“Ne jemi të vendosur të promovojmë bashkëpunimin tonë në fusha të ndryshme me interes të përbashkët dhe të zgjidhim çështjet e pazgjidhura në bazë të së drejtës ndërkombëtare”, tha ministri i Jashtëm Nikos Dendias në mesazhin e tij të urimit për përvjetorin e pavarësisë së Shqipërisë.

“Ne jemi të gatshëm të ndihmojmë Shqipërinë në çdo mënyrë, për të bërë progres të shpejtë në rrugën e anëtarësimit të saj”, shtoi ai në mënyrë karakteristike, ndërsa përgëzoi vendin për progresin e rëndësishëm të bërë në vitin 2022 në perspektivën e tij europiane.

Zoti Dendias kujtoi se do të presë homologun e tij shqiptar në Athinë të premten e ardhshme, ndërsa do të shoqërojë kryeministrin në vizitën e tij në Shqipëri më 6 dhjetor- “vizitë kjo që do të bëhet me rastin e Samitit të parë BE-Ballkani Perëndimor që do të zhvillohet në një vend kandidat të rajonit”.

“Populli grek dhe shqiptar janë të lidhur me lidhje tradicionale miqësie. Greqia dhe Shqipëria ndajnë shumë më tepër se kufijtë e tyre të përbashkët. Ata ndajnë një histori të gjatë ndërveprimesh dhe shkëmbimesh”, nënvizoi z. Dendias.

“Skënderbeu është një hero kombëtar në të dy vendet tona. Të dy vendet kanë vuajtur nga fashizmi gjatë Luftës së Dytë Botërore”, shtoi ai.

“Ata janë gjithashtu të lidhur, falë pranisë së minoritetit etnik grek në Shqipëri, si dhe numrit të madh të shqiptarëve që jetojnë dhe punojnë në Greqi”, shtoi ai.

“Duke ndërtuar mbi këtë themel unik, marrëdhëniet tona lulëzuan për përfitim reciprok”, theksoi ai dhe përfundoi duke thënë se parashikon vazhdimin e bashkëpunimit mes dy vendeve.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb