Deputeti socialist, Rrahman Rraja, flet për News24 për arrestimin e Redjan Rrajës, si një prej autorëve të dyshuar të atentatit ndaj prokurorit Arjan Ndoji, Andi Malokut dhe Pëllumb Muharremit, i njohur si “Rrumi”.

Në një lidhje telefonike për News24, deputeti Rraja sqaroi lidhjen e gjakut me Redjan Rrajën, duke thënë se janë më shumë se brez i tretë, ndërsa shtoi se policia duhet të japë dënim maksimal për të dhe të gjithë ata që janë përfshirë në atentat.

Është përfolur si një i afërm juaji Redjan Rraja, një koment tuajin lidhur me këtë?
Është një ngjarje shumë e rëndë, për mua pak rëndësi ka kush mund të jetë ai person, por policia tani i ka të gjithë të drejtat e veta për të vendosur drejtësi. Duhet të marrë dënim maksimal.

Çfarë e keni ju Rrajën?
Babai im, Rexhepi, me gjyshin e Redjanit, janë vëllezër për babe. Pra, i bie më shumë se brez i tretë, por unë dënoj veprimin, por jo se çfarë brezi jam unë.
Me mbiemrin Rraja ka më duket edhe në Berat e Lushnje, megjithatë, ne kemi lidhje gjaku, por jemi me mbi 150 persona me këtë mbiemër në Nikël.

Kur keni folur për herë të fundit?
Nuk më kujtohet. Ka 3-4 muaj që nuk e kam … ashtu fare.

A është angazhuar në fushatë me ju?
Me mua? Si gjithë qytetarët e tjerë. Nuk kam dijeni nëse ka precedentë penalë. Që kur ka mbaruar 8-vjeçaren se di çfarë bën, as se ku jeton, as ku banon. Vitet e fundit di që ka pas hapur një biznes në Fushë Krujë. Nuk e di ku jeton, në Tiranë, Durrës a Fushë Krujë, nuk e kam idenë se ku e ka adresën.

Po me fëmijët tuaj a ka komunikim?
Nuk e di se me kë flet në telefon ai, di që me mua personalisht nuk ka.

Është hera e dytë që mbiemri juaj përflitet për ngjarje të bujshme, si ndiheni?
Jam sinqerisht shumë i qetë, sa i përket moralit tim, por për sa i përket veprës jam i shqetësuar, sepse të bëhet një atentat ndaj prokurorit, ndaj drejtësisë, është shqetësim. Personalisht jam shumë i qetë, i ndershëm, nuk kam asnjë problem.

Keni dijeni që Redjan Rraja është një prej personave të akuzuar për një vrasje të bujshme?
Jo … atë që ka dhënë media po.

Si e mësuat lajmin ditën e sotme?
E mësova përmes medias. Më morën në telefon gazetarë.

Po veprimet e Rrajës si i gjykoni?
Është shumë e rëndë kjo që ka ndodhur, nuk ka më të rëndë, por është një fakt i mirë se nuk pati marrje jete. Zoti ka bërë mrekulli. Moralisht është një veprim shumë i rëndë, aq më tepër që ka ndodhur në zonën ku jam deputet.

Një koment mbi deklaratat e Ramës për prokurorin Ndoji?
Nuk e njoh fare prokurorin, asnjërin prej tre personave që ishin në makinë nuk i njoh. Unë jam shumë i qetë personalisht, gëzoj respekt dhe kam përkrahje masive në komunitet, jo vetëm në Krujë, por kudo që kam kontakt. Jam një preson që dua të bëj vetëm detyrën.

(d.ç./BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb