Të tjera detaje dalin në dritë në lidhje me operacionin në portin e Durrësit, ku u sekuestruan 49 kg kokainë dhe u arrestua babai i Arbër Çekajt, Selim Çekaj. Gazetarja Dorjana Bezat raporton për ‘BalkanWeb’ se droga, e cila ishte futur në një kontejner me banane që vinte nga Ekuadori, ishte e ndarë në 37 pako.

Mësohet se këto pako (rreth 1.3 kg secila) nuk kishin asnjë shenjë dalluese, ndërsa ishin mbledhur me natriban në formë katrore dhe drejtkëndore dhe ishin lyer me graso. Po ashtu Bezat raporton se kokaina ishte fshehur në 2 këmbët e kontenierit me mbyllje të posaçme metalike.

Të gjitha kontenieret që vijnë nga Amerika Latine konsiderohen me risk, ndaj edhe kalojnë në kontroll të detajuar në skaner dhe me qen antidroge të cilët e identifikuan ngarkesën. Mes të tjerash gazetarja Bezat bënë me dije se kontejneri me banane u kalua në vijën e dytë e më pas u bë ndërhyrja. Ky kontenier ishte nisur nga porti i Guayaquil-it në Ekuador dhe ndalesën e kishte bërë në Turqi në portin e Mersin dhe më pas në Durrës.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb