TIRANË

Në emisionin ‘Pikat mbi i’, analistët Fatos Lubonja e Artur Zheji komentuan ndër të tjera edhe deklaratat e bëra sot nga kreu i PD, Lulzim Basha dhe ish kryeministri Sali Berisha për Ditën e Rinisë. Analisti Fatos Lubonja i konsideroi premtime boshe, demagogjike deklaratat e tyre sot, ndërsa tha se rithemelim do të thotë demokraci në parti, që s’e ka as njëri as tjetri.

“ Të dy premtojnë rithemelim, edhe basha kur thotë kërkojmë falje nënkupton se kemi bërë gabime që do i korrigjojmë, pra nënkupton rithemelim. Janë premtime boshe demagogjike nga të dyja.
Zgjidhet kjo ditë për të mashtruar këtë popull që kanë kaq kohë që e mashtrojnë. Rithemelimi duhet të fillojë me kërkesë falje nga të dy palët. Rithemelim do të thotë demokraci në parti, që s’e ka as njëri as tjetri. Do të thotë, shkëputja nga një parti oligarkësh për t’u bërë parti e njerëzve dhe këtu do të thotë të shkosh te populli me program bindës, të godasësh sistemin që e ke ndërtuar vetë dhe jo fjalë boshe. Cfarë falje kërkon basha. Apo Berisha që thotë e ka fajin Basha.

Ky kërkon falje e sillet si komunist vetë, me mendësi komuniste dhe deri dje ke qenë bashkë me këtë mentalitet, deri kur doli problemi personal. Këtu mund të gjykohet cila është rruga më e mirë. Por demagogjia që bëjnë këta, është mëse e qartë. Mund të bëjmë një emision si duhet të ishte PD.”- u shpreh Lubonja.

Për Artur Zhejin, falja e kërkuar sot nga kryedemokrati Basha ishte një hap i mirë por jo i mjaftueshëm, pasi sic në momentin kur merr përsipër të kërkon falje, duhet ta nisësh nga vetja.

“ Me të dhënat që unë disponoj, Basha s’ka qenë ndonjëherë anëtar i Partisë së Punës. Në kulmin e konfliktit, kanë kuptuar që ky agresivitet ndaj një personi, ka humbur popullaritet dhe ka zbutur tonet dhe bën ca lojëra fjalësh. Ka preferuar të mbajë një shpoti në komunikimin e Bashës. Shoh te fjalët e Bashës, se nuk ka pisllëk, përputhet me një ajër tjetër. Vjen nga formim kulturor tjetër.

Berisha që tani ka gjetur një kokë turku, pra duke u këputur koka e Bashës ikën e keqja vjen e mira. Sa i përket Bashës dhe asaj metaforës së faljes, është një fillim por jo e mjaftueshme, duhet ta konkretizonte më mirë, për cfarë kërkon falje.

Ka një rregull në momentet e forta politike, PD po kalon një moment të fortë, i padëshirueshëm për ata që e duan PD, në momentin kur merr përsipër të kërkon falje, duhet ta nisësh nga vetja. S’mund të kërkosh falje për gabimet e doktorit. Këtu bashkohem me Lubonjën cdo fillim i madh nis me një ‘mea culpa’. Kur ti kërkon një pendesë të vërtetë mund të jepet një shans për një rifillim të ri. Në këtë moment them se hapi i parë është i mirë, por edhe mënyra si kërkohet te PD duhet ta mësojnë më mirë se si bëhet.”- përfundoi Zheji.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb