Sipas vendimit të gjykatës, rezulton se punonjësi i AKBN, bashkë me kolegë të tij kanë paraqitur raporte të falsifikuara për punimet e kryera nga kompanitë e Beketit, që po ndërtonin HEC-in e Kalivaçit. Të dhënat për punimet janë tërësisht fiktive, pasi inxhinierët dhe topografët nuk kanë kryer matje reale në terren.

Një punonjës i Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore është i dënuari i parë mes të pandehurve të dosjes “Beketi”, të akuzuar nga prokuroria për mashtrim, falsifikim dhe shpërdorim detyre.

Gjykata e Tiranës e ka dënuar me 18 muaj kusht inxhinierin e Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore, Sokol Koçi.

I pandehuri u dërgua për gjykim bashkë me Beketin dhe të akuzuarit e tjerë, por ai kërkoi gjykim me procedurë të shkurtuar duke përfituar uljen e një të tretës së dënimit pas shpalljes fajtor nga gjykata.

Sipas vendimit të Gjykatës rezulton se nga akti i kontrollit i kryer nga Drejtoria e Tatimpaguesve të Mëdhenj te shoqëria “Energji” sh.p.k. i vitit 2014, ka rezultuar se vlera e punimeve të shitura shoqërisë “KGE” nga shoqëria “Energji” ishte disa herë më e lartë (deri 23 herë) se vlera e punimeve që kjo shoqëri (shoqëria “Energji”) ka blerë nga nënkontraktorët e saj, pasi punimet në ndërtimin e HEC Kalivaç, shoqëria “Energji” sh.p.k. i ka bërë me shoqëri të treta nënkontraktore.

Nga aktet e ekspertimit të kryera gjatë hetimeve paraprake, është arritur në konkluzionin se shoqëria “Energji” sh.p.k. rezulton të ketë rritur çmimet e punimeve në shitje shumë herë nga çmimet e blerjes dhe ka shitur volume punimesh në sasi më të madhe se sa volumet e punimeve te blera.

Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore, si institucioni mbikëqyrës i zbatimit te kontratës koncesionare, ka kryer disa akt-kontrolle në kantierit e Hidrocentralit të Kalivaçit për të parë ecurinë e zhvillimit të punimeve.

Në akt, monitorimi i mbajtur nga ky grup pune shënohet se në kantier ka pasur mungesa të theksuar dokumentacioni dhe grupi i punës nuk ka mundur të sigurojë një sërë dokumentesh të rëndësishme, të cilat janë të nevojshme për të kryer kontrollin si ditarin e punimeve, aktin e piketimit, raportin e mbikëqyrësit të punimeve, projektin e miratuar dhe materiale të tjera të kërkuara.

Të pyetur gjatë hetimeve paraprake, në lidhje me këtë akt monitorimi, punonjësit e AKBN që kanë kryer kontrollin kanë deklaruar se ky akt monitorimi është mbajtur në kushtet e një mungese totale dokumentacioni (projektin, situacionet, preventivin, relacioni i mbikëqyrësit, ditari i punimeve etj.).

Pas monitorimit të kryer në terren AKBN i ka kërkuar shoqërisë Koncesionare të paraqesë dokumentacionin e nevojshëm dhe të domosdoshëm për kryerjen e monitorimit.

Në vendim thuhet se koncesionari në këtë rast, i ka dërguar në AKBN disa dokumente fotokopje, ndër të cilat edhe situacionet e punimeve, të cilat janë të firmosura edhe nga shtetasi Engjëll Cici, me cilësinë e mbikëqyrësit të punimeve, por, ky i fundit ka deklaruar se nuk ka qenë mbikëqyrës i punimeve dhe gjatë hetimit të çështjes penale në shoqërinë Koncesionare nuk janë gjetur situacione origjinale të firmosura nga ky shtetas.

Në përbërje të këtij grupi monitorimi në vitin 2012 kanë qenë edhe dy përfaqësues të Drejtorisë së Minierave të Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore, të pandehurit Fetah Dervishi dhe Sokol Koçi.

Për monitorimin e kryer, grupi i monitorimit ka përgatitur një relacion përmbledhës, ku bashkëlidhur gjendet dhe një relacion teknik për sa i takon vetëm, pjesës topografike të firmosur nga dy topografët e këtij grupi Fetah Dervishi dhe Sokol Koçi.

Në relacionin përmbledhës pasqyrohen punimet e kryera referuar situacioneve të paraqitura nga shoqëria koncesionare.

Nga përmbajtja e relacionit rezulton se punimet e kryera janë matur dhe verifikuar nga inxhinieri dhe specialisti topograf, të cilët kanë përgatitur dhe relacionin teknik.

Por punonjësit e AKBN kanë deklaruar se topografët kanë kryer matjet vetëm në anën e djathtë dhe jo në anën e majtë (sepse në anën e majtë ka qenë e pamundur të shkohej për shkak të mungesës së urës).

Të njëjtin fakt kanë deklaruar edhe të pandehurit Sokol Koçi dhe Fetah Dervishi.

Punimet e raportuara për anën majtë nga shoqëria “Kalivaç Green Energji”, janë në një volum shumë më të madh se punimet në anën e djathtë.

Akuza thotë se rezulton e provuar se, grupi i topografëve nuk ka kryer fare matje dhe nuk ka verifikuar se çfarë pune është kryer faktikisht, duke pasqyruar në relacionin teknik të dhënën e pavërtetë se matjet janë kryer, kur ndërkohë matje nuk ka pasur.

(d.b/Mapo/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: