Në emisionin “Open” në “News24”, deputeti i Vetëvendosjes Adnan Rrustemi foli për tensionet në veri të Kosovës.

Gjatë intervistës, ai theksoi se Serbia përdori Listën Serbe për të bojkotuar zgjedhjet në veri të vendit, ndërsa aktualisht  po përdor grupet kriminale për të krijuar tensionet dhe dhunë.

Gjithashtu ai theksoi se për Kosovën është e papranueshme që t’ja dorëzojë këto komuna bandave kriminale.

“Në Kosovë janë 10 bashki që drejtohen nga komuniteti serb, vetëm katër prej tyre kanë dhënë dorëheqjen dhe 6 prej tyre vazhdojnë normalisht. Por Serbia ushtron ndikim mbi pakicën serbe, me struktura kriminale për të nxitur destabilizimin. Serbia përdorte Listën Serbe për të bojkotuar procesin zgjedhor, në anën tjetër Kosova e kishte të rëndësishme që këto zgjedhje të mbaheshin në respektim të ligjit. Ndërkombëtarët kanë qenë gjatë gjithë kohës në vëzhgim. Në ditën e zgjedhjeve kishte dy reagime nga ambasada amerikane që i njihte zgjedhjet. Grupet e dhunshme vazhdojnë të qëndrojnë dhe të sulmojnë oborret e dy komunave dhe të sulmojnë ushtarët e KFOR. Kosova ka qenë e detyruar të zbatojë detyrimet që rrjedhin nga Kushtetuta dhe ligji. Këto grupet e paraqitura para komunave dhe dhuna që po ushtrohet nuk i konsideroj si protestë, pasi në rreshtat kryesor të organizimit të këtyre grupeve janë persona me dosje kriminale dhe që e kanë mbajtur peng këtë pjesë të Kosovës. Kjo nuk është protestë sepse nuk ka as kërkesa politike. Nuk mund të thuash refuzoj kryetarët e zgjedhur, në një kohë që nuk merr pjesë në zgjedhje. As nuk kanë kërkuar zgjedhje të reja. Serbia synon që nëpërmjet këtyre grupeve kriminale ta ruajë këto zonë pa autoritete të Kosovës”, tha ai.

Dritan Hila: Policia e Kosovës gjatë këtyre viteve ka ndërmarrë ndonjë hap që t’i arrestojë?

Adnan Rrustemi: Vetëm sot janë arrestuar dhe ndaluar dy serbë, pasi dyshohet se janë nisur në drejtim të këtyre komunave për të krijuar tension. Ka pasur arrestime edhe të hënën. E theksoj se nuk ka pasur asnjë civil të lënduar. Por ka pasur ushtarë të KFOR dhe të Policisë së Kosovës të lënduar.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb