Nga: Darina Tanushi*

TIRANE- Zëvendëskryeministri Niko Peleshi pranon se ligji për dekriminalizimin është një ligj ekstrem dhe jo shumë kushtetues. Por, numri dy i qeverisë shprehet se çdo zyrtar që do të preket nga ligji, do të lerë detyrën e më tej këtë do ta vlerësojnë strukturat e ngritura me këtë ligj. “Unë mendoj që ky është një ligj ekstrem. Mbase situata që ka qenë, e ka merituar një ligj të tillë, por unë mendoj që në fakt ne kemi pranuar të gjithë së bashku të miratojmë një ligj, të cilin duhet ta themi nuk është shumë në respekt të Kushtetutës apo të frymës së saj. Pastaj janë strukturat e tjera të ngritura me ligj, të ngarkuara për verifikimin. Padyshim që çdo zyrtar që do të preket nga ligji, do të duhet të lërë detyrën. Kjo nuk është më çështje e një vullneti politik. Vullneti politik është shprehur përmes votimit në parlament”, – deklaroi Peleshi në një intervistë televizive.

“DREJTËSIA”
Në lidhje me ecurinë e reformës në drejtësi, zv/kryeministri i shikon qëndrimet e fundit të opozitës si një përpëlitje për të bllokuar reformën në drejtësi. “PS ka shprehur vullnetin që reforma të kalojë në konsensus të plotë. Për të disatën herë kryeministri Rama ka përsëritur ftesën e sinqertë. Nuk është çështja që reforma të kthehet në Pazar, por të verifikohen qëndrimet që të mos bëjmë dy hapa para e tri hapa pas”, – deklaroi Peleshi. Ai shtoi se “jemi në fazën finale dhe nuk ka kuptim që të bëhen propozime që do të ndryshojnë themelin e reformës dhe do na bëjnë që të kthehemi disa javë pas”. I pyetur nëse do të ndikojë në ecurinë e negociatave për këtë reformë vendimi i Byrosë së Kuvendit për përjashtimin 10 ditë të ish-kryeministrit Sali Berisha, Peleshi u shpreh: “Vendimi duhet të lexohet si mesazh për të ndryshuar atë çfarë ndodh në Kuvend. Ajo që ndodhi me Berishën në Kuvend është një shfaqje e shëmtuar. Sot në parlament nuk merret vesh për çfarë flitet. Ky vendim i Byrosë duhet të lexohet në mënyrën e duhur dhe të sjellë reflektimin e duhur”, – apeloi Peleshi. Dy ditë më parë, kryeministri Edi Rama i dërgoi një tjetër ftesë kreut të PD-së, Lulzim Basha për dialog në lidhje me reformën në drejtësi, por nga ana e tij, lideri i opozitës tha se ky takim mund të zhvillohet, por pa kushte. “Unë i kam bërë një ftesë Lulzim Bashës, publike, serioze me shkrim dhe kam marrë një refuzim që është në traditën e PD edhe në të shkuarën. Nëse bëhet një ftesë për dialog, besoj që ftesa duhet të jetë e hapur, pa kushte, pa kufi duke i dhënë të drejtën palës që fton që të ngrejë çështje që konsideron më të rëndësishme. Prandaj ftesa mbetet e hapur, koha vrapon, duam së bashku të çelim dyert e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian”, shkroi Rama në ftesën drejtuar Bashës. Ndërsa ky i fundit tha në një intervistë televizive se: “Nëse ata bien dakord për të zbatuar rekomandimet e ‘Venecias’, atëherë janë të mirësepritur për t’u ulur në bisedime në formatin që duan ata për të zgjidhur këto çështjet që na ndajnë”, tha Basha. “Ne duam propozime dhe jo kushte. Nëse dëshirojnë të dialogojnë, që nesër, madje që sot. Formatin le ta zgjedhin vetë, në jemi të hapur për çdo format”, tha ai. Por duket se situata u acarua sërish nga përjashtimi i ish-kryeministrit Sali Berisha nga Kuvendi, pas zhvillimeve të seancës së të enjtes në parlament.
(ma.ar/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: