Abuzimet me të mitur së fundmi në Shqipëri janë bërë shumë të shpeshta. Shumë familje kanë humbur rrjedhën normale të jetës.

E tillë ishte historia që u trajtua disa herë në studion e emisionit “Me zemër të Hapur” në News24 ku një e mitur vetëm kur ishte 9 vjeç u abuzua seksualisht. Sikur të mos mjaftonte kjo, ata që kryen këtë vepër ishin xhaxhai dhe djali i tij. Një ngjarje shokuese jo vetëm për të miturën por edhe për familjen, veçanërisht, nënën e cila rrëfeu në studion e emisionit gjithë shokun e familjes si dhe atë çfarë ndodhi pas kësaj ngjarje.

Nga ana tjetër nëna tregoi sesi institucionet nuk e kishin zbardhur të plotë dhe askush nuk u dënua. Mes dhimbjes dhe lotëve ajo shprehu pakënaqësi dhe bëri apel për zbardhjen e plotë të gjithë kësaj ngjarje tragjike. Por gjërat ndryshuan rrjedhë pas daljes në emision, pasi familja u kërcënua dhe rilindën debate mes fisit.

Historia u rikthye në qendër të vëmendjes ditën e sotme, ku foli nëna e të miturës.

“Vajza ka refuzuar psikologun, edhe pas emisionit, pasi më pohoi që nuk mund t’i rikthejë sërish kujtimet e këqija që kaloi. Kam tentuar shumë që ta bind të rikthehet në konsultë, por është e pamundur. Pas emisionit në pasdite rreth orës 6  erdhi në banesë kunata, motra e burrit dhe i biri. Vajza më mori në telefon dhe po më thoshte se halla dhe djali i saj po debatojnë me babin dhe vëllain. Menjëherë njoftova edhe policinë, një debat i cili zgjati gati një orë e ca. Kunata dhe djali kërkonin shpjegim që pse i kishim akuzuar, por ne nuk kemi përmendur emra të askujt. Mua nga momenti në moment më rrezikohet jeta e fëmijëve të mi, nga gjithçka.

Unë e thirra policinë, por pas një ore ka shkuar. Aty situata agravonte dhe gjatë diskutimit kunata kishte pohuar që ‘nëse përmendet emri i djalit tim ose unë ose ju’ askush nuk u ndalua apo u thirr në polici, pasi policia kur mbërriti po më pohonte që nuk ka debat, mirëpo gjithë debati ishte i regjistruar. Në atë moment i çova te dera e dhomës së vajzës, ku vajza ishte strukur në dhomë dhe po qante me dënesë. Policia më kërkoi të dilja jashtë dhe të qëndronin me vajzën për ta pyetur, por unë nuk pranova që ta lija vetëm. Unë ia pohova dhe policisë që ndihem e kërcënuar dhe e rrezikuar nga njerëzit e bashkëshortit, por nuk po shikoj asnjë reagim apo zgjidhje.

Djali i kunatës para se të vinte në banesë në momentin pas emisionit, kishte ardhur më përpara në banesë dhe më kërkoi që të më jepte lekë apo prona dhe të tërhiqja denoncimin për përdhunimin e vajzës. Më pohoi që do me jepte 100 mijë euro për të mos deklaruar asgjë nga ato që i kanë ndodhur vajzës time. Shtëpinë ku jeton sot vëllai i tim shoqi ia ka dhënë vjehrri shumë vonë sepse ai ka qenë i larguar. Në çdo hap jam akuzuar unë që unë manipuloj vajzën, por unë nuk kam asnjë arsye pse të gënjej për këtë që kam pohuar.

Unë luftoj për të drejtën e vajzës time me forcën më të madhe, por pala tjetër ka arritur deri aty saqë më kanë bërë edhe të çmendur. Unë për vajzën time do kërkoj pafundësisht të drejtën e saj. Madje gjyqtarja e çështjes më tha që ‘nuk e di çfarë nëne je ti që e çon vajzën në televizion’, por unë i pohova se kam arsye të fortë që  të kërkoj të drejtën time. Ajo më pohoi se ‘për familjen tuaj nuk do ketë kurrë urdhër mbrojtje'”, deklaroi nëna e vajzës.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb