Departamenti Amerikan i Drejtësisë ka publikuar sot një sasi e madhe dokumentesh të reja mbi Jeffrey Epstein-i.

Sipas dosjeve të reja që u publikuan nga Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së, Jeffrey Epstein ka dërguar transferime bankare që arrijnë në mijëra paund pas daljes nga burgu në vitin 2009, drejt burrit të Peter Mandelson, Reinaldo Avila da Silva.

Në emailin e tij, da Silva i kërkonte Epstein-it financim për një kurs osteopatie dhe shpenzime të tjera, duke shkruar: “I kam dërguar disa email-e javën e kaluar për shpenzimet e kursit tim të osteopatisë, përfshirë tarifën, modelet anatomike, dhe laptopin, nëse mund të më ndihmosh. Shpresoj të keni marrë ato.”

Epstein i përgjigjej menjëherë duke thënë: “Do të dërgoj shumën e huasë menjëherë.”

Ditën tjetër, da Silva i dërgoi një tjetër email Epstein-it për të pyetur nëse një pagese prej £10,000 ishte përfshirë në tarifat e tij shkollore, apo ishte transferuar drejtpërdrejt në shkollë. Epstein i përgjigjej: “Po, është përfshirë.”

Një email tjetër nga Mandelson, më vonë në atë muaj, i kujton Epstein-it që kjo shumë të ishte huatë për të shmangur pagesën e taksës së dhuratës. Da Silva konfirmoi më pas marrjen e parave, duke i shkruar Epstein-it: “Faleminderit për paratë që mbërritën në llogarinë time këtë mëngjes.”

Në prill të vitit 2010, da Silva dërgoi detajet e tij bankare dhe kërkoi më shumë fonde. Sipas raportimeve të Financial Times, Epstein i kishte kërkuar kontabilistit të tij të dërgonte 13,000 dollarë, dhe më vonë 2,000 dollarë çdo muaj për da Silva-n.

Një email tjetër nga Epstein për Mandelson, datuar 19 korrik 2009, sugjeron se Epstein kishte takuar da Silva-n ndërsa ishte ende në burg, duke shfrytëzuar një program pune-lirimi që e lejonte të linte burgun gjatë ditës dhe të kthehej mbrëmjeve.

Mandelson ka kërkuar ndjesë më parë për lidhjen e tij me Epstein dhe ka deklaruar: “Ishte gabimi im që besova Epstein pas dënimit të tij dhe vazhdova të mbaja marrëdhënie me të. I kërkoj falje pa kushte për këtë ndaj grave dhe vajzave që vuajtën.”

Ai shtoi: “Nuk kam qenë kurrë përgjegjës ose bashkëpunues në krimet e tij. Si të gjithë të tjerët, unë mësova të vërtetën vetëm pas vdekjes së tij.”

Zëvendësprokurori i Përgjithshëm Todd Blanche njoftoi në konferencën për shtyp se po janë publikuar më shumë se 3 milionë faqe dokumentesh shtesë, plus mbi 2 mijë video dhe rreth 180 mijë imazhe.

Kjo është pjesa më e madhe e publikimit deri tani, duke e çuar totalin e lëshuar (me ato të mëparshmet) në afërsisht 3.5 milionë faqe.

Ky veprim plotëson kërkesën e Aktit të Transparencës së Dosjeve Epstein (Epstein Files Transparency Act), ligj i miratuar nga Kongresi me mbështetje bipartizane dhe i nënshkruar nga Presidenti Trump më 19 nëntor 2025 (H.R.4405, tani Public Law 119-38).

Blanche tha se departamenti ka përfunduar shqyrtimin e plotë të materialeve për të siguruar transparencë, por ka mbajtur mënjanë çdo gjë që mund të rrezikojë hetime të hapura ose të zbulojë identitetet e viktimave.

Për të mbrojtur viktimat, të gjitha gratë në video dhe imazhe (përveç Ghislaine Maxwell-it) janë errësuar.

Blanche hodhi poshtë pretendimet se po mbrohet ndonjë person i fuqishëm, përfshirë edhe Trump-in.

“Nuk ka asnjë listë të fshehur, nuk kemi mbuluar asgjë për të mbrojtur individë të caktuar. Shtëpia e Bardhë nuk kishte asnjë rol në procesin e shqyrtimit”, tha ai.

Figura si Bill Gates, Bill Clinton, Steve Bannon, Woody Allen etj. shfaqen në disa imazhe me Epstein-in (p.sh. në ishullin e tij), por askush prej tyre nuk është akuzuar për krime në këto dosje.

Totali i dokumenteve të identifikuara si potencialisht relevante ishte rreth 6 milionë faqe, por jo të gjitha publikohen për shkak të materialit të abuzimit seksual ndaj fëmijëve dhe të drejtave të viktimave.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb