Sipas ekspertëve me ligjin e ri, nuk do të ketë më zona të mbrojtura në Shqipëri, përfshirë të gjithë parqet kombëtare që nuk do t’i shpëtojnë shkatërrimit dhe shitjes.

Kur korrikun e vitit të kaluar motrat Ivanka dhe Tiffany Trump vizituan Shqipërinë me bashkëshortët e tyre, në dy vizita të ndara nga njëra-tjetra por brenda pak ditësh, lajmi u përhap me shpejtësi dhe ngjalli interesin e të gjithëve. U mendua se dyndja e turistëve që zgjodhën si destinacion kryesisht jugun e vendit, tërhoqi dhe vëmendjen e motrave Trump, vajzave të ish-presidentit amerikan Donald Trump. Por ajo që u pa me më shumë kërshëri ishte pushimi në bregdetin e Jonit të Ivanka Trump dhe bashkëshortit të saj, Jared Kushner, themelues dhe drejtues i kompanisë amerikane “Affinity Partners”, firmë amerikane investimesh. Çifti e kishte vizitën e dytë në Shqipëri, pas të parës në vitin 2021, gjatë së cilës vizituan sërish jugun, vit që përkon me themelin e kompanisë.

Pak ditë më parë Kushner njoftoi në rrjetet e tij sociale se ishte entuziast që po ndante me ndjekësit disa imazhe paraprake të projekteve që ai ka në plan të zbatojë në bregdetin shqiptar. Zonat e përzgjedhura prej “Affinity Partners” janë ishulli i Sazanit dhe Zvërneci, vende që gjenden brenda zonave të mbrojtura në Shqipëri.

Sazani dhe Zvërneci – ‘shenjestra’ e parë

Lajmi ishte surprizë, por pasoi rrëmujën e ndryshimit të Ligjit për Zonat e Mbrojtura në Shqipëri, që u paralajmërua si rrezik nga ekspertët mjedisorë vendas dhe të huaj. “Ligji 21/2024 lejon ndërtimin e mega-resorteve me 5 yje në Zonat e Mbrojtura.

Përveç kësaj me vendim të Këshillit Kombëtar të Territorit, lejohet ndërtimi i pothuajse çdo investimi tjetër dhe nuk ka më vija të kuqe, sikundër u tha nga Ministrja e Turizmit dhe e Mjedisit. Tashmë vendimet nuk merren në bazë të planeve të menaxhimit që hartohen nga ekspertët, por nga KKT, i cili është organ politik.
Është hequr nënzonimi në Zonat e Mbrojtura të kategorisë V – “Peizazh i Mbrojtur”. Pra, me ligjin e ri, tanimë mund të ndërtohet në ish-nënzonat qëndrore të këtyre zonave të mbrojtura, që me ligjin 81/2017 ishte e ndaluar. Ligji i ri nuk e mbron më natyrën dhe zonat e mbrojtura në Shqipëri, por është ligji më shkatërrimtar kundrejt ruajtjes së natyrës që është miratuar ndonjëherë nga parlamenti pluralist i Shqipërisë” – analizon për Deutsche Welle Mirjan Topi, inxhinier mjedisi.

Ligji më shkatërrimtar ndaj natyrës

Gabriel Schwaderer, drejtues i shoqatës mjedisore ndërkombëtare ‘EuroNatur’, e cila lobon prej vitesh për mbrojtjen e zonave me biodiversitet të pasur në Shqipëri, thotë se është i shokuar nga ndryshimi i ligjit për zonat e mbrojtura. “Laguna e Nartës, së bashku me deltën e lumit Vjosa, është një ndër ligatinat me të rëndësishme të migrimit botëror të shpendëve në Mesdhe. Nëse projekti i prezantuar dhe shkatërrimtar do të zbatohej, kjo do të zhbënte në mënyrë të plotë vlerat e zonës së mbrojtur të Vjosë-Nartës dhe do të jetë një tradhti ndaj natyrës. Kjo zonë e mbrojtur pret 5 specie zogjsh që përbëjnë të paktën 1% të totalit të tyre biogjeografik.
Sipas Konventës së Ramsarit, zona të tilla kërkojnë mbrojtje. Duke qenë se Shqipëria e ka firmosur këtë Konventë, atëherë kjo kërkesë është ende në fuqi. Për më tepër, autoritetet shqiptare e kanë përcaktuar ekosistemin e Vjosë-Nartës si zonë ‘Emerald’ nën Konventën e Bernës. Si rrjedhojë, edhe nëse Shqipëria e ndryshon ligjin, kjo zonë mbetet ende nën mbrojtjen e ligjit ndërkombëtar” – thotë për DW kreu i ‘EuroNatur’.

A duhet ta vazhdojë BE-ja agjendën e anëtarësimit me Shqipërinë?

Një tjetër pikëpyetje që ‘EuroNatur’ ngre lidhet me rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian. “Pyetja jonë për politikëbërësit e BE-së është: a duhet të vijojë BE agjendën e saj të anëtarësimit, nëse një vend kandidat dukshëm nuk përafrohet me ligjet e BE-së por përkundrazi ndryshon ligjet e vendit, duke i përkeqësuar ato? Nga këndvështrimi ynë, kjo është një situatë tepër serioze dhe kërkon një mesazh shumë të qartë nga institucionet e BE-së për autoritetet shqiptare” – thekson Schwaderer.

Deutsche Welle kontaktoi edhe Delegacionin e Bashkimit Europian në Tiranë, për një koment në lidhje me situatën. ‘Komisioni Evropian ka rekomanduar në raportin e tij të vitit 2023 për Shqipërinë se vendi duhet të përmirësojë ndjeshëm cilësinë e vlerësimeve të ndikimit mjedisor dhe strategjik në projekte, si dhe të zbatojë dhe monitorojë rekomandimet që rrjedhin nga këto vlerësime. Për më tepër, në të njëjtin raport, Komisioni Evropian theksoi se legjislacioni për investimet strategjike ngre shqetësime për mbrojtjen e biodiversitetit, pasi mund të lejojë investime të mëdha turistike dhe industriale në zonat e mbrojtura’ – thuhet në përgjigjen e BE-së në Tiranë.

Në reagim, BE nënvizon se ‘Siç u kemi përcjellë autoriteteve shqiptare, Bashkimi Evropian u kushton vëmendje të madhe çështjeve mjedisore në kuadër të negociatave të anëtarësimit dhe do të vazhdojë të diskutojë me autoritetet shqiptare mbi përafrimin e duhur të legjislacionit shqiptar me acquis të BE-së, si dhe të monitorojë zbatimin e tij’.

Të tjera zona të mbrojtura në rrezik?

Sipas inxhinierit mjedisor Mirjan Topi, ndryshimi i ligjit për zonat e mbrojtura është ndryshuar në funksion të këtyre investimeve. “Tashmë duket qartë që ligji ka qenë i porositur, sepse nuk ka se si shpjegohet ndryshe nxitimi i mazhorancës për ta miratuar dhe akoma pa u dekretuar ligji nga Presidenti, dolën projektet konkrete.”

Por në ndryshim nga alarmi dhe analizat e ekspertëve mjedisorë, kryeministri Rama dy ditë më parë nga Asambleja e Partisë Socialiste, përmendi dhe gjeopolitikën, përveç turizmit, dhe theksoi se kompania që planifikon të ndërtojë në Sazan dhe Zvërnec, ka ndërtuar dhe në zona të tjera të mbrojtura nga UNESCO. ‘Por e vërteta që ka rëndësi në këtë mes, nuk është se sa pa lidhje janë këto alarme, për rrezikun që i kanoset natyrës shqiptare nga ndryshimet e ligjit të zonave të mbrojtura apo nga zbarkimi në Sazan i firmës më prestigjoze të hotelerisë në botë, Aman Hotels&Resorts, e cila ka ndërtuar një duzinë strukturash në zona përrallore të UNESCO-s në Azi e në Lindjen e Mesme. E vërteta që ka rëndësi në këtë mes është se Shqipëria, kampione e turizmit në rajon në 2030, nuk është një slogan për të ushqyer iluzionin e një të nesërmeje të ndritur, po një projekt gjeopolitik dhe ekonomik, që po formësohet me plane e masa konkrete, të cilat krijojnë hapësirën e mundur për këtë zhvillim historik.”

Laguna e Nartës
Pyetjes nëse ky ligj do të ‘hapë lojën’ për zona të tjera të mbrojtura, Topi thekson se “tani janë të rrezikuara të gjitha, kryesisht Peizazhet e Mbrojtura.

Ndërsa Schwaderer nga ‘EuroNatur” i druhet projektit të dikurshëm në Parkun Kombëtar të Karavastasë, që u anulua vite më parë, pas kundërshtimit të organizatave mjedisore. “Dihet tashmë që projekti ‘Kingcoast Divjaka’ i cili planifikon të ndërtojë që resort gjigant turistik brenda Parkut Kombëtar të Karavastasë është sërish në agjendë. Ai u promovua 7 vite më parë dhe më pas u zhduk, por tashmë rikthehet sërish në skenë me potencialin për të shkatërruar një nga zonat më të rëndësishme të vendpushimit të shpendëve migratorë përgjatë gjithë bregut lindor të Adriatikut. Me ligjin e ri, nuk do të ketë më zona të mbrojtura në Shqipëri, përfshirë të gjithë parqet kombëtare që nuk do t’i shpëtojnë shkatërrimit dhe shitjes”./DW

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: