TIRANË

Presidenti i Republikës Ilir Meta ka shprehur keqardhjen për incidentin me anëtarin e Kryesisë së PD Roland Bejko më 8 janar. Ai tha sot se ngjarje të tilla nuk kishin pse të ndodhnin nëse anëtarët e komisionit për rithemelimin do të ishin aty që paradite.

Ai bëri thirrje për reflektim dhe përgjegjshmëri nga demokratët, duke sjellë si shembull dorëheqjen e rojës së selisë së PD.

“Nuk kam ndonjë komunikim të drejtpërdrejt me zotërinjtë. Më ka ardhur keq për atë ngjarje që ka ndodhur. Ngjarje të tilla në qoftë se do kishte pasur një organizim më të mirë, do kishte pasur aty anëtarë të komisionit për rithemelimin që në orën 10 kur ka ndodhur ajo ngjarje dhe nuk kishte pse të ndodhnin. Shumë gabim kur shkëmbehen sharje dhe fyerje dhe shpresoj që njerëzit e përgjegjshëm, demokratët e përgjegjshëm të reflektojnë dhe të bëjnë çdo gjë që PD të jetë një krenari për demokracinë shqiptare dhe për të ardhmen dhe që ato fotografi dhune t’i takojnë së kaluarës dhe të bëhen një mësim i mirë për 100 vitet e ardhshme për cilindo. E thashë, më 8 janar ka dhe momente pozitive, dorëheqja e rojës së selisë së PD për të shmangur qenien atje në një moment kur ai e kishte gjykuar se mund të kishte dhunë ishte një akt përgjegjshmërie. Sikur të gjithë të kishin pasur këtë nivel përgjegjshmërie do të ishte një situatë e mrekullueshme dhe unë uroj që ditët e ardhshme të marrin shembull nga ky shembull pozitiv”, deklaroi Meta.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb