GREQI- Takimi mes kryeministrit grek Aleksis Cipras dhe homologut të tij shqiptar Edi Rama nuk është pritur mirë në parlamentin grek. Ka qenë ish-ministrja e Jashtme, Dora Bakoyannis, e cila ka denoncuar në Parlament takimin mes dy kryeministrave.

Duke iu drejtuar kryeministrit Cipras, deputetja e Demokracisë së Re, e cila hodhi firmën mbi marrëveshjen detare kur ishte ministre e Jashtme, e pyeti mbi përmbajtjen e takimit me kryeministrin shqiptar që u zhvillua në Nju Jork javën e kaluar, duke kërkuar të dijë nëse mes dy kryeministrave është diskutuar për kufirin detar dhe marrëveshjen e mbetur pezull mes dy vendeve.

“Çfarë diskutuat, përveç eksperiencave të basketbollit siç pamë ekranet televizive… Marrëveshja për zonat ekskluzive ekonomike me Shqipërinë, a u shtrua në tryezën e bisedimeve? Dhe nëse po, cili ishte rezultati”, tha Bakoyannis, shkruan “Telegrafi”.

Gjithsesi, Cipras, në një ndërhyrje për politikën e jashtme, nuk iu përgjigj deputetes së opozitës, por deklaroi se qeveria ka një plan ambicioz për fuqizimin e rolit të vendit në rajon.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb