Ambasadorja e SHBA, Yuri Kim, ka përshëndetur vendimin e Presidentit Ilir Meta për të dekretuar emërimin e anëtarit të 10 të Gjykatës së Lartë.

Në një postim në “twitter”, kryediplomatja amerikane shkruan se mirëpret bashkëpunimin e vazhdueshëm ndërmjet institucioneve për zbatimin e Reformës në Drejtësi.

“Mirëpresim bashkëpunimin e vazhdueshëm ndërmjet institucioneve për zbatimin e reformës në drejtësi, përfshirë emërimin e sotëm nga Presidenca e gjyqtarit të 10-të në Gjykatën e Lartë. Kjo rrit funksionalitetin e Gjykatës së Lartë, gjithashtu i mundëson të emërojë gjyqtarët për Gjykatën Kushtetuese”, shkruan ambasadorja.

Me dekretimin e sotëm nga Presidenti Ilir Meta të gjyqtares Arbena Ahmeti, Gjykata e Lartë plotëson kështu kushtin ligjor për të pasur më shumë se gjysmën e anëtarëve të saj. Tashmë Gjykata e Lartë mund të votojë për të zgjedhur anëtarët e Kushtetueses të cilët miratohen me tri të pestat e votave të pjesëmarrësve në votim, pra në rastin konkret duhet 6 vota pro.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb