Trajneri i Dinamos, Ilir Daja, mendon se ekipi i tij është gati për të përballur me forca të plota Partizanin në derbin e parë të këtij sezoni në kampionat. Tekniku i të kuqve theksoi se ekipi gjithsesi duhej të kishte mjaft kujdes ndaj të kuqve të cilët vinin pas një rezultati të rëndësishëm me Vllazninë.

“Ndeshjet derbi janë ndeshje të veçanta, janë ndeshje që luhen për t’u fituar. Por në të njëjtën kohë janë edhe ndeshje të paparashikueshme. Vijmë me një optimizëm edhe me një entuziazëm të mirë, pra me një anë psikologjike të mirë duke parë ndeshjet e fundit ku kemi fituar ndaj rivalëve tanë.

Por e dimë që dhe kundërshtari, Partizani, ka një gjendje të mirë dhe vjen pas një fitoreje në transfertë me Vllazninë. Besoj që do jetë një ndeshje e hapur dhe do të fitojë ekipi që do bëjë më pak gabime. Sigurisht që shpresojmë që të jemi ne ata që do të bëjmë më pak gabime sesa kundërshtari.

Skuadra duhet të jetë gjatë gjithë kohës në ekuilibër duke ditur që Partizani ka një tranzicion pozitiv si dhe kundërsulm të rrezikshëm me lojtarë të shpejtë. Ne duhet të jemi gjithë kohës në ekuilibër në mënyrë që t’i heqim këtë armë të fortë që ka kundërshtari.

Kemi të gjithë kontingjentin më dispozicion për të përballuar ndeshjen derbi. Na është rikthyer kapiteni Dita që është një vlerë e shtuar për ekipin pasi ka kaluar dëmtimin e pësuar. Do ta shikojmë dhe në seancën e fundit stërvitore. Kemi edhe Qardakun nesër, pasi ka shlyer pezullimin pas kartonit të kuq dhe gjithashtu ka lënë pas krahëve një dëmtim që kishte. Gjatë javës kemi punuar mirë dhe skuadra është gati.

Orari dhe fusha? Do të thosha se nëse do të zhvillohej në mbrëmje, me ndriçim dhe në një fushë me bar natyral, do i shërbente të dyja ekipeve të jepnin maksimumin. Përtej kësaj, duhet të them se stadiumi i Vorës, është një stadium ku mund të performosh shumë mirë”, tha ndër të tjera Daja.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb