Emisioni investigativ Vetting në News24
Ish-Drejtori i Burgjeve ka firmosur një tender mbi 200 mijë Euro për fruta perime, reçel dhe erëza për të dënuarit. Objekti i tenderit cilësohet për nevoja emergjente aq sa me urgjencë u detyrua të realizojë një tender me negocim, pa njoftim pa shpallje të njoftimit të kontratës i ndarë në dy lote.
Në garë morën pjesë dy kompani, por është skualifikuar “GEA” dhe fitues është shpallur “DAJTI PARK 2007” që është në pronësi të Lulzim Qefalisë, vëllait të deputetit socialist Xhemal Qefalia.
Është e njëjta kompani që pak javë më parë ka fituar një tjetër tender me 700 milionë lekë për zgjerimin e hapësirës së varrezave publike në Tufinë.
Tendera për sigurinë, por siguri në burgje nuk ka – kamerat dhe skaneri jashtë funksionit, “avullojnë” mbi 13 miliardë lekë
Sokol Mjacaj, i dënuar përjetë për krime të rënda, qëllon me një pistoletë me mulli në ambientet e burgut dy të burgosur të tjerë. Një i vdekur dhe një i plagosur. Arben Lleshi, objektivi i Mjacajt, ka humbur jetën menjëherë, ndërsa Indrit Shaqja mbetet i plagosur, duke qenë edhe dëshmitari kryesor i asaj çfarë ndodhi.
.Arma, e futur mbi dy javë përpara ngjarjes në qelinë e Mjacajt, kthehet në strumbullarin që fut në qeli të gjithë ekipin drejtues të Burgut të Peqinit, të cilët deri atë ditë kishin detyrë ta mbikëqyrnin Mjacajn dhe shokët e tij.
Nga hetimi i parë rezulton se kamerat nuk pononin. As skaneri nga ku kalon gjithçka drejt qelive të privuarve nga liria nuk funksionon, duke ngritur mjaft pyetje për sigurinë sot në burgje.
Përse dështoi siguria në burgun e Peqinit?
Në tetor 2022, u shpall dhe një tender me objekt “Mirëmbajtja e sistemit të sigurisë në 18 Institucione të Ekzekutimeve të Vendimeve Penale”, në interes të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë. Tenderi ishte në vijim të vendimit që kish marrë qeveria në vitin 2918 për të siguruar monitorim me kamera sigurie 24 orë në ditë për të gjitha Institucionet e Ekzekutimit të Vendimit Penal. Vlera e tenderit ishte 611 milionë lekë, dhe me anë të tij synohej që burgjet të monitoroheshin me kamera sigurie. Mes këtyre institucioneve ishte dhe burgu në Peqin, ku ndodhi dhe ngjarja e rëndë.
Por vrasja e Arben Lleshit nga Mjacaj me një armë të futur në ambientet e burgut të sigurisë së lartë ngriti disa pyetje njëra pas tjetrës:
Cili ishte porositësi i kësaj vrasjeje dhe a u sabotua vëzhgimi në Peqin? A kishte dështuar garantimi i burgjeve me elementet e sigurisë që kishte paralajmëruar qeveria? A kishte korrupsion në tenderin për vendosjen e elementeve të sigurisë në këtë burg?
Kontrata e firmosur në 19 dhjetor të vitit 2023 parashikonte se shoqëritë do të mirëmbanin sistemin e sigurisë në burgje, përfshirë kamerat e sigurisë në kushte optimale pune 24 orë në 7 ditë.
Tenderi i shpallur në fund të vitit të kaluar dhe kohëzgjatja ishte për 24 muaj. Në vendosjen e elementeve të rinj të sigurisë parashikohej përmirësimi i mëtejshëm i sistemit, përfshirë zëvendësimin e kamerave që mund të ishin amortizuar apo kishin dalë jashtë funksionit.
Advanced Business Solutions është kompania e parë e denoncuar dhe akuzuar publikisht si kompani e oborrit kryeministror nga opozita. ADVANCED BUSINESS SOLUTIONS –ABS sh.p.k”, ka si aksioner kryesor Gerond Meçen. Kjo kompani gjatë katër viteve të fundit ka përfituar nga buxheti i shtetit plot 13 miliardë lekë.
E dyta kompani, Albascan, është një firmë e cila në vetëm pak vite u shndërrua në “grosiste” e fondeve publike. Kontrata u lidh edhe me kompanitë”, “REAL COM”, e cila në shumicën e rasteve del në tendera me flamur të kuq. Kjo për faktin se sa herë fiton kjo kompani operatorët e tjerë konkurrues skualifikohen.
Ndërsa kompania e katërt në bashkim kopanish është subjekti CSP, i cili në vitin 2018 kishte dalë me minus në bilance, ndonëse deri në vitin 2021 ajo ka arritur të dalë me fitime të larta, siç ka raportuar në QKB. Ndërsa për vitet 2022, 2023, kjo firmë nuk ka asnjë të dhënë rreth transaksioneve të saj. Tashmë që në burgjet shqiptare hyjnë armë apo lëndë narkotike dhe kamerat nuk punojnë, pikëpyetjet janë edhe për mënyrën se si është menaxhuar sektori i sigurisë në burgje dhe përse kamerat dhe skaneri në burgun e Peqinit prej kohësh kanë qenë black out.
“Mungesa e kekesës së llogarisë , largimet e panumërta kanë bërë që të bjerë siguria e institucioneve të burgut. Problemi në Peqinë niste nga mungesa në organikën e punonjësve, elementet e sigurisë dhe ajo që ishte më e rëndësishme ishte se i mungonin kamerat dhe skaneri. Këto elemente ishin bërë të mundur që siguria të cedonte”, shprehet Faik Basha, ish-drejtues i policisë.
Hetimet kanë konfirmuar se, në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar të gjitha serverat e kamerave të brendshme dhe të jashtme të burgut si edhe librat e shërbimeve të punonjësve për të kuptuar a janë raportuar në kohë defektet si edhe a kanë mbajtur përgjegjësi kompanitë sipas kontratës. Por, deri në transmetimin e këtij emisioni nuk ka asnjë të dhënë lidhur me përgjegjësinë e këtyre tenderave, përveç shkarkimit dhe prangosjes së drejtorit dhe stafit që ishte në shërbim.
Dan Hutra “teston” sigurinë në burgje
Ende pa u shuar jehona e vrasjes në burgun e Peqinit, viti 2024 nisi me një tentativë arratisje në burgun e Fierit. Koka e organizimit të arratisjes u tha se ishte Dan Hutra, vrasësi i 3 grave, i cili në këtë tentativë kishte edhe 3 të dënuar të tjerë- Martin Kapllanin, Geraldo Veizin dhe Feti Kovaçin. Mjetet prerëse me të cilat janë sharruar hekurat e burgut ishin futur sërish brenda qelive duke rikthyer pikëpyetjet rreth nivelit të sigurisë në burgje dhe cilësisë së pajisjeve që ishin blerë për të krijuar këtë siguri.
Por, më 13 mars të vitit 2024, drejtori i përgjithshëm shkarkohet. Pas tij u emërua Klevis Qose, ndërkohë që çështjet e ngritura, madje nën alarm të fortë politik dhe mediatik, duket se janë shuar. Madje, ministri Manja, u angazhua fort për amnistinë, por ende nuk ka dhënë një konkluzion për pasigurinë në këtë sektor, duke lënë pezull si çështjen e sigurisë ashtu edhe atë të cilësisë së pajisjeve të blera për këtë sektor.
Tenderat e “Burgjeve” me marrëveshje “xhentëlmenësh”
Edhe pse të dënuarve iu mungojnë barnat, mjekët, energji elektrike, pagesat orëve të punë, Drejtoria e burgjeve nuk harron asnjëherë të çelë fonde për tendera të ndryshme. Kështu, një tender i shpallur më datë 14.07.2023 për blerje të pajisjeve mjekësore ngriti dyshime se kjo garë ishte paracaktuar me marrëveshje “xhentelmenësh”, pasi gjithçka e shkruar në fillim u kërkua të rishkruhej.
Firma që kërkoi rishikimin e kritereve nuk kishte kapacitete ekonomike për të marrë tenderin, por në ankimimin në KPP ajo kërkon pagesë më të lartë, pra më shumë se 50 milionë lekë. Dhe në një vendim nga KPP kriteret janë pranuar pjesërisht duke zgjatur afatet nga 30 në 40 ditë dhe duke mos pranuar të rritet pagesa.
Situata nis e bëhet e dyshimtë në momentin që kontrollojmë të dhënat e firmës që ka ankimuar tenderin. Kompania “Redeon” rezulton se nuk ka kapacitete financiare për të përfituar tendera pasi, sipas dokumenteve standarde të tenderave, duhet bilanci i 3 viteve, ndërkohë kjo kompani ka vetëm 2 vite në treg pra nuk plotëson kriteret ekonomikë.
Në njoftim fituesi të këtij tenderi me rregulla të rinj dhe numër reference të ri rezulton se 50 milionë lekë i përfiton kompania “Farma Net”.
Sokol Topçia merr në dorë tenderin për të burgosurit duke i pajisur me oksimetër, frigorifer për ruajtjen e barnave, kiteve, krevat për kufizim fizik dhe këmishë force që ndihmon në kontrollin e pacientëve të vështirë ose të paparashikueshëm gjatë transportit.
Këtu ngrihet një pikëpyetje: Përse kompania “Redeon”, me seli në Tepelenë, pranoi të bëhej shtysë për ndryshime për të cilat edhe nëse do ndodhnin sërish nuk do t’i plotësonte kriteret standarde?
Përse kjo kompani kërkoi ndryshimet e kritereve ndërkohë që nuk i plotësonte as ekonomikisht kushtet?
Nëse donte medoemos që ta fitonte këtë tender përse nuk u fut më pas në garë?
Kush është përfituesi i këtij tenderi?
Sokol Topçia është përfitues i shumë tendrave madje mund të kishte vazhduar të ishte i suksesshëm edhe në këtë biznes. Por hovin ia preu policia i cila i vendosi prangat pas aksionit ‘Përfitimi’, ku u akuzua për vepra penale në fushën e farmaceutikës. Blutë e Tiranës bënë me dije se personat e arrestuar gjatë periudhës së pandemisë kishin rritur disa fish çmimet e medikamenteve duke i shkaktuar një dëm të madh ekonomik shtetit.
85% e tenderave pa garë
Dyshimet për fitues tenderash pa garë i fakton edhe një raport i Kontrollit të Lart të Shtetit i cili ka konstatuar një sërë shkeljesh e abuzimesh në auditimin e realizuar në drejtorinë e burgjeve. 85% e procedurave tenderuese janë zhvilluar pa garë. Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, ka zhvilluar procedura prokurimi në vlerën totale prej 182,3 milionë lekë, nga të cilat procedurat me “negocim pa shpallje” kapin vlerën 155,3 milionë lekë.
Procedurat “negocim pa shpallje” janë parashikuar të kryhen në situata emergjente dhe si të tilla mbartin përherë risqe që në kushte të afateve tejet të shkurtra, për llogaritjen e fondit limit, për vendosjen e kritereve, për hartimin e kontratave deri në përzgjedhjen e operatorit fitues.
Nga auditimi i KLSH rezultoi se, në strukturën e Drejtorisë së Burgjeve, nuk janë planifikuar struktura prokuruese apo aplikuar struktura monitoruese për zbatimin e kontratatave.
Shkeljet janë konstatuar edhe në blerjen e medikamenteve nga ky institucion. Por përtej emrave konkretë, problemi lidhet me administrimin e parave publike. Tenderat janë një dosje e nxehtë e cila tashmë është edhe dosja më e fortë në duart e prokurorëve.
“Gjithë debati është garë apo jo çmim i lirë apo jo. Blihet mall me qëllim për cilësi dhe çmim të mirë. Por ligji i ri i prokurimeve nuk është favorizues. Buxheti i shtetit kalon një sasi parash të mëdha në gjendje emergjence pra jo transparence kjo e ka shkatëruar sistemin. Arsyeja që nuk ka garë është se vidhet në “emergjencë”, krijon xhepa për abuzime. Ligji që ka qenë me i qartë me garën dhe çmimin në tregë. Sot këto kritere nuk i kemi”, thotë ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani.