Sindroma e dhimbjes prostatike apo infeksionet e prostatës (prostata akute dhe kronike) është një nga problemet më shqetësuese që shfaqet te meshkujt e që shoqërohet me sjellje seksuale negative. Rezart Xhani, mjek urolog pranë Shërbimit të Urologjisë, në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, shpjegon simptomat dhe parandalimin e kësaj sëmundjeje.

Çfarë është prostata dhe kur fillojnë problemet me të?
Prostata është një gjëndër aksesore seksuale që gjendet në organizmin e meshkujve dhe që si funksion kryesor ka ndihmesën në funksionin e spermës dhe për pasojë fertilitetit. Gjatë ejakulacionit mendohet se prostata kontraktohet për të sekretuar 0.5 – 1.0 ml lëng, i cili i shtohet atij të ejakuluar. Kjo gjëndër është që në lindje te meshkujt, por problematika e saj fillon dhe jep shenja të dukshme klinike te meshkujt pas moshës 40-vjeçare (në rastin e kancerit të prostatës) dhe arrin pikun në moshën 65-75 vjeçare.

Ç’është sindroma e dhimbjes prostatike?
Dhimbjet kronike në regjionin e prostatës në 90% të rasteve janë abakteriale (pra nuk kemi ndonjë infeksion të pranishëm), dhe vetëm në 10% të tyre kemi një infeksion. Sindroma e dhimbjes prostatike është shfaqja e përsëritur apo vazhdimi i një episodi dhimbjeje gjatë 3 apo 6 muajve të kaluar. Nuk kemi infeksion të vërtetuar apo ndonjë patologji tjetër lokalisht. Sindroma e dhimbjes prostatike zakonisht shoqërohet me sjellje seksuale negative apo me lëkundje emocionale; po ashtu kemi edhe shfaqjen e tablosë së simptomave të traktit të poshtëm urinar (LUTS) dhe çrregullime të funksionit seksual.

Cilat janë simptomat?
Dhimbja është simptoma kryesore e sindromës së dhimbjes prostatike. Asnjë faktor etiologjik nuk është gjetur deri tani për këtë dhimbje. Një shpjegim është që kjo sindromë shfaqet te meshkujt e predispozuar ndaj ekspozimit të një apo më shumë faktorëve shpërthyes, të cilët mund të jenë: të vetëm, të përsëritur apo të vazhdueshëm. Disa nga faktorët e propozuar janë: infeksionet gjenetike, anatomike, neuro-muskulare, endokrine, imune (duke përfshirë ato autoimune) apo mekanizma psikologjike. Këta faktorë mund të çojnë në një gjendje inflamatore apo dëmtimi neurologjik periferik, duke krijuar një dhimbje akute e më pas kronike. Ka gjithmonë e më shumë të dhëna për një origjinë neuropatike dhe lidhje me ndryshime të sistemit nervor qendror në dhimbjen prostatike.

Cilët janë shkaktarët që ndikojnë dhe a mund të parandalohen?
Ka vetëm informacione të pakta në prevalencën e sindromës së dhimbjes prostatike (PPS) në popullatën e përgjithshme. Kjo edhe si pasojë e mbivendosjes së simptomave të patologjive të tjera, si për shembull Hiperplazia beninje e prostatës. Rreziku i prostatës rritet me moshën; burrat nga 50-59 vjeç kanë 3,1 herë më shumë rrezik se ata të moshës 20-39 vjeç. Ka një ndryshim të madh në trajtimin e kësaj sindrome nëpër seritë e publikuara, si rezultat i origjinës multifaktoriale të PPS. Një strategji për të përmirësuar efektin e trajtimit në këta pacientë është trajtimi sipas ndarjes fenotipike të tyre; kjo për shkak se është parë nëpër seritë e botuara se dështimi i trajtimit mund të jetë heterogjeniciteti i popullatës së pacientëve. Alfa-bllokuesit si p.sh terazosin, doxazosin, tamsulosin dhe silodosinë kanë dhënë rezultate pozitive në përmirësimin e simptomave. Studimet tregojnë se ata përmirësojnë në mënyrë sinjifikative dhimbjen dhe zbrazjen e vezikës urinare. Terapia empirike me antibiotikë përdoret gjerësisht për shkak se disa pacientë janë përmirësuar. Ata pacientë që përgjigjen ndaj terapisë duhen mbajtur nën antibiotikë për 4-6 javë apo më shumë.

Fatkeqësisht, urokultura, leukocitet dhe statusi i antitrupave në mostrat prostatë-specifike nuk mund t’i parashikojnë pacientët me PPS, të cilët do përgjigjen ndaj antibiotikëve. Biopsitë e prostatës te pacientët me PPS nuk ndryshojnë nga ato me një prostatë të shëndetshme. I vetmi studim i randomizuar me cilësi të lartë është bërë për përdorimin oral të ciprofloxacinës (6 javë), levofloxacinës (6 javë) dhe hidroklor-tetraciklinës (12 javë). Ky studim ka treguar një ulje të simptomave, siç është dhimbja apo zbrazja e vezikës në krahasim me grupin placebo. Terapia e kombinuar me alfabllokues dhe antibiotikë ka dhënë akoma më shumë rezultat në përmirësimin e këtyre simptomave. Medikamentet anti-inflamatore kanë treguar se në 80% të rasteve kanë pasur më shumë përmirësim të simptomave se ato placebo. * Mjek urolog në Shërbimin e Urologjisë, QSUT

(LifePages/Gazeta Shqiptare)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb