Deputeti i Partisë Demokratike, Dashnor Sula propozon një pakt të madh qeveri-opozitë për luftën kundër pastrimit të parave dhe krimit të organizuar në vend.

Duke folur në mbledhjen e Komisionit të Ligjeve, ku po diskutoheshin disa ndryshime në ligjin për Noterinë, ai tha se duhet vullnet i qartë nga kryeministri dhe pakica për ta ndryshuar këtë model që është sot.

“Nëse ne të parët, nga kryeministri, ju maxhoranca dhe ne opozita nuk do bëjmë një pakt të madh sa i përket krimit të organizuar, fundi do vijë shpejt, muaj pas muaji e vit pas viti. Mbajeni mend se çfarë do të ndodhë. Këtu nuk do të shikoni më njerëz të shtresës së mesme, do jenë një grup njerëzish që do kontrollojnë gjithçka dhe pjesa tjetër do jenë skllevërit. Ne e kemi nga eksperienca se jemi deputetë të zonave jo brenda Tiranës. Mos shikoni Tiranën, Tirana është Europë. Qytetet e tjera janë për të ardhur keq, po shpopullohen”, tha Sula.

Qëndrimin e deputetit demokrat e vlerësoi edhe kryetarja socialiste e Komisionit të Ligjeve, Klotilda Bushka.

“Faleminderit për komentet e sinqerta në fakt dhe që jeni dakord që këto masa ndihmojnë dhe nuk janë të vetmet. Janë masa që e bëjnë luftën kundër pastrimit të parave eficente. Edhe paketa e sotme vjen në vijim të masave të marra për ndryshimin e disa ligjeve, njërin prej të cilit e kemi miratuar”, -tha Bushka.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb