Përpjekjet e socialdemokratëve suedezë për të krijuar një qeveri të re, kanë dështuar për shkak të mosmarrëveshjeve mes partive të qendrës së majtë.
Liderja e Socialdemokratëve, Magdalena Andersson, e njoftoi këtë sot, rreth dy javë pasi partia e saj doli e para në zgjedhjet parlamentare të 13 shtatorit, me 28% të votave.
Socialdemokratët morën detyrën për të provuar krijimin e qeverisë, pasi katër parti që kishin deklaruar mbështetjen për Andersson si kryeministre, kishin së bashku 176 nga 349 vendet në Parlament, një shumicë të ngushtë.
Këto katër parti ishin, Socialdemokratët; Të Gjelbrit; Partia e Qendrës dhe Partia e Majtë. Por mes dy prej tyre, Partisë së Majtë dhe Partisë së Qendrës, kishte mosmarrëveshje të mëdha.
Të dyja partitë nuk pranonin që pala tjetër të bëhej pjesë e qeverisë.
Situata u përkeqësua pasi Partia e Majtë njoftoi se do të mbështeste Andreas Norlén, nga Partia e Moderuar konservatore, për postin e kryetarit të Parlamentit.
Andersson tha se, me këtë veprim, Partia e Majtë po largohej nga grupi që po përpiqej të krijonte qeverinë dhe se grupi tjetër duhej të merrte detyrën për formimin e qeverisë.
Norlén u rizgjodh sot kryetar i Parlamentit me 200 vota kundër 146.
Liderja e Partisë së Majtë, Nooshi Dadgostar, e kundërshtoi versionin e Andersson.
Ajo tha se kishte mbështetur Norlén sepse e konsideronte një politikan me përvojë për drejtimin e Parlamentit.
Pas dështimit të bisedimeve mes partive të qendrës së majtë, procesi për krijimin e qeverisë nis praktikisht nga e para.
Kryetari i Parlamentit, Andreas Norlen, duhet t’ia japë sërish një partie detyrën për të provuar krijimin e qeverisë.
Një mundësi është që këtë detyrë ta marrë përsëri Ulf Kristersson, ish-kryeministri konservator, i cili dha dorëheqjen pas humbjes në zgjedhje.
