Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, znj. Anila Denaj, mori pjesë në Samitin e Grave të Biznesit “Takimi i Rrjetit të Grave Profesioniste të Diasporës”, organizuar nga Fondi Shqiptar për Zhvillimin e Diasporës, në bashkëpunim me Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë dhe nën kujdesin e veçantë të Ministrit të Shtetit për Diasporën.

Të pranishëm në këtë aktivitet ishin dhe Ministri i Shtetit për Diasporën, z. Pandeli Majko, dhe Ministri i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, z. Eduart Shalsi.

Në fjalën e saj, Ministrja Anila Denaj bëri një përmbledhje të përgjithshme të përfshirjes së gruas në sipërmarrje dhe në politikëbërje, duke vënë theksin,  në vëmendjen e shtuar të qeverisë shqiptare për të ulur hendekun gjinor në fusha të ndryshme, luftuar pabarazinë gjinore dhe rritur numrin e grave sipërmarrëse.  Ministrja theksoi faktin se në vitet e fundit buxhetimi me bazë gjinore ka qenë një element i shtuar, ku në Buxhetin Afatmesëm 2018-2020, 1/3 e programeve ose 28 prej tyre kanë qenë të tilla, ndërkohë në Buxhetin Afatmesëm 2019-2021 kjo shifër ka shkuar në 33, ose 50% të të gjitha programeve buxhetore të Ministrive të Linjës.

Sipas të dhënave, 32.7 miliardë lekë ose 6.3% të buxhetit të përgjithshëm kanë qënë fondet buxhetore të Buxhetit të përgjegjësisë gjinore për vitin 2019, krahasuar me 15 miliardë lekë (2.4% të buxhetit të përgjithshëm) të planifikuara për t’u shpenzuar në 2018. Po ashtu, në programin buxhetor 2020-2022 do të ketë 36 programe buxhetore për të mbyllur në mënyrë specifike boshllëqet gjinore ose për të përparuar barazinë gjinore.

“Si Ministre e Financave dhe Ekonomisë do të përpiqem përherë që programet buxhetore të marrim një vëmendje më të shtuar. Sigurisht që kjo është pjesë e politikave dhe jo vetëm e një ministrie, por jap kështu garancinë që vëmendja e qeverisë dhe e Kryeministrit Rama është shumë e thelluar drejt kësaj barazie dhe në veçanti drejt fuqizimit të gruas në të gjithë komponentët e saj dhe atë të sipërmarrjes”, tha znj. Denaj.

Fjala e Ministres Denaj:

I nderuar z. Majko,

I nderuar z. Shalsi,

Të nderuar pjesëmarrës nga Diaspora dhe brenda kufijve të Shqipërisë dhe jashtë saj,

Të nderuar përfaqësues të dhomave të tregtisë që jeni sot këtu me ne.

Në fakt, z. Majko e bëri një fjalë përshëndetëse dhe nuk do të doja të bija në përsëritje, por nuk mund t’i rezistoj tundimit për të përshëndetur të gjitha gratë pjesëmarrëse sot dhe ato që nuk janë, por që na përfaqësojnë denjësisht në të gjithë përditësinë tonë, në një rrugëtim jo të lehtë në këto 30 vitet e fundit, të cilat përtej shifrës që z. Majko përmendi, 30% në shifra statistikore, shifër që mund të jetë e vogël, kanë bërë një rrugëtim të gjatë për të arritur në këtë shifër. Një falënderim i veçantë i shkon atyre për këtë rrugëtim.

Ky rrugëtim nuk duhet të vijë më me kosto, pasi duhet të jetë një kosto sa më shumë e reduktuar në mënyrë që jo vetëm përqindja të rritet në përfaqësimin në sipërmarrje, por edhe procesi për të arritur këtë përqindje të jetë sa më i reduktuar dhe sa më i lehtësuar.

Vizioni i Strategjisë së Barazisë Gjinore 2016-2020, i cili synon një shoqëri që vlerëson barazinë gjinore si kusht të domosdoshëm drejt zhvillimit të qëndrueshëm dhe që synon drejt tolerancës zero kundër dhunës me bazë gjinore e dhunës në familje, nuk është vetëm një demagogji dhe më lejoni që gjatë fjalës sime të përmend disa nga elementët të cilët, brenda kësaj strategjie, jemi munduar t’i adresojmë me politika, që janë vetëm një pjesë e saj dhe një politikë më e gjerë e më gjithëpërfshirëse parashikohet në vijim.

Do ta nisja nga përfaqësimi në qeveri me një numër jo të vogël dhe të konsiderueshëm të zonjave ministre, numër që kalon 50%, por edhe të numrit të zonjave që përfaqësojnë gjininë në Parlament. Mendoj që në këtë kuadër përfaqësimi është një fakt konkret dhe është në nivelet më të larta të politikëbërjes dhe Shqipëria është një nga vendet që, edhe në renditjen më të fundit, ka treguar se ka qenë një stimul edhe për vende të tjera në rajon e më gjerë.

Jemi renditur në 5 vendet më të ekuilibruara në botë përsa i përket përbërjes së kabinetit qeveritar, me 53.3% gra në pozita ministrore dhe 29.0% gra anëtare të Parlamentit.

Gjithashtu, kemi shndërruar në prioritet themelor edhe promovimin dhe nxitjen e një kulture të sipërmarrjes. Janë 15 781 biznese të regjistruara në vitin 2019, ku 5089 ose 32% e tyre administrohen nga zonja, 30% e tyre kanë aksionere gra.

Ndërmarrja e masave në drejtim të sektorit privat synon krijimin e një mjedisi nxitës për gruan sipërmarrëse nëpërmjet:

krijimit të një rrjeti të fuqizuar të aktorëve në mbështetje të gruas sipërmarrëse dhe rritjen e kapaciteteve të drejtueseve gra;

rritjen e numrit të sipërmarrjeve femërore;

rritjen e aksesit në financë të sipërmarrjeve femërore.

Më lejoni t’ju informoj se dje kam firmosur në Vienë, së bashku me përfaqësuesen rajonale të Bankës Botërore, një nga dy kontratat e kredisë të cilat do të ndihmojnë, në veçanti Ministrinë e Financave, por edhe politikëbërjen, për të rritur përfaqësimin e grave ndaj pronës dhe sigurisht është një hap shumë i rëndësishëm për ta bërë gruan jo vetëm sipërmarrëse në aksione, por edhe për aksesin në financë, për të hyrë në tregje të caktuara kapitali dhe për të rritur zërin e saj në kontekst të sipërmarrjes.

Kjo kredi kompozohet nga dy pjesë, ajo e Bankës Botërore që nëpërmjet institucionit të saj financiar konsiston në 9.1 milionë euro, por edhe nëpërmjet Agjencisë Franceze të Zhvillimit, e cila ka një komponent më të shtuar në vlerë monetare, dhe të dyja së bashku do të ndihmojnë aksesin në pronësi, e më pas aksesin në financë të gruas, e për të çuar këtë sipërmarrje në nivele edhe më të larta përfaqësimi.

Kështu që, unë gjej rastin të falënderoj bashkëpunëtorët tanë të cilët në politikëbërje na kanë ndihmuar jo vetëm me kredi, por edhe me asistencë teknike për të çuar përpara këto procese.

Gjithashtu, gjej rastin të falënderoj edhe donatorët e tjerë, si BERZH, Kooperacioni Italian UNDP, UN Ëomen, GIZ, të cilët na vazhdimësi mbështesin sipërmarrësit dhe kanë ndjeshmëri të shtuar ndaj grave sipërmarrëse edhe në aspekte të tjera, duke filluar nga trajnimet në momentet e fillimit të një biznesi, por edhe në rritjen e aftësive profesionale të punonjësve në çdo ndërmarrje, sigurisht me drejtuese femra me më shumë fokus se sa të tjerat.

Hendeku gjinor i pagave në Shqipëri është një element për tu adresuar, i cili shkon në 10.5%. Kjo shifër është më e ulëta në krahasim me vendet e tjera të rajonit. Megjithatë, si Ministre e Financave më duhet të jem pak kritike me këtë shifër. Të flasim për hendek gjinor të pagave në 10.5% është një shifër shumë e mirë. Ndoshta vende të tjera edhe më të zhvilluara e kanë më të lartë dhe kjo është një sfidë që e ballafaqon shpesh pabarazinë gjinore në rezultate. Ne nuk duhet të na bëjë shumë të kënaqur kjo përqindje, duke menduar pjesën e punësimit gri dhe prandaj nuk jam shumë optimiste për të thënë që jemi ndër vendet më të para, me një hendek kaq të vogël sot. Kjo pasi unë besoj se, në raport edhe me eksperiencën e vitit të shkuar me antiinformalitetin dhe mbi të gjitha me luftën ndaj pagesës jo të pastër, në informalitetin gri, shifra 10.5% është jo e saktë e duhet të jetë më shumë dhe ne duhet që në mënyrë të vazhdueshme të luftojmë informalitetin e njëkohësisht dhe pabarazinë gjinore që ky indeks të jetë vërtet 10.5% ose më i ulët në vitet në vijim.

Ky hendek është më i theksuar në industrinë nxjerrëse dhe përpunuese, energjinë elektrike etj., ku për këtë grup veprimtarish ekonomike hendeku gjinor i pagave arrin deri në 35.3%. Këtu flasim për shifra shqetësuese sepse një diferencë pagash mes dy gjinive në masën e 35.3% është e lartë.

Pse i themi këto shifra? Sepse ky është një realitet i dhimbshëm dhe duhet adresuar me të gjitha politikat, jo vetëm me pjesën administrative, por edhe me politikat nxitëse dhe ne humbim çdo vit 20% të Produktit të Brendshëm Bruto për frymë nga kjo pabarazi dhe forca e gruas në ekonomi është e markuar sot dhe ky 20% humbje e PBB për frymë është një element statistikor i vitit 2019. Detyrimisht, nëse flasim për këto shifra, vendoset përpara politikëbërjes një objektiv shumë më i shtuar se si duhet të adresohet, si pjesa e pabarazisë gjinore, ashtu edhe pjesa e adresimit të incentivave për të eleminuar këtë pabarazi dhe këtë hendek, siç e thashë pak më lart.

Ndërkohë, sipas Forumit Ekonomik Botëror, hendeku në arsim është reduktuar në masë në Shqipëri, me një rezultat prej 0.99 në arsim dhe 0.98 në shëndetësi. Këto janë dy tregues që tregojnë se si në raport me arsimimin, ashtu edhe në raport me shëndetësinë, hendeku është aq minimal sa që shërbimi është në një barazi të plotë gjinore, nëse mund ta adresojmë të tillë këtë tregues.

Megjithatë, kjo nuk duhet të na bëjë domosdoshmërisht të ndihemi të qetë sepse sfidat në zhvillime të ndryshme, edhe demografike, mund të na çojnë në elementë të thellimit të hendeqeve.

Një element shumë i rëndësishëm lidhet me arsimin profesional dhe më lejoni të theksoj që pjesa e arsimit profesional akoma nuk ka mar drejtimin e duhur në raport edhe me barazinë gjinore. Ka shumë në arsimin profesional që i atribuohet gjinisë që nuk është gjinia femërore dhe besojmë se kjo mund të vijë për arsye ndoshta mentaliteti, ndoshta nevoje, ndoshta pamundësia.

Megjithatë, unë do të doja që në këtë forum të adresoja pjesën e arsimit profesional, sepse tregu i punës sot po shkon drejt nevojës së punësimit të personave të arsimuar nga arsimi profesional dhe arsimi profesional në katër vitet e fundit ka ridimensionuar edhe vetveten. Nuk po flas këtu vetëm për 35 shkollat që ne kemi sot për arsimin profesional, por po flas për numrin e personave që në vitet e fundit kanë ndjekur arsimin profesional, i cili nga viti 2014 që ka qenë në nivelin e 14.900 persona që ndjekin arsimin profesional, në shifrat e fundit të vitit 2018 ky numër ka qenë gati 20 mijë dhe kjo rritje në katër vite është e rëndësishme për tu theksuar. Gjithashtu, është e rëndësishme për të vendosur në fokus që arsimi profesional, për atë treg pune që kërkon arsimi profesional, të rritet dhe të ridimensionohet. Pse? Sepse investimet e huaja direkte në Shqipëri hyjnë në disa sektorë të cilët kërkojnë arsimin profesional për punësim dhe kërkojnë gjininë femërore, për arsye nga më të ndryshme. Kur flasim për shifrat, ato janë të tilla që pjesa e punësimit në nivelin e industrive të tjera, ato të përpunimit, të tekstileve, ose industrinë fason, kryesisht kanë një gjini të caktuar dhe është ajo femërore dhe nevoja për arsimim profesional është më e shtuar.

Prandaj unë do të doja nëpërmjet të gjitha formave të ndryshme, qoftë nëpërmjet grave sipërmarrëse që janë këtu apo dhomave të biznesit, vëmendja për ta çuar arsimin profesional te biznesi është dhe duhet të jetë e shtuar. Ne si qeveri apo ministritë përkatëse, ku ministria që unë përfaqësoj ka një komponent shumë të rëndësishëm, atë të arsimit profesional dhe tregun e punës, duhet të bëjmë akoma më shumë për t’i bashkuar këto dy elementë, ofertën dhe kërkesën në mënyrë që të arrijmë në kohë sa më optimale përputhshmërinë e tyre aty ku duhet dhe duke luftuar dhe për një rritje të pagave dhe barazinë e pagave ne mendojmë që mund të mbështesim e të fuqizojmë këtë sektor në veçanti.

Në nivel qendror, mbështetja gjinore vjen prej buxhetimit gjinor të programeve. Më lejoni të ndalem pak këtu pasi në vitet e fundit, edhe me ndihmën e donatorëve të ndryshëm, është fokusuar vëmendja drejt buxhetimit në bazë gjinore dhe ky është një element i shtuar në vitet e fundit ku ne dhe në raportet që paraqesim në aspekt buxhetimi e adresojmë në mënyrë të vazhdueshme.

Në Buxhetin Afatmesëm 2018-2020, 1/3 e programeve ose 28 prej tyre kanë qenë të tilla. Ndërkohë në Buxhetin Afatmesëm 2019-2021, kjo shifër ka shkuar në 33, ose 50% të të gjitha programeve buxhetore të Ministrive të Linjës.

32.7 miliardë lekë ose 6.3% të buxhetit të përgjithshëm kanë qënë fondet buxhetore të Buxhetit të përgjegjësisë gjinore për vitin 2019, krahasuar me 15 miliardë lekë (2.4% të buxhetit të përgjithshëm) të planifikuara për t’u shpenzuar në 2018. Në programin buxhetor 2020-2022 do të kemi 36 programe buxhetore për të mbyllur në mënyrë specifike boshllëqet gjinore ose për të përparuar barazinë gjinore.

Së fundmi dhe për të dëshmuar edhe më tej angazhimin tonë në këtë proces, unë do të nxisja në vijim vëmendjen tuaj ndaj disa proceseve që së bashku me Ministrin Shalsi ne kemi filluar të angazhojmë ekipet tona drejt proceseve të start up-it, me një ligj të posaçëm që do të adresojë nevojat për start up, pasi do të donim që dhe këtu vëmendja të shkonte drejt një promovimi më të madh të të gjithë produkteve që në të ardhmen mund të zhvillohen edhe me bazë gjinie.

Si Ministre e Financave dhe Ekonomisë do të përpiqem përherë që programet buxhetore të marrim një vëmendje më të shtuar. Sigurisht që kjo është pjesë e politikave dhe jo vetëm e një ministrie, por jap kështu garancinë që vëmendja e qeverisë dhe e Kryeministrit Rama është shumë e thelluar drejt kësaj barazie dhe në veçanti drejt fuqizimit të gruas në të gjithë komponentët e saj dhe atë të sipërmarrjes.

Ky samit në fakt është një dëshmi e saj dhe rrjeti që Ministri Majko ka krijuar për të gjithë fokusin e diasporës, por në veçanti dhe për gratë në biznes dhe për rritjen e sipërmarrjes së tyre në të ardhmen, tregon një vëmendje të qartë të qeverisë dhe të vetë strukturave që do të ketë jo vetëm vëmendje, por të ketë edhe produkte sa më të vlefshme për ju dhe për gjithë ekonominë në Shqipëri në veçanti.

Suksese dhe diskutime të frytshme në këtë samit.

 

Faleminderit.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb