Dëshmi tronditëse vijnë në lidhje me ngjarjen e rëndë që ndodhi sot fshatin Luar të Roskovecit, ku djali vrau me sende të forta babain e tij. Ngjarja ndodhi në mesditë në banesën e tyre.

Gazetari Ervis Kuçi ka udhëtuar drejt vendit të ngjarjes, ndërsa ka siguruar për ‘BalkanWeb’ dëshmi të familjarëve, por edhe të fqinjëve të Dhori Rapit (viktima) dhe djalit të tij, 25-vjeçarit Erdis Rapi.
Mësohet se i riu kishte qenë i shtruar në spitalin psikiatrik në Vlorë dhe pasi kishte dalë nga ky institucion jetonte me babain dhe vëllain në banesën e tyre në fshat. Banorët tregojnë se shpesh herë ka pasur problematika dhe sherre mes djemve dhe babait, si dhe me fqinjët e tyre. Kanë qenë fqinj të familjes ata që njoftuan policinë pas ngjarjes së ndodhur, e cila mbërriti menjëherë pranë vendit të ngjarjes.

Kunata e viktimës tregoi se babai me dy djemtë e tij ziheshin çdo ditë, ndërsa sherri i sotëm ishte shumë i madh. Në një rrëfim për ‘News24’ dhe ‘BalkanWeb’ ajo tha se kishte qenë babai që kishte kërcënuar djalin se do ta vriste, ndërsa ky i fundit kishte marrë një dërrasë dhe e kishte goditur disa herë në kokë.

“E kam kunat viktimën. Ishin të sëmurë si familje. Pa ndihmë ekonomike. Ne ja kemi bërë shtëpinë, si vëllazëri. Djemtë e mi. Edhe thesin me miell ia kemi çuar. Ata konflktoheshin ditë për ditë. Sot u bë e madhe. Kërcënonin njëri-tjetrin. Ai babai i tha; ‘do të vras’. Dhe djali i tha; ‘të vras unë’. Mori një dërrasë dhe i ra disa herë në kokë deri sa vdiq.”, tha kunata e Dhori Rapit.

Ndërkohë, që fqinja e tyre tha se familja ushqehej me një pension të vogël. “Tani e mora vesh, më mori burri në telefon. Thash se çfarë ishte kjo ngjarje. Burri im e ka kushëri. Ata kanë qenë të shtruar në Vlorë. Merrnin një pension të vogël. Me atë rronin, nuk na binin më qafë fare.”, tha ajo.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb