Deputeti i PD-së, Oerd Bylykbashi nga podiumi i Kuvendi Kombëtar deklaroi se tashmë ajo çka do të përbënte ndryshim të madh është se fuqia të qëndrojë te vota.

Ai theksoi se para 9 shtatorit demokratët ecnin symbyllur drejt një ure, ku partia njihej përmes kryetarit.

“Të nderuar, themelues, qëndrestar, që keni i bërë çmos për të ardhur te kjo ditë, i nderuar lider historik, doktor Berisha. Ju uroj suksese në inaugurimin e mandatit tuaj.

Kuvendi i 11 dhjetorit 2021 mbylli një kapitull të errët dhe i çeli rrugën këtij Kuvendi të ri. Është në barrën e këtij Kuvend që mbi ato themele të ndërtojmë PD të 15-20 viteve të ardhshme. Një parti që emrin demokratike ta meritoj. Nëse demokracinë se kemi brenda nesh, s’mund ta kërkojmë atë jashtë shtëpisë sonë. Na bashkoi një lëvizje e paprecedentë. Rrugëtimi i foltores, ku demokratët kërkuan dhe gjetën një vend për të thënë atë se çka mendonin, kjo funksionoi. Është detyra jonë që të mbajmë të shëndetshëm imunitetin tonë. Ndarja dhe balancimi i pushteteve, dhe respektimi i votës na siguron se jemi PD. Vetëm statuti nuk na bën demokratë, por zbatimi i tij me votë duke folur hapur, na bënë demokrat. Do lëmë pas përçarjen dhe do jemi më shumë demokratë. S’ka instrument përbashkues më shumë për PD se sa kutia e votimit. Deri më 9 shtator po ecnim symbyllur drejt një ure, që partitë njihen me emrin e kryetarit. Përtej asaj ure vdes demokracia. Por për fat hapëm gojën dhe u shmangëm nga ajo urë që ndeshet me diktatin.”, tha ai.

FJALA E PLOTE
Të nderuar delegatë të Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike

Së pari ju uroj suksese në inaugurimin e mandatit tuaj si përfaqësues të demokratëve në organin suprem të Partisë Demokratike. Kuvendi i 11 dhjetorit 2021 mbylli një kapitull të errët të funksionimit të PD dhe me statutin që miratoi, i çeli rrugën këtij Kuvendi të ri.
Është në nderin dhe barrën e këtij Kuvendi që mbi ato themele që u hodhën me statutin e 11 dhjetorit, të ndërtojmë Partinë Demokratike të 15 apo 20 viteve të ardhëshme. Një parti që emrin “demokratike” ta meritojë jo vetëm për shkak të parimeve, por sepse i zbaton ato. Nëse demokracinë nuk e kemi brenda nesh nuk mund ta kërkojmë jashtë shtëpisë sonë.
Mbytja e ngadaltë, në heshtje përgjatë viteve, e demokracisë brenda PD na bashkoi në një lëvizje pa precedent në historinë tonë politike por edhe të Ballkanit. Rrugëtimi i Foltores dhe forca që treguan demokratët e thjeshtë që kërkonin dhe gjetën një vend për të thënë çfarë mendonin, tregoi se sistemi imunitar i PD kundër autokracisë funksionon. Është detyra jonë ta mbajmë të shëndetshëm imunitetin tonë demokratik.
Votat e lira të demokratëve janë antitrupat kundër vulës së njëshit, autokratit dhe diktatit. Liria e individit vlen më shumë se disiplina e hekurt që imponon lideri. Më 11 dhjetor ne provuam këtë. Por sot marrim detyrën ta mbajmë atë që vendosëm më 11 dhjetor 2021.
Rrugëtimi ynë drejt 11dhjetorit 2021 kaloi nëpër një hartë rruge që kishte një vizion dhe një objektiv: demokratizimin e PD nëpërmjet reduktimit të pushtetit të kryetarit dhe forcimin e pushtetit të këtij Kuvendi, Këshillit Kombëtar dhe Kryesisë që janë organet përfaqësuese të tij. Referendumi, zgjedhjet “një antar – një votë” dhe primaret ia japin antarëve pushtetin suprem. Ndarja dhe balancimi i pushteteve, kolegjialiteti dhe respektimi i votës na siguron që jemi parti demokratike.
Vetëm statuti nuk na bën demokratë. Zbatimi i tij nga secili prej nesh, me votë, duke folur hapur e pa tutje në organet përfaqësuese, kjo na bën demokratë. Sa më shumë të votohet në këtë parti aq më shpejt do të bashkohemi, do lemë pas përçarjen që deshën të na imponojnë, akoma më shumë do të jemi demokratë. Nuk ka instrument më bashkues se kutia e votimit ku bëhen bashkë mendimet tona edhe te ndryshme apo të kundërta.

Miq,
Deri më 9 shtator 2021 po ecnim symbyllur drejt një ure, përtej të cilës partitë njihen me emrin e kryetarëve. Përtej asaj ure vdes demokracia dhe mbretëron autokracia. Ne i hapëm sytë, hapëm gojën, folëm, dhe u shmangëm nga ajo urë ku liria shkëmbehet me diktatin. Nuk mund t’i falim sërish liritë që fituam tek Foltorja, tek 11 dhjetori, 18 dhjetori, 30 janari i primareve apo 6 marsi.
Ky kuvend qëndron mbi këto themele që nuk duhen harruar e tradhëtuar. Po i mbyllëm sytë dhe gojën, sërish do t’i drejtohemi asaj ure ku partitë njihen me emrin e kryetarit. Ne nuk kemi më kohë për gabime të përsëritura.
Në 31 vite ndoshta nuk patëm asnjëherë demokracinë perfekte. Ndaj sfida që kemi për ta ndryshuar këtë fakt është e madhe. Por bashkë jam i sigurt se mund ta realizojmë. Ne besojmë tek parimet e Kushtetutës amerikane dhe Karta Europiane e të Drejtave të Njeriut. Ky është proamerikanizmi dhe pro-europianizmi ynë.
Ne kemi eksperiencën e themeluesve dhe qëndrestarëve por edhe dhe energjinë e të rinjve. Sinergjia e tyre është garancia për të ardhmen e kësaj partie. E ardhmja pa u mbështetur në të shkuarën, është e pasigurt.
Kemi betejë të vështirë por fisnike për të rrëzuar regjimin e Edi Ramës. Ndaj sot duhet të projektojmë lidershipin që na çon në fitoren e 2023, atë të 2025 me të cilën të rikthejmë rrugëtimin europian.
Sot, bazuar tek tradita, eksperienca dhe vizioni, duhet të projektojmë jo thjesht liderin, por lidershpin e 10 -15 viteve të ardhëshme, gjeneratën e drejtuesve që marrin përsipër sfida e përgjegjësi, dhe japin llogari me votë para jush, demokratëve.
Suksese miq në detyrën e rëndësishme që ju kanë besuar demokratët!
Rroftë Partia Demokratike!

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb