Nga Vepror Hasani

Pjesa e parë
“Në kënetën me kallamishte të Maliqit kishte filluar të ndihej një zë i çuditshëm, – nis të na tregojë Ylber Merdani. – Ngjasonte me një uturimë. Ishte një zë që ulërinte me një u-u-u….të tej zgjatur që rrëqethte dhe frikësonte çdo kalimtar. Dikush tha se kishte qenë kau i fundit i kënetës, shpendi i çuditshëm që jetonte në atë vend. Ai fluturonte sa në njërin skaj të saj te tjetri, duke lëshuar zërin e tij vajtimtar. Nuk kishte ndodhur kurrë kështu më parë. Zëri i tij dëgjohej herët në mëngjes dhe në orët e vona të natës, kur errësira bëhej pis e zezë.

Dikush tha se diçka e keqe kishte për të ndodhur…! Në hapësirën e kënetës, do të derdhej shumë gjak, do të vriteshin shumë njerëz dhe do të vuanin me mijëra të tjerë…! Zëri i kaut do të dëgjohej për shumë vite me radhë. Me kalimin e kohës shumë njerëz patën bindjen se kau ose ishte larguar nga këneta, ose ishte vrarë prej gjahtarëve, por dëgjimi i zërit të tij mbeti një çudi e pashpjegueshme.

Nuk ishte vetëm kau që kishte filluar të ndihej i frikësuar, por edhe rosat, patat, pelikani. Shpendët dhe gjallesat e kënetës kishin nisur të fshiheshin nëpër kallamishte. Tufa zogjsh dukeshin sikur po përgatiteshin për një ikje të madhe. Më pleqtë e shihnin si një shenjë të keqe. Ngjalat dhe peshqit, sikur nuk po ndiheshin më me lëvizjet e tyre. Pikërisht në ato ditë, ishte përhapur lajmi për tharjen e kënetës së Maliqit. Një skenar i kobshëm ishte parapërgatitur kohë më parë. Këneta e Maliqit do të kthehej në një skëterrë, në një varr të madh, ku njerëzit do të varroseshin të gjallë në baltën e argjinaturës.

Do të eliminoheshin njëri pas tjetrit të gjithë kundërshtarët e regjimit. Përveç kampit të Maliqit, do të funksiononin edhe kampet në Vloçisht, në Nizhaves dhe në Orman – Pojan, të cilët do të merrnin jetë njerëzish deri në vitin 1951”.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Parathënia e vdekjes
“Zëri rrëqethës i kaut të kënetës do të dëgjohej së pari në fillim të vitit 1946, – vijon rrëfimin e tij Merdani. – Ishte koha kur do të niste tharja e kënetës. Thuhej se tharja do të bëhej nga ca njerëz të huaj që flisnin gjuhë të ndryshme. Ashtu ndodhi vërtet. Filluan të vinin vullnetarë nga vendet komuniste: Bullgaria, Rumania, nga Republikat e Federatës Socialiste të Jugosllavisë, etj. Do të kishte edhe shqiptarë. Ata do të ishin inxhinierët, më të zot të vendit.

Kishin studiuar në vende të huaja, por në vende të tilla si Franca, Italia, Austria etj. Fillimisht asgjë nuk po kuptohej se çfarë po ndodhte. Të huajt dhe inxhinierët, shiheshin vazhdimisht të ecnin gjithë ditën nëpër kënetë dhe në mbrëmje, largoheshin prej saj. Zëri i kaut sa vinte bëhej edhe më vajtimtar. Ai zë u bë i frikshëm edhe për të huajt. Njerëzit vazhdonin të thoshin se, shpendi po paralajmëronte diçka të kobshme. U punua për disa muaj me radhë. Shpeshherë dukeshin edhe disa makina që vinin nga Tirana. Kishin ngjyrën e zezë. E keqja që pritej të ndodhte nuk vonoi.

Befas u përhap lajmi se ishin arrestuar të gjithë inxhinierët dhe teknikët që do të përgatisnin tharjen e kënetës së Maliqit. Ishte tetor i vitit 1946. Gazetat e kohës nisën të shkruanin për zbulimin e një grupi të madh armiqësor. U quajtën “sabotatorë”. Lajmet që përhapeshin bashkë me zërin e shpendit të çuditshëm thoshin se ishin arrestuar inxhinierët: Abdyl Shara, Kujtim Beqiri, Vasil Mano së bashku me bashkëshorten e tij, Zyraka Mano (edhe ajo inxhiniere), Euxhenio Skaturo, Mitrush Përmeti, Aleks Alarupi etj.

Ishin arrestuar edhe teknikët: Mihal Stratobërdha, Llambi Napuçe, Pandeli Zografi, etj. Ato ditë vajtimi i shpendit u bashkua edhe me tmerrin e njerëzve. Diçka kishte nisur të ndodhte, por askush nuk ishte në gjendje të parashikonte se cili do të ishte fundi i kësaj gjëme të madhe. Nisi të thuhej se, të gjithë do të vareshin në litar ose, do të pushkatoheshin…”!

Sabotatorët
“Sigurimi i shtetit kishte zbuluar se në mbledhjen e këshillit teknik, grupi i inxhinierëve dhe teknikëve kishte propozuar që në qendër të kënetës të lihej një oaz, sepse kjo gjë do të kishte disa avantazhe, por nga njerëzit e Sigurimit të Shtetit, një plan i tillë ishte konsideruar armiqësor, – tregon me tej Merdani.

– “Sipas inxhinierëve, toka torfike e përfituar nga tharja e kënetës, do të kishte nevojë për lagështi, të cilën do ta thithte nga ky oaz i vogël. Së dyti, do të ruhej fauna, pelikani, nositi, apo stërgu, rosat dhe patat e egra, peshqit dhe ngjalat. Do të ruhej flora, si kallami (rrakita), shavari, stika, të cilat shfrytëzoheshin gjerësisht nga vendasit edhe për punime artistike.

Së treti, gjatë gjithë sezonit të beharit rreth kënetës do të kishte livadhe, ndaj rreth e rrotull këtij oazi mund të ngriheshin pika turistike për peshkim dhe gjueti. Oazi me gjelbërimin e tij do të ofronte bukuri natyrore. Nga grupi i inxhinierëve ishte menduar që oazi të zinte një sipërfaqe prej 1600 hektarë, pasi e gjithë këneta shtrihej në një sipërfaqe prej 4.500 hektarësh.

E gjitha kjo e mori emrin “sabotim”. Pas kësaj do të nisnin hetimet. Njerëzit e fshatrave rreth kënetës prisnin se çfarë do të ndodhte. Grupi inxhiniero-teknik, mund të dilte edhe i pafajshëm. Banorët gjithnjë e kishin dashur kënetën. Atje ata siguronin ushqimin dhe punën e tyre. E donin dhe oazin që kishin parashikuar inxhinierët dhe teknikët”!

Hetimet
“Përsëri erdhi një lajm i frikshëm dhe përsëri u dëgjua zëri i shpendit të çuditshëm, i rosave të egra dhe patave që nuk po gjenin dot vend ku të fshiheshin, – rrëfen poeti dhe publicisti Ylber Merdani. Edhe gjarpërinjtë, kishin filluar të lëviznin vend e pa vend. Hetimet kishin përfunduar. Inxhinierët dhe teknikët do të ekzekutoheshin në kënetën e Maliqit. Ishin marrë të gjitha masat që të grumbulloheshin sa më shumë njerëz që të ishte e mundur.

Gjithkush duhej të shikonte si jepte shpirt një njeri i varur në litar, si nxirrte frymën e fundit një i pushkatuar, çfarë ndodhte me një njeri që i thoshin: “Je i dënuar me burgim të përjetshëm”. Kurrë nuk ishte parë dhe dëgjuar që të të vinte ftesa për të pare, se si vdiste një njeri. Njerëzit e pushtetit popullor, shkonin shtëpi më shtëpi dhe jepnin urdhra: “Nesër të jeni te këneta, ekzekutohen armiqtë e popullit!”

Banorët ndiheshin të trembur, ndërsa dëgjoheshin të qara fëmijësh. Kau i kënetës nuk pushonte së vajtuari. Ishte nëntor.

Tmerrit të njerëzve po i bashkohej edhe të ftohtit që po afronte. Absurditeti nuk kishte fund. Kryetari i këshillit popullor i fshatit Vashtmi, me inicialet R.C., shkoi në shkollë dhe urdhëroi drejtorin që të nesërmen, me të gjithë nxënësit të ndodheshin në Maliq që, të shihnin edhe fëmijët ekzekutimin e sabotatorëve dhe armiqve të popullit.

Mësuesi Riza Mançe, i mbetur i befasuar nga ato që po dëgjonte, iu përgjigj: “Personeli i mësuesve nesër do të jetë aty ku thoni ju zoti kryetar, por unë, nuk marr përgjegjësinë që të çoj nxënësit të shohin një pamje që për moshën e tyre të mitur mund t’u lërë pasoja psikike për tërë jetën”. Urdhri i kryetarit ishte i prerë: “Unë po të sjell urdhrin e partisë të ardhur nga lart, ndryshe do të jeni ju që do të mbani përgjegjësi, veçanërisht ti, si drejtuesi i shkollës”! Paniku po përhapej me shpejtësi”.

Përballë vdekjes
“Njerëzit u detyruan të shihnin atë pamje makabër, tregon me dhimbje poeti Ylber Merdani. Ata që shkuan ishin të pakët. Mbanin sytë përdhe për të mos parë asgjë. Kishin frikë se ato pamje do t’u shfaqeshin edhe në gjumë. Para skuadrës së pushkatimit qëndronte “grupi i sabotatorëve”. Ndoshta shpresonin që në çastin e fundit, të vinte ndonjë urdhër: “Mos i vrisni, ata janë të pafajshëm”!

Inxhinierët e kishin shpjeguar me dhjetëra herë projektin e tyre, por deri atë çast askush nuk i kishte dëgjuar. Pa atë oaz, këneta do të humbiste faunën dhe florën, do të humbiste vlerat turistike, nuk do të dëgjohej më zëri i kaut të egër që prej shumë ditësh kishte nisur të vajtonte si një qenie e çmendur, nuk do të kishte më livadhe e gjelbërim, as rosa e pata dhe me kalimin e viteve, këneta do të rifillonte me përmbytje gjithnjë e më shumë. (Ashtu siç po ndodh sot).

Të gjitha këto i kishin thënë, por tashmë i priste litari, plumbi dhe burgu. Abdyl Shara, i diplomuar në Romë, u dënua me varje në litar. Në momentin e fundit tha: “Koha do ta tregojë se ne kishim të drejtë”. Fjalët e tij u përcollën në shpirtrat e banorëve të kënetës, që i kishin sjellë aty. Ato fjalë nuk do të harroheshin kurrë. Gjithçka do të mbahej mend. Kujtim Beqiri, i diplomuar në Vjenë me medalje të artë, u dënua me varje në litar.

Në momentin e fundit tha: “Rroftë Shqipëria! Rroftë Flamuri”! Vendi u përshkua nga një rrëqethje e frikshme. Zyraka Mano, bashkëshortja e Vasil Manos, të cilët ishin të diplomuar në Francë dhe që atë çast do të pushkatoheshin të dy, në momentin e fundit, ngriti sytë nga Zoti dhe tha: “Ai e di që ne jemi të pafajshëm”! U duk sikur të gjithë njerëzit vështruan lart. “O zot, ndaloje këtë masakër!”

Ekzekutimet nuk kishin të ndalur. Inxhinieri Euxhenio Saturno, u dënua me pushkatim, ing. Mitrush Përmeti, u dënua me pushaktim, ing. Aleks Alarupi u dënua me pushkatim. Dikujt nga njerëzit që kishte ardhur të shihte se çfarë do të ndodhte, i ra të fiktë. Të tjerët përpiqeshin të mos shihnin asgjë. Pjesa tjetër e “sabotatorëve” u dënuan me burgim nga 10 deri në 20 vjet, si Mihal Stratobërda, Llambi Napuçe, Pandeli Zografi etj.

E gjithë kjo lukuni vrasësish në ato vite, do të drejtohej nga Bedri Spahiu, Bilbil Klosi, apo nga Josif Pashko me Gaqo Floqin. Pas kësaj njerëzit ikën, por kuptuan se një e keqe e madhe do të vazhdonte në atë vend. Tashmë rënkimi i kaut të kënetës dukej sikur vinte nga fundi i dheut”.

Po vinin përsëri…!
“Që nga dita e ekzekutimit të “sabotatorëve” dhe deri në pranverë, këneta e Maliqit qëndroi në heshtje. Dukej sikur nuk merrte frymë. Vetëm kau i kënetës nuk kishte të pushuar me zërin e tij. Të gjithë njerëzit e huaj që kishin ardhur vullnetarisht për tharjen e kënetës, ishin larguar. Grupi i inxhinierëve dhe teknikëve nuk ekzistonte më. Nuk jetonte më as Zyraka Mano, gruaja e vetme që u pushkatua atë ditë, me sytë nga qielli.

Po afronte pranvera dhe jeta në kënetë dukej sikur do të ringjallej sërish, por kur ende moti nuk ishte ngrohur mirë u duk një varg i madh njerëzish që po i sillnin në kënetë. Ishte pranvera e vitit 1947. Ishin të gjithë të burgosur. Të gjithë të lidhur njëri pas tjetrit, çapiteshin me mundim nëpër kënetë. Përpiqeshin të mos rrëzoheshin.

Torturat për muaj me radhë i kishin shndërruar në fantazma. U kishte mbetur vetëm një shikim zhbironjës njësoj sikur pyesnin veten dhe këdo tjetër: “Çfarë po ndodh me ne kështu”?! Një mori policësh përgjonin çdo lëvizje të tyre. Qëllonim si mundnin mbi ata që mbeteshin prapa të tjerëve. Godisnin dhe ulërinin: “Ec kriminel…gjakpirës…tradhtar…spiun…reaksionar…”!

Ata, të gjithë, ecnin drejt vdekjes së tyre. Ndoshta e dinin, ndoshta shpresonin se do të mbeteshin gjallë, por ajo që do të ndodhte aty nuk kishte mendje njerëzore që mund ta parashikonte. Mijëra veta do të ishin ushqim për vdekjen. Shumë prej tyre do të varroseshin të gjallë”.

Rregullat e kapanonit
“Ditë më pas, aty te ura e Maliqit, të burgosurit do të nisnin të ndërtonin kampin e tyre të vdekjes, – vazhdon të tregojë poeti Ylber Merdani. – Filluan të dukeshin ca çadra të mbuluara me mushama dhe baraka prej dërrase. Pastaj u vendosën krevate, ngjeshur njëri pas tjetrit dhe me tre kate, sepse atë verë numri i të burgosurve do të arrinte 1000 veta, ndërsa një vit më pas, në prill-nëntor të vitit 1948, kur kampi do të zhvendosej në Vloçisht, numri i tyre do të shkonte në 2500-3000.

Përveç shqiptarëve sollën aty edhe dhe të burgosur të huaj, rusë të quajtur bjellogardistë që kishin mbetur tek ne. Pas ndërtimit të kampit, çdo mëngjes shihje të dilte prej barakave një turmë e madhe njerëzish, të gjithë të leckosur, që niseshin drejt kënetës, të vënë përpara nga një mori njerëzish që mbanin kamzhikë nëpër duar. Edhe kthimin në kapanon e bënin gjithnjë duke vrapuar dhe këmbëzbathur. Kush vonohej sadopak, rrihej me shkelma e grushta, goditej me dru në kokë dhe torturohej deri në vdekje.

Ata vraponin dhe përpiqeshin të mos rrëzoheshin. Kallami i kënetës, i shkelur në mënyrë të vazhdueshme, u çante këmbët. Njollat e gjakut u mbeteshin pas. Përpiqeshin të mbijetonin, ashtu siç kishte raste kur përpiqeshin të vdisnin. Natën kapanoni nuk kishte asnjë lloj ndriçimi. Me të rënë errësira askush prej të burgosurve nuk mund të dilte nga çadra e vet. Edhe nevojat personale do t’i kryenin brenda kapanonit.

Nëse sëmureshe, përveç mjekut të kampit, Isuf Hysenbegasit, që mund të të vizitonte dhe që mund të të thoshte nga se vuaje, asnjë medikament tjetër nuk të ofrohej. Nëse ndodhte që të vdisje natën në kapanon, atëherë vinin disa njerëz, roje të burgut, e merrnin trupin e pajetë të të burgosurit dhe largoheshin. Vonë do të merrej vesh se të vdekurit i hidhnin në gropat e mëdha të kënetës, të mbushura me llucë dhe fekale. Me këto rregulla të burgosurit, nisin jetën e tyre me të mbërritur në kampin e kënetës së Maliqit.

I burgosuri nga Kruja, Muharrem Xhixha, nuk pranonte që nevojat personale t’i kryente në kapanon. I dukej një marrëzi e madhe. Një natë ai hapi derën dhe doli. Shokët u përpoqën ta ndalonin, por ai nuk u bind. “Kapanoni nuk është nevojtore”, tha ai. Por nuk vonoi shumë, kur ende nuk e kishte hedhur hapin e parë në oborrin e çadrave, u dëgjua një breshëri automatiku. Jeta e Muharrem Xhixhës u pre në mes. Ai nuk do të ishte i vetmi”.

Rregullat e punës
“Të burgosurit e nisnin punën me të lindur dielli dhe e linin afër perëndimit të ditës, – vijon të rrëfejë këtë tregim të dhimbshëm Ylber Merdani. Ndërsa hynin në ujin e kënetës në të njëjtën kohë nisnin të lëviznin drejt tyre edhe shushunjat. Ata ishin të lodhur, të rraskapitur, të pangrënë, të zbathur e të zhveshur. Nuk kalonte shumë dhe shushunjat ngjiteshin pas trupit të të burgosurve.

Thithnin gjakun e tyre. Megjithatë nuk mund të dilnin nga uji. Punonin gjithë ditën mes shushunjave dhe gjarpërinjve. Nuk bëhej fjalë për asnjë mjet të mekanizuar. Balta nxirrej nga uji nga 40-50 cm thellësi dhe e hidhnin përsëri në ujë të kënetës, 3 metra më tutje. Aty e merrnin të burgosurit e tjerë sërish me lopatë dhe e hidhnin 3 metra më tej, e kështu me radhë deri sa balta dilte mbi argjinaturë.

Ishte mjaft e vështirë që karrocat prej druri t’i shtyje nëpër baltë, por për ta nuk kishte rrugë tjetër. Çdo minutë kalonte nën kamzhikun e rojeve. Norma ishte e detyrueshme. Më e vështirë ishte për ata që nuk i kishin mbushur të 18-at, për të moshuarit dhe të sëmurët. Për mosrealizimin e normës, të linin pa ngrënë, të lidhin pas shtyllës, të torturonin, ose të varnin kokëposhtë në argjinaturë, shpesh, sikur të mos mjaftonte vetëm kaq, të lidhnin edhe karrocën e drunjtë mbas duarve të varura poshtë.

Nuk mungonin as rastet kur të zhysnin në mes të baltës dhe përpiqeshin të të mbysnin. Kush vdiste apo vritej në punë, mbulohej me llucë në argjinaturën e kanalit. Kështu ndodhi edhe me Baba Muharrem Agushin, e Teqesë së Kreshovës. E morën dhe e zhytën në batak. Pastaj nisën ta shkelnin me këmbë. Përsëri nuk mbetën të kënaqur: e mbushën karrocën me baltë dhe e kaluan sipër trupit të tij. Me të njëjtën egërsi do të silleshin edhe ndaj Baba Qazim Kuçit, të Teqesë së Melçanit.

Edhe pse mjeku Isuf Hysenbegasi i kishte dhënë pushim, sepse kishte temperaturë mbi 40 gradë, Drejtori i kampit, Tasi Marko, i kërkonte normën, duke urdhëruar ta godisnin me dru. Rojet dhe policët nuk donin t’a dinin që Baba Qazim Kuçi i Devollit e kishte kthyer Teqenë e Melçanit në një nga qendrat e patriotizmit dhe, ndihmesat për çështjet e gjuhës shqipe. Madje ajo teqe e tillë kishte qenë gjithnjë.

Tashmë ishte i sëmurë dhe në një moshë të thyer. E rrahën për disa ditë rresht dhe e nxorën në punë. Kur Baba Qazimi u kthye i gjallë të gjithë u befasuan, sepse e dinin që gjatë atyre ditëve policët e kishin futur në llucë. Ata nuk do të silleshin ndryshe as me At Jorgji Papamihalin. Çdo vit, çdo i burgosur duhej të realizonte 140-150 ditë pune”.

Ushqimi
“Ushqimi ishte i neveritshëm dhe i paktë. Të burgosurit nuk arrinin kurrë të shuanin urinë e tyre, na thotë Merdani. Detyroheshin që fshehtas vëzhgimit të rojeve të merrnin copa kallamash apo kërcej luledielli që, me tulin e tyre të brendshëm të shuanin urinë. Këtë gjë e kishin mësuar nga të burgosurit bjellogardistë. Në rast se arrinin të rrëmbenin ndonjë panxhar sheqeri, kjo ishte fitorja më e madhe e tyre. Familjet u çonin ushqim të burgosurve, por nga gjithçka që sillnin ata, u jepej shumë pak.

Me pjesën tjetër ushqeheshin rojet, policët, spiunët, provokatorët, madje dhe derrat dhe qentë. Kampi u jepte ushqim vetëm një herë në ditë një garuzhde me supë dhe një copë bukë misri. Edhe pse të burgosurit ishin të pangrënë, ndodhte shpesh që t’i dënonin me qëndrimin pa ushqim për ditë të tëra me radhë. Rastet kanë qenë të shumta, por ajo që ndodhi me 18-vjeçarin Sezai Garon nga Korça, mbetet e paharrueshme. Vendosën që ta linin pa ngrënë. E lidhën këmbë e duar dhe e futën në kotecin e derrit.

Derrin e mbante për majmëri komandanti i kampit, Tasi Marko. Aty, Sezaiu do të qëndronte deri sa të kujtoheshin policët për ta nxjerrë që andej. Për tre ditë me radhë nuk i kishin çuar asgjë për të ngrënë. Derrin e nxirrnin çdo mëngjes për ta ushqyer me ushqimet që sillnin familjarët për të burgosurit. Në kotec e kthenin vetëm në mbremje që, të flinte bashkë me të burgosurin. Ditët kalonin dhe uria për Sezaiun po bëhej e padurueshme. Priste t’i sillnin ndonjë copë buke, por për rojet dhe policët, Sezaiu nuk ekzistonte.

Fati e deshi që të ndodhte mrekullia. Dita e katërt u gdhi me shi. Derrin nuk e nxorën nga koteci se ishte ftohtë dhe lagej. Nuk vonoi shumë dhe një prej rojeve u afrua tek derri dhe i hodhi një copë byreku. Kishte qenë petanik me fasule. Sezaiu ishte matur t’ia rrëmbente, por nuk mundej. Edhe në kotec qëndronte me duar të lidhura. Derri futi feçkën e tij në petanik dhe nisi ta zhgërryente në baltën e kotecit. Kishte filluar ta hante.

Një çast derri kishte ngritur kokën dhe kishte vështruar të burgosurin. Vështrimet e tyre ishin shkëmbeyr brenda një çast të shkurtër. Ndoshta derri e kishte kuptuar lutjen e të burgosurit. Petanikun që i kishte mbetur e shtyu me turirin e tij deri të këmbët e Sezaiut, pastaj ishte tërhequr mbrapa dhe kishte zënë vendin e tij në kotec. Vështronte të burgosurin, dukej sikur thoshte: “Haje, ty ta solla

Pikërisht në këtë çast i burgosuri ishte përulur dhe kishte nisur të hante atë petanik me fasule që tashmë ishte përzierë edhe me baltë.“E pata të vështirë, kishte thënë Sezaiu, sepse ai cop byreku m’u duk i pështirë, por kur nisa të ha, ndjeva shijen e tij dhe barkun që po më mbushej. Atë çast kuptova se edhe derrat ishin më fisnikë nga këta njerëz që na poshtërojnë këtu çdo ditë.

Sezai Garo ishte dënuar që kur ishte 17 vjeç. Në atë kohë sapo i kishin pushkatuar të atin, Sadilin. Ishte dënuar me 10 vjet burg. Sigurimi i shtetit kishte sajuar krijmin e një grupi ballisëtsh, ku përveç Sezaiut në këtë grup bënin pjesë edhe Sadik Zhgaba, Hasan Xama, Ismail Dvorani etj. Dënimet që u dhanë për ta ishin nga 10 vjet burg deri me pushkatim”. /Memorie.al

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb