Kamerat e paligjshme të sigurisë kanë qenë të pranishme në të gjitha rrugët dhe zonat e Shqipërisë, ku krimi i organizuar vepron prej dekadash. Fenomeni i zbuluar fillimisht në Shkodër me gjetjen e kamerave që monitoronin qytetin dhe që ishin vendosur nga krimi i organizuar, por edhe nga persona të tjerë në mënyrë të jashtëligjshme, ka marrë përmasa shqetësuese në të gjithë vendin. Në total në kuadër të operacionit “Fijet” deri më tani Policia e Shtetit ka sekuestruar mbi 350 kamera dhe ka vendosur nën hetim mbi 60 persona.

Rreth 14 kamera janë çmontuar dhe sekuestruar nga banesat e Emiljano Shullazit dhe Pajtim Serjanit në zonën e ish-Parkut të autobusëve. Po ashtu 6 kamera janë sekuestruar në banesën e Elidon Kotorrit në “Ali Dem”, i dënuar më parë për vrasje. Mes emrave të njohur të krimit të dyshuar për vendosje kamerash në rrugë, është edhe Gjergj Cukalli i njohur ndryshe si ‘i forti i Myslym Shyrit’.

Shumica e kamerave të çmontuara janë me ‘wireles’, sistem që bën të mundur kontrollimin e tyre nga aparatet celulare. Tirana është qarku ku policia çmontoi më shumë kamera sigurie, mbi 155 dhe ku janë nën vënë hetim 37 persona që i kishin vendosur ato në mënyrë të paligjshme, ndërkohë që aksioni në këtë qark vijon në zonën e Kombinatit, Kamzës, Vorës dhe në zonat periferike të kryeqytetit. Ndërsa në të gjithë qarqet, në Shkodër, Durrës, Vlorë, Korçë, Fier, Lushnje janë gjetur mbi 200 kamera “spiune” që kontrollonin çdo lëvizje të policisë. Pjesa më e madhe e personave nën hetim për vendosjen e këtyre kamerave janë të dënuar për vrasje, për trafik lëndësh narkotike, rrëmbim personi dhe vepra të tjera penale, por edhe persona që janë në kërkim nga policia e shtetit.

Burime policore bëjnë më dije se kontigjentët e krimit përveçse monitorimit me kamera të banesa dhe subjekteve të tyre, monitoronin me kamera të gjithë zonën, ku kishin vendosur kamera në rrugët që të çonin drejt banesave të tyre. Kamerat ishin te instaluara në shtylla dhe në muret e pallateve. Në disa banesa ku policia kishte dyshime dhe kishte informacione në rrugë operative se kontigjentë të krimit kishin vendosur kamera në zonën ku ata banonin, nuk janë gjetur kamera sigurie duke lënë dyshime se kanë vepruar para duke i hequr vetë kamerat. Sipas policisë qëllim i instalimit të këtyre kamerave ishte sigurimi i informacioneve për qëllime kriminale, si dhe për të monitoruar lëvizjet e policisë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb