Partizani ndodhet në Antalya të Turqisë aty ku po zhvillon fazën përgatitore të dimrit me shpresën për tu rikthyer të luftojë për vendet më të larta të Superligës. Ndërkohë, presidenti i të kuqve, Gaz Demi, në një intervistë për top chanel ka prekur çështje nevralgjike të ekipit që drejton si dhe ka komentuar zgjedhjet e reja në federatë.

Gaz Demi: Në këto vitet e mia kjo është situata më e turpshme për Partizanin dhe më e vështirë. Megjithatë mendojmë sikur tani jemi futur në shina për të rikuperuar kohën e humbur.

Partizani për këtë 6-mujor të parë, ka shpenzuar rreth 500 mijë euro, më shumë se kushdo klub, skarcime lojtarësh të marrë në merkaton e verës, apo edhe lëvizje në stafeve drejtuese. Por më shumë se paratë e humbura, presidenti Demi ka një tjetër peng, humbja e thellë 5-0 nga Luftëtari në Gjirokastër.

Gaz Demi: Ndeshja e Gjirokastrës është maskaradë, edhe sot kur e kujtoj nuk di çfarë të them. Nuk mund të them nëse ka patur poshtërsi apo jo, se pa fakte nuk mund të flas. Për zërat që kam dëgjuar në ka vërtetësira, sot jemi në një kohë ku kontrollohet e verifikohet gjithçka. Dmth atë ditë ishte një skuadër pa karakter, sot kur e kujtoj më vjen turp.

Partizani mbetet ende në pritje për të marrë titullin e sezonit 2015-2016 që ju hoq Skënderbeut.

Gaz Demi: Titulli nuk mund të rri në sirtarin e federatës. Duhet ta marrë vendi pasardhës. Aq më tepër që ne u përfaqësuam nga UEFA jo nga federata, në Champions League.

Më 7 shkurt do të zhvillohet Asambleja Zgjedhore e Federatës Shqiptare të Futbollit, ku do të votohet për organet drejtuese të FSHF-s, nga presidenti deri tek komiteti ekzekutiv. Por për momentin ende nuk ka asnjë kandidaturë zyrtare.

Gaz Demi: Ne si Partizan nuk kemi asnjë kandidaturë. Por do të shohim cilët do të jenë kandidatët dhe unë e kam thënë edhe herë të tjera, do të shoh dhe do të votoj për platformën më të mirë për futbollin shqiptar kushdo që të jetë, ky president që është apo ndonjë kandidat tjetër.

Në mungesë të zyrtarizimit të kandidaturave, presidenti i Partizanit Demi e përjashton veten e tij, për shumë arsye.

Gaz Demi: Më kanë thënë edhe më parë disa miq të mi që të kandidoja për president, dikur s’kisha lidhje me futbollin fare. Por nuk mund të kandidoj edhe pse kam shumë dëshirë të bëj gjëra të mira për vendin tim. Tani kam edhe konflikt interesi, pastaj edhe presidenti aktual është shumë i fortë, vështirë të mundet.

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb