TIRANË

Fatjona Dhimitri, deputetja e opozitës së re, deklaron se demokracia në vend është në rrezik. Në fjalën e saj të parashikuar për ta mbajtur në seancën e sotme të ngjeshur parlamentare, Dhimitri shprehet me neveri pikërisht për axhendën e ngjeshur të kësaj dite.

Ajo deklaron se maxhoranca e ka pozicionuar Kuvendin drejt shkeljeve të mëdha procedurale e kushtetuese. Sipas saj, referuar amendimeve ka gjasa të hidhen themelet e një burgu të ri i cili do të presë të karantinuarit që nuk i binden urdhrit të Kryeministrit.

“Ndërgjegjësimit dhe sensibilizimit të popullsisë nuk i nevojiten marshimet e ushtrisë me tanke dhe mitraloza, as retorika e ashpër e politikës qeverisëse, as propaganda spekulative e shpërndarjes së ndihmave në çdo familje, aty ku ndihmat u shpërndahen militanteve të Rilindjes, apo heshtja në ato fshatra ku nuk ka shkelur këmbë pushtetari, për të vijuar më tej me papërgjegjshmërinë humane kur mendojmë që ende shumë njerëz të prekur prej tërmetit të 26 nëntorit vijojnë të jenë në qiell të hapur si dhe të ekspozuar ndaj rrezikut të pandemisë”, shprehet Dhimitri.

DEKLARATA E PLOTË
Neveri për axhendën e ngjeshur të seancës plenare të 16 prillit 2020. Demokracia e Shqipërisë në rrezik. As në ditë normale nuk ka ndodhur të kalojnë kaq shumë nisma me një limit kohor diskutimi.
Në situatën në të cilën Shqipëria gjendet prej përhapjes së pandemisë globale Covid-19, vendin e diskutimeve për shifrat propaganduese të testimit të popullsisë, apo mungesën e planit të ringritjes së ekonomisë së vendit, e zënë çështjet të cilat mazhoranca mezi pret t’i kalojë me procedurë të përshpejtuar parlamentare, duke e pozicionuar Kuvendin drejt shkeljeve të mëdha procedurale e kushtetuese.
Qeveria e autoblindave e cila haptazi vonoi për të shpallur gjendjen e fatkeqësisë natyrore edhe kur rastet me Covid-19 shtoheshin si kërpudhat pas shiut, realizonte një minimum testimesh të popullsisë dhe aspak në raport me masat që propagandonte, e për me tepër vijonte të tregtonte maska të skaduara duke vënë në rrezik jetën e qytetarëve.
Sot, duke përfituar prej gjendjes së jashtëzakonshme, grupi i Rilindjes me padurim po pret të votojë maskaradën më të madhe në historinë e parlamentarizmit , atë të shkeljes së të drejtave dhe lirive themelore te njeriut, përmes shtesave të panevojshme në Kodin Penal.
Kasta e Juristeve të Rilindjes duhet ta kuptojë që nuk mund të ndërhyjë në Kodin Penal me procedurë të përshpejtuar, referuar ( Nenit 83 pika 3 e Kushtetutës, Neni 81 germa d)
Pavarësisht kundërshtimeve të 30 organizatave, të ekspertëve ligjorë më me eksperiencë në Shqipëri, akademikeve, profesorëve në universitete, Kryeministri duket se nuk ndalon në marshimin e tij drejt llumit kushtetues.
Shtesa të tilla të panevojshme në Kodin Penal dhe të pakonsultuara me grupet e interesit i mbivendosen frikës dhe panikut që shqiptarët e izoluar po kalojnë në këto ditë karantinimi.
Referuar amendimeve ka gjasa të hidhen themelet e një burgu të ri i cili do të presë të karantinuarit që nuk i binden urdhrit të Kryeministrit.
Ndërgjegjësimit dhe sensibilizimit të popullsisë nuk i nevojiten marshimet e ushtrisë me tanke dhe mitraloza, as retorika e ashpër e politikës qeverisëse, as propaganda spekulative e shpërndarjes së ndihmave në çdo familje, aty ku ndihmat u shpërndahen militanteve të Rilindjes, apo heshtja në ato fshatra ku nuk ka shkelur këmbë pushtetari, për të vijuar më tej me papërgjegjshmërinë humane kur mendojmë që ende shumë njerëz të prekur prej tërmetit të 26 nëntorit vijojnë të jenë në qiell të hapur si dhe të ekspozuar ndaj rrezikut të pandemisë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb