Nga Ferdinand Samarxhiu, Mjeshter i Madh

Libri “Atdheu në zemrën e klerikëve myslimanë” i autorit Gëzim Abdishahi, imam i xhamisë së Golemit, këshilltar i kryetarit të Komunitetit Mysliman Shqiptar, botim i sh.b “55”, është një kontribut i tij i vyer për të evidentuar patriotizmin e gjithë klerikëve myslimanë shqiptarë, që mbi gjithçka vunë atdheun, si gjënë më të shenjtë.

Libri është një përpjekje serioze, vlerësuese për të evidentuar rrugën e mundimshme e gjithë sakrifica të klerikëve myslimanë në shekuj. Ajo që i bashkon të gjithë ata, pavarësisht kohës, regjimit apo vendit ku kanë jetuar, kanë pasur të përbashkët, përveç përkushtimin ndaj Allahut, besimit, edhe Atdheun. Ky binom i ka shoqëruar gjithë jetën në veprimtarinë e tyre fetare dhe shoqërore. Shpeshherë, për këtë të fundit, Atdheun, ata edhe janë sakrifikuar deri edhe jetën e tyre. Vepra e këtyre klerikëve të shquar si hafiz Ibrahim Dalliu, haxhi Vehbi Dibra, hoxhë Hasan Vogli, haxhi Vehbi Dibra, hoxhë Kadri Prishtina, hafiz Ali Korça, hafiz Ali Kraja, hafiz Sabri Koçi etj. etj., janë manuale, almanakë e udhërrëfyes të dashurisë për atdheun, vepra të shkruara me gjak e sakrifica ndër shekuj. Ky libër nuk është thjesht një vlerësim, por edhe homazh për ta, për fenë dhe kontributin e tyre. Këta klerikë ditën të mbajnë gjallë shpresën, të thurnin ëndrra të bukura, të ndërtonin një të ardhme me ngjyra.. Fjalët dhe vepra e tyre ishte një diamant që shkëlqen edhe sot e na ndriçon në udhën drejt së ardhmes.

Si në botime të ndryshme, jo bardh e zi si dikur, në bazë të fakteve dhe dokumenteve të nxjerra vitet e fundit nga arkivat osmane, autori nënvizon idenë se kanë evidentuar një gjë thelbësore që islami nuk u përhap me dhunë, por erdhi si një zhvillim logjik në Ballkan e në Shqipëri. Duhet të kemi parasysh kohën. Gjithçka duhet të gjykohet në kohë e në hapësirë. Janë një sërë klerikësh të shquar myslimanë, të cilët i kam rreshtuar në libër, të cilët përfituan nga islami, e u shfaqën hapur si mbrojtës të flakët të atdheut, kundër shovinistëve grekë e sllavë.

Nuk kemi të bëjmë me një libër fetar, i mirëfilltë, pasi të tillë ka plot dhe se lexuesi i këtij niveli nuk ka shumë nevojë për t’u qartësuar mbi udhën e myslimanit në shekuj. Ky është një libër për të gjitha moshat, për të rinj e të vjetër, për besimtarë dhe ateistë, për myslimanë e të krishterë. Më së shumti ky libër është pikërisht për brezin e ri. Të rinjtë në këtë libër duhet të shikojnë pikërisht kontributin e tyre, të cilët edhe kur u gjendën para pushkatimit, apo në qelitë e errëta, thanë: “Rroftë Shqipëria!”. Pra, ne sot mund të ndërtojmë sa të duam xhami e objekte kulti, por po nuk ndërtuam ura shpirtërore që bëjnë lidhjet mes brezave, nuk kemi asgjë në terezi. Ky libër është pikërisht një urë, një dritare për të parë të kaluarën.

Ky libër është një thirrje, një vlerësim, një sensibilizim, një apel, një vlerësim për ato elita të çmuara që nuk kthehen më, që Atdheun e vendosën mbi gjithçka dhe besimin e kishin po aq të shenjtë sa edhe atdheu i tyre.

Gëzim Abdishahi ka kryer studimet e larta në Medie në Arabinë Saudite. Ai shërben sot si imam në xhaminë e Golemit dhe njëherësh mban edhe postin e këshilltarit të kreut të KMSH. Ky është libri i tij i parë, pas një sërë artikujsh në shtypin e shqiptar.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: