Gjatë diskutimeve në seancë plenare në lidhje me raportin e veprimtarisë së punës së Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, deputeti Toni Gogu, marrë në konsideratë edhe situatën e paprecedentë ekonomike dhe financiare të viteve të fundit, u ndal në disa pika. Deputeti Gogu theksoi se “Tipari i parë dallues që raporti e tregon qartë është vigjilenca e AMF-së për të parandaluar dështimet e tregjeve, për shkak të goditjeve të jashtme, por edhe monitorimin e vazhdueshëm që ka bërë ky Autoritet mbi zhvillimet në tregun financiar jobankar. Dhe kam parasysh këtu gjithë rezistencën e nevojshme pas 3 goditjeve unikale, që tregjet kanë pasur të trija njëra pas tjetrës, njëra ka qenë tërmeti, mos të harrojmë që kompanitë e sigurimeve kanë luajtur rol aktiv në mbulimin e dëmeve të shkaktuara nga tërmeti, gjë që e tregon këtë edhe raporti që kemi pasur për dëmshpërblim të të gjitha dëmeve. Është një numër shumë i vogël çështjesh që ka përfunduar në kontrollin gjyqësor, përkundrejt malit të madh të çështjeve që ka mbuluar vetë tregu.”.

Më tej, Gogu theksoi se pas tërmetit erdhi pandemia dhe efektet e saj kanë qënë vazhduese. “Vigjilenca e Autoritetit tregohet qartë në mirëkapitalizimin e të gjitha tregjeve si ai i sigurimit, të fondeve të investimit apo fondeve të pensioneve. Dhe niveli i provigjioneve, po marr psh “Jo-jetën” që është 131% , ndërkohë që sigurimi jetës është 125%. Por dua të them që vigjilenca e AMF-së mbi efektet që mund të sillnin krizat ka qenë e tillë që nuk ka lejuar në asnjë moment që krizat, qoftë tërmeti, qoftë pandemia apo kriza e çmimeve për shkak të luftës në Ukrainë të shndërroheshin në kriza të sistemit tonë financiar. Sistemi ynë financiar jobankar është likuid, është i sigurt dhe vazhdon integrimin.”.

Më tej, si tipar të dytë dallues, deputeti përmendi se veprimtaria e AMF gjatë vitit 2021 ka qenë e papërtuar për të nxitur stabilitetin makroekonomik.

“Të shohim vetëm numrin e akteve ligjore dhe akteve nënligjore të cilat sigurojnë, vendosin mekanizma mbrojtës në stabilitetin makroekonomik të vendit është mbresëlënës. Janë tre 3 ligje të miratuara gjatë vitit 2021, ndërkohë që janë 20 rregullore dhe akte të tjera nenligjore. Si ish-punonjës në sistemin bankar dhe financiar që të kalosh një numër të tille ligjesh/aktesh nenligjore me të vërtet tregon shpejtësi admiruese me të cilën Autoriteti ka reaguar për të vendosur tulla të tjera në themelin e stabilitetin makroekonomik.”.
Në fund, si tipar i tretë dallues, Gogu përmendi inovacionin për të mbrojtur investitorët, konsumatorët si dhe transparencën e tregut. Po të lexosh raportin del qartë se qoftë përmes zbatimit të risive teknologjike, edhe zbatimit të risive rregullative, konsumatori, investitori është më i mbrojtur sot se sa ishte dje. Janë pikërisht këto tre tipare që nga raporti del qartë se kanë siguruar një kredo besimi ndaj këtij Autoriteti. E gjej me vend për t’i rreshtuar ato: Besimi i investitorëve në tregjet financiare është rritur. Po ashtu është rritur besimi i tregjeve përkundrejt Autoritetit, si edhe është rritur besimi i partnerëve ndërkombëtarë.”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb