Ish-prokurori Ervin Karanxha ka kundërshtuar ashpërsimin e dënimeve për protestat, duke paralajmëruar se masa të tilla mund të bien ndesh me Kushtetutën dhe jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese. I ftuar në emisionin “Minuta e Parë” në News24, Karanxha theksoi se e drejta për të protestuar në mënyrë paqësore është e garantuar dhe nuk mund të kufizohet përmes dënimeve joproporcionale.
Duke komentuar paketën e re ligjore të paralajmëruar nga kryeministri Edi Rama, ish-prokurori iu referua vendimeve të mëparshme të Gjykatës Kushtetuese, të cilat, sipas tij, kanë përcaktuar kufijtë që duhet të respektojë ligjvënësi kur vendos masa ndëshkuese.
Karanxha sqaroi se për organizimin e një tubimi paqësor nuk kërkohet leje nga policia, por vetëm njoftimi i autoriteteve, sipas parashikimeve ligjore.
“E drejta e protestës paqësore, e tubimit, është e garantuar. Demokracia është e shëndetshme kur protestohet. Mjafton të njoftosh që do të ketë protestë. Këtë e ka Kushtetuesja. Madje kërkesa me shkrim dhe miratimi quhet shkelje. S’ka leje fare, vetëm njoftohet”, deklaroi ai.
Sipas ish-prokurorit, cenimi i kësaj të drejte përbën shkelje të standardeve të mbrojtura nga Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Ai kundërshtoi veçanërisht mundësinë e vendosjes së një dënimi me një vit burgim, duke argumentuar se një masë e tillë duhet të vlerësohet në raport me rëndësinë e shkeljes dhe parimin e proporcionalitetit.
“Cenimi i saj është shkelje e Konventës së të Drejtave të Njeriut. Dënimi me një vit është disproporcional me nenet 47 dhe 41 të Kushtetutës. Interpretimi është bërë nga Gjykata Kushtetuese”, u shpreh Karanxha.
Ai përmendi dy vendime të Gjykatës Kushtetuese, duke u ndalur te vendimi nr. 47, që sipas tij trajton proporcionalitetin mes veprës së kryer dhe masës së dënimit.
“Vendimi nr. 47 bën fjalë për proporcionalitetin e shkeljes së bërë në raport me dënimin. Ka qenë një vepër në Kodin Penal me dënim shumë të lartë dhe Gjykata Kushtetuese ka thënë se për këtë shkelje duhet të marrësh një dënim proporcional”, shpjegoi ai.
Për të ilustruar argumentin e tij, ish-prokurori solli si shembull dënimet e rënda për armëmbajtjen, duke theksuar se ligjvënësi nuk mund të vendosë masa që nuk përputhen me rëndësinë e veprës penale.
“Nuk mund të kalohen parimet kushtetuese. Për shembull, që të dënohesh për armëmbajtje me 25 vite burgim, nuk ka kuptim. Nëse rritet masa e dënimit në mënyrë joproporcionale, nuk ka logjikë. Dhe Gjykata me të drejtë e ka shfuqizuar”, deklaroi Karanxha.
Në përfundim, ish-prokurori theksoi se çdo ndryshim në Kodin Penal që lidhet me protestat duhet të respektojë parimet kushtetuese, lirinë e tubimit dhe proporcionalitetin e dënimeve, duke paralajmëruar se ashpërsimi i masave ndëshkuese nuk mund të bëhet në kundërshtim me interpretimet e Gjykatës Kushtetuese.
