Ndërsa në Tiranë është shënuar sot dita e dytë e protestës, edhe mjekët e Shkodrës e Durrësit i janë bashkuar protestës kombëtare kundër akteve të dhunës në spitale.

Ata thonë se janë në vështirësi dhe ngrenë gishtin e akuzës ndaj qeverisë e politikave të ndërmarra për shëndetësinë, të cilësuara të gabuara. Mjekët pritet të dalin në ditët në vijim me kërkesa të qarta drejtuar qeverisë.

“Personeli shëndetësor kërkon ambient pune të sigurt, të lirë larg bulizmit dhe provokimeve. Ne jemi të kujdesur për pacintët tanë, por dhuna nuk sjell cilësi në shërbim. Dhuna lodh e ndikon tek kujdesi që ne duhet të ushtrojmë. Nëse mjekët e infermierët nuk janë të sigurt edhe pacientët nuk janë të sigurt. Dhuna duhet parandaluar para se të ndodhë, ndryshimi duhet të nisë nga ne. Kjo është një thirrje për veprim, për bashkim. Të flasim nën një zë, politika të dëgjojë”, – tha një mjek në Shkodër.

Ndërsa në Tiranë, mjeku i njohur Tritan Kalo u shpreh: “Vaksinë për problemin tonë nuk ka, por vaksina gjendet. Populli ta ketë të qartë që mjekët nuk ua krijojnë problemet, janë politikat ato që duhet të ndryshojnë. Në ‘97 edhe kur shteti u shkërmoq e vetmja që funksiononte ishte mjekësia. Duhet ta konsideroni bluzën e mjekut të shenjtë”.


Pjesë e protestës, në mbështetje të mjekëve ishte edhe zv.ministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli e cila tha: “Të gjithë jemi të ndërgjegjshëm për rastet e dhunës në ditët e fundit. Ne po kërkojmë ndryshime në Kodin Penal që të shtrëngohen masat për ata që dhunojnë mjekët si dhe rritje sigurie në spitale”.

Mjekët ndërmorën këtë akt pas dhunimit të një mjekeje spercializante në QSUT dhe një dermatologu në Lezhë.

PROTESTOJNE EDHE MJEKET E DURRESIT
ORA 10:50- Mjekët e Spitalit Rajonal të Durrësit janë hedhur në protestë si rezultat i dhunës së ushtruar nga pacientët. Mjekët kanë kërkuar masa ndëshkimore të ashpra ndaj personave që ushtrojnë dhunë duke ngritur dorën ndaj autoritetit të mjekëve.

Kryeministri kërkoi dje dënim me tre vjet heqje lirie për ata që hyjnë në fushën e blertë, ndërsa për dhunuesit e mjekëve duhet dënim 10 herë me i lartë pohuan ata. Mjekët kërkojnë plotësimin e një sërë kushtesh që nisin me infrastrukturën në spitale, po ashtu edhe paga të justifikojnë profesionin e tyre. Edhe pacientët kanë qenë në krah të mjekëve. Sipas tyre është e patolerueshme dhuna në spitale.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: