënshkruan një marrëveshje të bashkëpunimit ushtarak vitin e kaluar, me Rusinë që tashmë ka furnizuar falas mbi 5.000 pushkë Kallashnikov në Filipine, për të ndihmuar në luftën kundër kryengritjes islamike.

Megjithë presionin nga SHBA, qeveria e Duterte po konsideron gjithashtu blerjen e anijeve patrulluese, helikopterëve, automjeteve të blinduara dhe madje edhe nëndetëseve nga Rusia. Të martën, Duterte edhe njëherë mbrojti zgjedhjen e tij për të kërkuar furnizues të rinj të armëve, pasi Ndihmës Sekretari i Mbrojtjes i SHBA për Çështjet e Sigurisë të Azisë dhe Paqësorit Randall Schriver i kërkoi Manilës të mendonte “me shumë kujdes” për pasojat e marrjes së armëve ruse.

“Ju nuk jeni duke blerë vetëm armë, por po investoni në një marrëdhënie”, tha Schriver më herët këtë muaj.

Marrëdhëniet SHBA-Filipine, megjithatë, nuk kanë qenë kurrë të bazuara në respekt të ndërsjellë, theksoi Duterte, duke vënë në dukje dështimin e Uashingtonit për të trajtuar Manilën si një partner të barabartë.

“Marrëdhëniet? Kur paska ekzistuar me të vërtetë një lidhje reciprociteti dhe respekti?”, pyeti me ironi Duterte, duke theksuar se ndërsa Shtetet e Bashkuara vendosin rregulla për të siguruar prej tyre pajisje ushtarake të rinovuara, Kina dhe Rusia ofrojnë furnizime të reja, pa parakushte.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: