Dy deputete shqiptare, njëra e parlamentit të Shqipërisë dhe tjetra e parlamentit të Kosovës kanë lëshuar deklarata të forta në takimin e Komisionit Drejtues të Asamblesë Parlamentare të vendeve të Europës Jug-Lindore të mbajtur në Zagreb. Kroacia ka presidencën e radhës së Asamblesë Parlamentare të Procesit të Bashkepunimit të Europës Jug-Lindore (SEECP PA).

Në këtë aktivitet, Kuvendi i Shqipërisë u përfaqësua nga deputetja Esmeralda Shkjau, anëtare e delegacionit të përhershëm të Kuvendit në SEECP PA dhe nga z. Genci Goli, koordinator kombëtar i SEECP PA.
Shqipëria është përfaqësuar nga një delegacion parlamentar në krye të të cilit ka qenë deputetja socialiste Esmeralda Shkjau. Ajo shprehu rezerva dhe kundërshtim ndaj qëndrimit të parlamentit të Serbisë për të bllokuar Kosovën qe Komisioni i Ekonomisë, Energjine dhe Infrastuktures te mos zhvillohet në Prishtinë.

Në fjalën e saj deputetja e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë i rikujtoj palës serbe dhe të gjithë vendeve të pranishme se duhet të respektojnë në mënyrë rigoroze Deklaratën e Tiranës të miratuar me konsensus nga të gjitha vendet e SEECP-së. “Deklarata e Tiranes fton gjitha vendet e SEECP-SË që të ftojnë Kosovën qe te marre pjese ne te gjithe nivelet e SEECP PA si e barabartë dhe me te drejta te plota”, tha Shkjau.

Gjithashtu, deputetja Esmeralda Shkjau theksoi se çështja e përfaqësimit të Kosovës në të gjitha forumet rajanole, përfshirë edhe dimensionin qeveritar të SEECP-së është zgjidhur që para tre vitesh dhe nuk ka asnjë problem përfaqësimi. “Bllokimi i Serbise eshte i papranueshem per Kuvendin e Shqiperise”, u shpreh deputetja Shkjau ne fjalen e saj.

Deputetja e Kuvendit të Kosovës Blerta Deliu Kodra në mbështetje të delegacionit të Kuvendit të Republikës se Shqipërisë theksoi se vendimi që Kosova të marrë pjesë në gjitha organizatat rajonale është një ndër vendimet më të rëndësishme për stabilitetin në rajon.

Ajo deklaroi se vendimi i palës serbe për bllokuar Kosovën që të zhvillojë në Prishtinë mbledhjen e Komisionit për Ekonomine është një hap mbrapa nga ana e Serbisë për bashkëpunimin rajonal dhe normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Deputetja kosovare i bëri thirrje përfaqësuesit të delegacionit të Serbisë që të zbatojnë Deklaratën e Tiranës që është miratuar edhe nga pala serbe, jo vetëm formalisht por edhe në praktikë.

Duhet theksuar që përfaqësuesit e delegacionit serb pas këtyre replikave nga Kosova dhe Shqipëria nuk patën asnjë reagim. Takimi i radhës i Komisionit Drejtues të Asamblesë Parlamentare të SEECP-së
do të mbahet në Zagreb para pranverës së vitit 2017.

Në lidhje me pikën 2, per diskutimin e dy komisioneve të përhershme Deputetja Blerta Deliu Kodra pranoi propozimin e Parlamentit Kroat që Komisionet e Përgjithshme, përkatësisht:
Komisioni për Ekonominë Infrastrukturën dhe Energjinë si dhe Komisionin mbi Punët e Brendshme Drejtësinë dhe Sigurinë të mbahen në Zagreb.

Zonja Deliu Kodra deklaroi për të pranishmit që Kryetar dhe njëkohësisht Raporter i Komisionit për Ekonominë Infrastrukturës dhe Energjinë do të jetë deputeti Muhamet Mustafa. Këto propozime u miratuan me Konsensus për të gjithë delegacionet e pranishme.

Axhenda e Takimit të Komisionit Drejtues të Asamblesë Parlamentare të SEECP-së, kishte në fokusin e diskutimit këto çështje:

1. Forcimin e bashkëpunimit mes Asamblese Parlamenare të SEECP-së dhe Këshillit Rajonal për Bashkëpunim (RCC),
2. Diskutimin mbi dy Komisionet e Përhershme të Asamblesë Parlamentare të SEECP-së, perkatesisht Komisionit te Pergjithshem per Ekonomine, Infrastukturen dhe Energjine, si dhe Komisionit te Pergjithshem per Ceshtjet e Brendshme, Sigurine dhe Drejtesine.
3. Diskutimin mbi Selinë e Sekretariatit të SEECP PA-se dhe
4. Bashkëpunimin e Asamblesë Parlamentare të SEECP-së me organizatat e tjerat ndërkombëtare.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb